FBI dhe Klinton: Padi, burg apo humbje të presidencës?

Nga shtetet kyçe Tramp ka kaluar në avantazh në Florida dhe Ajova, ka fortifikuar Ohajon dhe është barazuar në Nevada. Nëse shembet “muri i kaltër demokrat” në Pensilvani, Uiskonsin apo Miçigen, Tramp bëhet kryetar.

E-mailat e Klintonit. Gjatë kohës kur ka qenë sekretare shtetërore Klinton ka refuzuar të përdorë e-mailat dhe serverët zyrtarë të departamentit të shtetit. Në vend të tyre ajo ka përdorur e-maila dhe serverë privatë, kinse për lehtësi që mos të përziejë emailat privatë me ata zyrtarë.

Mu për këtë ajo ka qenë në shënjestër së pari të kundërshtarëve politikë republikanë, e pastaj edhe të FBI-së. Sipas tyre Klinton me përdorimin e e-mailave privatë ka rrezikuar sigurinë e shtetit, pasi si sekretare shtetit ajo ka patur akses dhe ka shkëmbyer informacione që mund të kenë qenë sekrete.

Klinton gjatë kohë ka mohuar se ka bërë shkelje të rregullave, duke pretenduar se e-mailat kanë qenë të natyrës private. Por e thirrur nga Kongresi që të dorëzojë këto e-maila, ajo gjatë kohë ka refuzuar, e në një moment ka shlyer një pjesë të madhe të e-mailave para se të dorëzojë të tjerët. E gjithë kjo ka qenë goditje për reputacionin e saj si kredibile dhe e besueshme, duke krijuar përshtypje se Klintonët mendojnë se rregullat nuk vlejnë për ta.  Duhet të thuhet se këto e-maila nuk kanë të bëjnë me e-mailat e Konventës Demokratike që i kanë hakuar rusët.

Hulumtimi fillestar i FBI-së. Hulumtimi i parë i FBI-së nuk e ka gjetur Klintonin ligjërisht fajtore për përdorimin e emailave privatë. Gjetjet i prezantoi drejtori Komi në korrik, kur deklaroi se Klinton nuk kishte shkelur ndonjë ligj, por ishte treguar tejet e pakujdesshme për postin që ka patur. Po këtë qëndrim ka mbajtur dhe Klintoni, e cila pranoi se ka bërë gabim që nuk do t’a përsëriste më, por nuk pranoi se ka shkelur ndonjë ligj. Me kaq konsiderohej se çështja e emailave të saj ka marrë fund, madje Komi u gjet nën shënjestër të republikanëve që e akuzonin se trajton Klintonin ndryshe nga çdo të trajtonte dikë tjetër.

Gjetjet e fundit – rihapja e investigimit. Por çështja megjithatë është rihapur një javë më parë. Shkas ka qenë hulumtimi i emailave të Antoni Uiner, një ish-kongresmen nga Nju Jorku i cili para do kohe dha dorëheqje pasi u kap duke shkëmbyer mesazhe perverse me një vajzë të mitur. Uiner është i martuar me Huma Abedin, bashkëpunëtore e afërt e Klintonit, madje e njohur si “vajza e dytë e Klintonit”. Tani del se Uiner ka komunikuar me email edhe me Klintonin, një tjetër mundësi që të ishin ekspozuar sekrete shtetërore ndaj sulmeve të hakerëve.

Këto gjetje të FBI përsëri vunë në plan të parë çështjen e kredibilitetit, ndershmërisë dhe pakujdesisë së Klintonit. Gjetjen e bëri publike drejtori Komi javën e kaluar. Ai tha se po rihap çështjen e emailave të Klintonit, madje duke lënë të hapur mundësinë që ajo të paditet nëse hulumtimi tregon shkelje të reja të ligjit dhe rregullave.

Efekti dhe reaksioni politik. Deklarata e Komit ka plasur si bombë në skenën politike, tani në drejtimin tjetër. Tani janë demokratët ata që akuzojnë Komin se merr anë dhe ndikon direkt në zgjedhje duke favorizuar Trampin. Madje ata bëjnë thirrje që ai të shkarkohet në rastin e parë pasi është republikan dhe bën lojë politike, edhepse është emëruar nga Obama. Republikanët ndërkaq kanë lavdëruar profesionalizmin e tij, megjithëse e shanin vetëm 3 muaj më parë.

E vërteta si zakonisht është diku në mes. Nga njëra anë Komi akoma nuk ka prezantuar ndonjë dëshmi të re se Klintoni ka shkelur ligjin, por vetëm ka shfaqur hamendje se hulumtimi mund të shkojë në këtë drejtim. Por pikërisht këtu qëndron faji i tij, sepse ka bërë publike një informatë që mund të ndikojë thellë në zgjedhje duke u nisur vetëm nga hamendja.

Nga ana tjetër e gjithë kjo çështje nxjerr në dritë pozitive drejtësinë amerikane, e cila përsëri po dëshmon se funksionon pavarësisht nga politika. Pra marrë parasysh se bëhet fjalë për një kandidate që lehtë mund të jetë kryetare e ardhshme, grua që ka qenë Zonjë e Parë, Senatore e Sekretare Shteti, ajo do të duhet të përballet me drejtësinë nëse vërtetë ka shkelur ligjin.

A mund të paditet dhe burgoset Klintoni dhe çka pastaj? Ligjërisht Klintonit nuk do t’i ndodhë asgjë para zgjedhjeve. Koha është tepër e shkurtër që FBI të përfundojë hulumtimin, lere më të paditet e gjykohet Klintoni. Mirëpo shtrohet pyetja çfarë do të ndodhë nëse Klinton zgjidhet presidente e pastaj konstatohet se ajo ka shkelur ligjin.

Në atë rast fjalën e ka Kongresi i cili mund të kërkojë impiçment të saj. Padia paraqitet para Gjykatës Supreme, e vetmja që ka të drejtë të gjykojë një President. Nëse impiçmenti ka sukses vendin e saj si President e merr nënkryetari. Pra megjithëse ky skenar është pak i mundshëm dhe supozon se Klinton është fajtore, SHBA-të mund të përfundojnë me Tim Kejn si President deri në vitin 2020.

Efekti politik. Sido që të jetë dosja e FBI ka ndryshuar shpejtë e shpejtë garën. Tabela më poshtë tregon se si ka ndryshuar gjendja për një javë. Nga përparësia komode e Klintonit është dashur vetëm një javë që gara të kthehet brenda margjinave të gabimit të anketave!

Modeli Klinton Tramp Diferenca Diferenca 28 tetor
RCP 46.6% 45.3% Klinton +1.3 Klinton +4.5
HuffPost 45.9% 40.4% Klinton +5.5 Klinton +6.4
538 48.3% 45.5% Klinton +2.8 Klinton +5.1

 

Shifrat totale tregojnë se Klinton nuk ka humbur përkrahjen e demokratëve, por të pavarurit e të pavendosurit po kthehen tanimë drejt Trampit.

 

Shtetet kyçe. Për fund dhe më me rëndësi ja si duket tani gara në shtetet kyçe:

Shteti Diferenca sot Diferenca 28 tetor
Florida Tramp +0.3 Klinton +1.5
Ohajo Tramp +2.5 Tramp +0.7
Pensilvania Klinton +3.5 Klinton +5.7
Virxhinia Klinton +4.4 Klinton +7.8
Nevada Klinton +0.1 Klinton +2.2
Ajova Tramp +3.3 Baraz

 

Tramp tani ka kaluar në avantazh në Florida dhe Ajova, ka fortifikuar Ohajon dhe është barazuar në Nevada. Ndërkaq “muri” i Klintonit po bie në Pensilvani dhe Virxhinia. Nëse muri i saj shpërthen në Pensilvani, apo edhe në Uiskonsin e Miçigen, Tramp lehtë mund të bëhet president.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button