Si mund të fitojë Tramp: Ja shtetet që i duhen

Klinton edhe më tej është favorite, por Tramp akoma ka gjasa për presidencën. Kjo varet nga performansa e tij në disa shtete kyçe që i duhen patjetër për fitore

Gjendja e garës. Dita para votimeve të përgjithshme e gjen garën presidenciale amerikane tejet të ngushtë dhe të paparashikueshme. Megjithë avantazhin e madh që ka patur gjatë pjesës më të madhe të fushatës, veprimet e FBI e kanë dëmtuar rëndë Hillari Klintonin, saqë sot ajo ka avantazh minimal prej 2.2% sipas RCP deri 2.8% sipas projektit 538. Megjithatë këto shifra nuk janë aspak komode për Klintonin, pasi llogaritur shtet për shtet gjasat e Trampit janë më të mira se kaq.

Modeli i 538 i jep Klintonit 65% gjasa për fitore, ndërsa Trampit 35%. Me gjasë 11% Klintoni mund të fitojë me vota popullore, por të humbë zgjedhjet në Kolegjin Elektoral. Ndërkaq vetëm 0.5% janë gjasat e kundërta, pra që Tramp të fitojë votën popullore e të humbë Kolegjin Elektoral.

Qartazi pra gara është edhe më e ngushtë se që tregon avantazhi 2.2%-2.8% i Klintonit. Por megjithatë ajo mbetet favorite. Trampi ka pak hapësirë për gabime dhe i duhen një seri fitoresh në disa shtete kyçe. Për të arritur këtë ai ka disa shtete që duhet t’i fitojë patjetër, e pastaj tre skenare për të fituar zgjedhjet.

Shtetet e sigurta. Për fitore duhen 270 vota elektorale. Nëse llogarisim shtetet që Klinton dhe Tramp i kanë të sigurta Klinton ka avantazh 221-191.

Shtetet e domosdoshme për Trampin. Këtu fillojnë matematikat e Trampit për të arritur te 270 votat elektorale. Për të patur çfarëdo shanse që të fitojë presidencën Trampi e ka patjetër të fitojë në Florida, Ohajo dhe Karolinën e Veriut. Me këto shtete ai arrin në 253 vota elektorale.

Por gjasat për t’i fituar këto shtete ai nuk i ka njësoj. Nga njëra anë ai mund të ndihet komod në Ohajo ku është 2.3% përpara. Mirëpo në Karolinë dhe Floridë ai kryeson me vetëm 0.3%. Shqetësues për të është fakti që në Floridë veçmë kanë votuar 5.7 milionë njerëz, me dalje sidomos të madhe te latinët të cilët ai i ka ofenduar më tepër se cilido grup tjetër. Por Karolina dhe Florida megjithatë janë shtete që kanë votuar shpesh për republikanët, kështuqë fitorja e Trampit aty nuk do ishte aspak e papritur.

Skenari 1. Nëse fiton tre shtetet e mësipërme fillon pjesa e vështirë për Trampin. Ai do duhet të gjejë edhe 17 vota tjera. Skenari i parë është më direkti dhe më i vështiri: të fitojë Pensilvaninë me 20 votat e saj. Por Pensilvania nuk ka votuar për republikanët që nga koha e Reganit dhe për momentin Klinton udhëheq aty me 3.4%. Shpresat e Trampit janë te fakti që Pensilvania është shtet fqinj dhe i ngjashëm me Ohajon, me plot vota të shtresës së mesme dhe të varfër të bardhë. Logjikisht nëse këta janë të motivuar të dalin në zgjedhje për të ndërruar status-quonë, fitorja mund t’i takojë Trampit.

Skenari 2. Mundësia tjetër për Trampin është të fitojë në Ajova, Nevada dhe Nju Hempshër.Ky skenar duket më real se ai i Pensilvanisë. Në Ajova Tramp udhëheq me 3.4%, në Nevada me 0.1%, ndërsa në Nju Hempshër përparësi ka Klintoni me 1.9%. Por anketat në Nju Hempshër kanë shkuar duke u afruar, ndësa në të kundërtën problem për Trampin në Nevada mund të jenë votuesit e hershëm latinë, që poashtu kanë votuar atje në masë të madhe.

Skenari 3. Nëse dështon në Pensilvani, Nju Hempshër dhe Nevada (Ajovën e llogarisim si relativisht të sigurtë), gjasat e Trampit bëhen tejet të vështira. Atij do t’i duhet të fitojë në Miçigan (ku kryeson Klinton me 4.1%), apo me ndonjë kombinim të Uiskonsin (Klinton +4.3%), Minesota (Klinton +4.9%) dhe Kolorado (Klinton +3.1%). Të gjitha këto janë shtete që janë territor i Klintonit dhe pjesë e “murit të kaltër” demokrat, vende që me përjashtim të Kolorados nuk kanë votuar për republikanët mbi 30 vite me rradhë. Megjithëse teoretikisht i mundshëm, ky skenar duket më së paku real.

 

Gjasat reale të Trampit. Klinton vazhdon të mbetet favorite për presidencën, por ka mospajtime sa është e sigurtë fitorja e saj. Disa prognozues si Hafington Post apo PEC i japin shanse mbi 90%. Nëpër bastore gjasat e saj i llogarisin me 85%. Më konzervativ megjithatë mbetet prognozuesi më relevant, projekti 538. Sipas tij gjasat e Klintonit janë 65%, e Trampi vazhdon të mbetet në lojë me 35%.

Trendi real i garës do të kuptohet herët në mbrëmjen e 8 nëntorit, kur mbyllen vendvotimet në pjesën lindore të SHBA-ve. Nëse Tramp ka humbur në Florida, Karolinë të Veriut ose Ohajo, Klinton mund të shpallet presidente shumë herët.

Nëse Tramp megjithatë mbijeton në këto shtete, një orë më vonë do nisin të shpallen rezultatet nga brendia, në Pensilvani, Uiskonsin e Miçigen. Nëse Tramp korr sukses në njërin prej këtyre shteteve, do duhet të pritet deri natën vonë, kur të fillojnë të vijnë raportet nga perëndimi. Sytë do jenë të kthyer sidomos nga Kolorado e Nevada.

Sido që të jetë fitorja e Klintonit nuk duhet assesi të merret e sigurtë, siç ishte ajo e Obamës ndaj Mekejn në 2008. Klinton është favorite, por Tramp akoma është në lojë.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button