Boshkovski, Georgievski dhe Angellov me “VMRO për Maqedoninë” kundër VMRO – DPMNE-së

Tre partitë më të vogla opozitare nga blloku i djathtë maqedonas para zgjedhjeve vendosën që të bashkohen nën moton “VMRO për Maqedoninë” të udhëhequr nga tre liderët, Georgievski, Boshkovski dhe Angellov. Kryetari i VMRO-Popullore, njëherë edhe lider i parë i partisë në pushtet VMRO-DPMNE, Lubço Georgievski, theksoi se asnjëherë në Maqedoni nuk ka qenë moment më i përshtatshëm për të ashtuquajturën “Opsioni I Tretë”, raporton TV21.

“Opsioni i tretë, blloku i tretë është më se i nevojshëm në këtë kohë të rëndë dhe kohë krize për Maqedoninë. Për koalicionin “VMRO për Maqedoninë” do të bëni gabim të madh nëse e shikoni përmes prizmit të LSDM-së, e gabim edhe më të madh nëse e shikoni përmes prizmit të VMRO-DPMNE-së. “VMRO për Maqedoninë” është ideja e tretë autoktone, për atë edhe u  bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të dëshpëruar të VMRO-DPMNE-së përsëri të gjejnë VMRO-në burimore tek ne, por edhe njerëz tjerë nga blloku i majtë”, tha Georgievski. 

Kryetari i partisë “Të bashkuar për Maqedoninë”, Lube Boshkovski, njëherit edhe ish-anëtar në VMRO-DPMNE, tha se ky bllok i duhet Maqedonisë, sepse vendi është rrezikuar nga pushteti.

“Për herë të tretë bashkohemi, bashkohemi për Maqedoninë, këtë herë të udhëhequr nga zotëri Georgievski në një fitore të re. Shumica do të kishin pyetur pse është e nevojshme kjo për Maqedoninë? Por a nuk është Maqedonia nën rrezik, a nuk janë rrezikuar të drejtat dhe liritë e njeriut, a nuk janë rrezikuar themelet e VMRO-DPMNE-së dhe janë vendosur në rend të dytë para interesave tjera personale?”, theksoi Boshkovski. 

Gjenerali Stojançe Angellov deklaroi se ndjehet i nderuar të bashkëpunojë me ish – kryeministrin Georgievski, në kohën e të cilit , siç tha ai, më së mirë është jetuar.

“Thellë në vete dhe krahas të gjitha kontroverseve besoj se të gjithë së bashku, me ish kryetarin tim nga 2001, me ministrin tim nga 2001, do të rrëzojmë regjimin e Nikolla Gruevskit, i cili morri guximin ti padisë invalidët e luftës dhe ushtarët e ndjerë”, tha Angellov. 

Qëllimet kryesore strategjike, siç edhe theksuan tre liderët janë demokratizimi i Maqedonisë, sundimi i ligjit me prokurorë të pavarur dhe gjyqësi të pavarur, si dhe përparim ekonomik në strukturat euro – atlantike. Ata dëshirojnë që të mposhtin, siç thanë, udhëheqësinë e korruptuar të VMRO-DPMNE-së dhe të kthejnë bërthamën e vjetër partiake. Në fazë marrëveshjeje është edhe lista e deputetëve nga ky koalicion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button