HUMNERA E BORXHEVE: A e dimë të vërtetën për të gjitha borxhet?

Prej janarit deri në shtator, borxhi publik është rritur për më shumë se gjysmë miliardë euro. Në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, niveli i borxhit publik arriti vlerën prej 4 miliardë e 750 milionë euro apo 50,6 për qind të Prodhimit të brendshëm bruto (PBB), shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Sipas të dhënave të Ministrisë për Financa, rritje ka edhe te borxhi shtetëror, i cili prej 37 për qind të PBB-së në tremujorin e dytë, tani është rritur në 41,9 për qind.

(Pa)qëndrueshmëria e borxhit publik…

Niveli aktual i borxhit pubik është më i larti që është matur deri tani dhe kjo shkaktoi reagime të shumta në qarqet ekonomike dhe ato politike. Ua përcjellim në mënyrë integrale një pjesë të këtyre qëndrimeve.

Тоme Nenovski, profesor universitar:

“Borxhi publikon ndryshon, zvogëlohet ose rritet, varësisht nga madhësia e borxheve të shtetit. Informata më e re për nivelin e borxhit, të cilën e publikoi Ministria për Financa, është rezultat i borxhit të cilin e krijoi shteti para disa muajsh me emetimin e eurokambialit të ri. Ne tani, në këtë mënyrë e tejkalojmë kufirin të cilin disa e quajnë “kufi psikologjik”, ndërsa nga ana tjetër, për një ose dy muaj shteti duhet të kthejë ndërmjet 150 dhe 160 milionë euro jashtë vendit si rezultat i pagesave të maturuara dhe me këtë përsëri do të kthehemi nën “kufirin psikologjik” prej 36% deri në 47%. Sa i përket borxhit publik, nuk ka ekonomist që do t’u thotë, gjegjësisht që do të japë vlerësim se a duhet të rritet ai apo duhet të zvogëlohet, nëse ai shfrytëzohet për qëllime produktive, gjegjësisht për përparimin e gjendjeve në ekonomi dhe për ofrimin e mundësisë për ekonominë që t’i kthejë paratë e investuara nëpërmjet rritjes së PBB-së, gjegjësisht për krijimin e vlerës së shtuar që të mund të kthehet ai borxh në periudhën e ardhshme, dhe kuptohet, që të mund të bëhet një konsolidim fiskal në vitet e ardhshme dhe për këtë Ministria për Financa duhet të bëjë një strategji adekuate. Në suaza botërore, madhësia e borxhit publik në një farë mënyre matet me madhësinë e kursimit nacional.” shprehet për Portalb.mk Nenovski.

Маrjan Petreski, profesori universitar:

Marrja e huasë nga tregu ndërkombëtar nëpërmjet eurokambialit në vlerë prej 450 milionë eurosh. Problemi nuk qëndron te lartësia e borxhit, por për se është i dedikuar ai, gjegjësisht shpeshherë këto mjete shpenzoheshin për alimentim të nevojave aktuale, gjegjësisht për pensionet dhe ndihmat më të larta sociale. Kjo është vija e paqëndrueshmërisë së borxhit publik. Pres që pas zgjedhjeve, të ndodhë një vetëdijësim, pa marrë parasysh se kush do ta formojë qeverinë, gjegjësisht vetëdija për fluskën fiskale apo fluskën e borxhit publik do të jetë e lartë dhe do të udhëhiqet një politikë e stabilizimit të borxhit publik rreth nivelit aktual dhe do të merren hua vetëm për qëllime të caktuara. Këtë e them nga shkaku se të dyja kampet politike gjatë periudhës parazgjedhore japin premtime nga më të ndryshmet, mirëpo do të ishte mirë që t’u tregojnë qytetarëve se si do t’i financojnë këto shpenzime, që të arrihet qëllimi i stabilizimit të borxhit”, shprehet për Portalb.mk Petreski.

Vanço Uzunov, profesor universitar:

“Produktiviteti zvogëlohet, ndërsa pensionet dhe rrogat rriten. Kjo nuk ka mundësi të mos rezultojë me rritje të borxhit, dhe ky është ai “borxh i hapur”, për të cilin për çdo ditë shohim të dhëna se është duke u rritur. Pjesa e dytë është “borxhi i fshehur”, që i përfshin efektet të cilat ne tani aspak nuk i shohim, ato janë të gjitha subvencionet e paguara, vendet e reja të punës, prodhimtaria bujqësore, e cila shënon rënie e rritje, gjegjësisht rritet importi i ushqimit, dhe shpenzime të tilla të tjera të fshehta, të cilat kur do të hapen në të ardhmen do ta rrisin edhe më shumë borxhin e Maqedonisë, dhe gjendja do të jetë edhe më dramatike. Prandaj, niveli i borxhit publik më nuk është i qëndrueshëm dhe ne e kemi kaluar vijën e kuqe që moti. Shikuar mekanikisht, vetëm si numër, ne akoma bëjmë pjesë në grupin e ekonomive me nivel të matur të borxhit, mirëpo nëse analizohet sipas kapacitetit të ekonomisë për t’i kthyer këto borxhe, ne që moti jemi tepër të ngarkuar me borxhe, për shkak se këto para janë marrë si hua, mirëpo nuk janë shpenzuar për qëllime dhe objekte që në të ardhmen do ta rrisnin konkurrencën, e me këtë edhe aftësinë e ekonomisë për t’i kthyer borxhet në të ardhmen.” shprehet për Portalb.mk Uzunov.

Ministria për Financa:

“Në përputhje me Eurostatin, borxhi shtetëror i Maqedonisë është ndër më të ulëtit në Evropë. Është dyfish më i vogël se mesatarja evropiane, ndërsa në rajon vetëm Bullgaria ka borxh më të vogël se sa Maqedonia. Kështu, nëse borxhi shtetëror i Maqedonisë pas emetimit të eurokambialit është 41,9 për qind, i Malit të Zi është 61,8 për qind, i Shqipërisë 69,8 për qind, i Serbisë 71,9 për qind, i Sllovenisë 82,3 për qind, i Kroacisë 84,5 për qind, ndërsa i Greqisë 179,2 për qind. Dy miliardë euro ose pothuajse gjysma e borxhit të shtetit janë lënë nga qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja – për të cilat projekte kapitale janë shpenzuar këto kredi. Kjo qeveri mori kredi prej 350 milion eurosh nga BEI që t’i mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në një kohë kur ka krizë botërore ekonomike. Merr kredi që ta ndërtojë infrastrukturën e vendit, të ndërtojë tre autostrada, ta rikonstruojë dhe ta ndërtojë hekurudhën në të cilën nuk është investuar me dekada, të ndërtojë spitale, shkolla, çerdhe. Të gjitha këto janë të mira kapitale që krijojnë vende të reja të punës, e shtyjnë ekonominë përpara dhe krijojnë vlera të përhershme për qytetarët. Nga ky aspekt, pse gjithmonë kur LSDM-ja flet për borxhin shtetëror harron ta përmendë faktin se gjatë këtyre dhjetë viteve, PBB-ja, si faktor më i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, është dyfishuar.

Dragan Tevdovski, profesor universitar, LSDM:

“Brengosëse është shpejtësia me të cilën pushteti aktual e rrit borxhin. Borxhi për krye banori sot është 2.350 еuro dhe ai është për tre herë më i madh se sa në vitin 2008 kur ishte 750 еuro për krye banori. Në periudhën prej vitit 2008, pushteti aktual e fut në borxh Maqedoninë me nga 1 milionë euro në ditë, gjegjësisht e fut në borxh çdo banor mesatarisht me nga gjysmë euro në ditë. Sivjet, në vitin 2016, tempoja e marrjes së huave është edhe më e fuiqshme dhe është pothuajse 2 milionë euro në ditë, gjegjësisht nga 1 еuro për krye banori. Aq më tepër, borxhi publik është më i madh se sa ai që e tregojnë numrat e Ministrisë për Financa, për shkak se ato nuk e përfshijnë borxhin e Bankës Popullore, borxhet e pagarantuara të ndërmarrjeve publike dhe obligimet që i ka marrë përsipër shteti, mirëpo të cilat nuk janë paguar. Qëllimi ynë është të heqim dorë nga shpenzimet joproduktive për fasada, përmendore dhe për ndërtesa administrative. Nuk do të lejojmë që përfaqësuesit e qeverisë të përdorin nga 5 vetura të administratës, por përkundrazi deri në punë do të shkojnë dhe prej pune do të kthehen me veturën e tyre personale, sikurse edhe çdo i punësuar në këto institucione”. shprehet për Portalb.mk Tevdoski.

Me rastin e publikimit të të dhënave të reja të reviduara për pritjet ekonomike për këtë vit dhe për vitin e ardhshëm, në pyetjen për ta komentuar borxhin publik, guvernatori Dimitar Bogov, shkurtimisht u përgjigj se nevojitet konsolidim i shpenzimeve publike. / Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button