ARTISTI TOTAL

Miftar Memetin e njoh nga viti 1991, kur bashkë me disa miq e përgatitëm dhe e vumë në skenë dramën “Nita” të Josip Relës, për nevojat e së cilës ai vizatoi Kalanë e Shkodrës në pëlhurën prej 100 m2.

Me kontribute konkrete ai ishte pjesë e çdo aktiviteti kulturor (akademi solemne, mbrëmje poetike, përurime veprash, simpoziume…), në organizim të Klubit letrar të qytetit, Shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë, Lidhjes së arsimtarëve të Gjuhës dhe letërsisë shqipe…

Më vonë, kur filloi botimi i revistës “BREZI 9”, si bashkautorë botuam veprën e ilustruar mbi humanisten shqiptare: “Nënë Tereza për të varfërit”. Ky projekt u bë sebepi i ciklit të portreteve të shenjtores, që mikut tim ia dhanë epitetin: Piktori i Nënës Terezë.

Miqësia jonë u forcua në vitet kur punonim bashkë në gjimnazin e Tetovës, në veçanti, gjatë udhëtimeve 20 vjeçare nëpër bjeshkët e Sharrit, Malit të Thatë dhe Korabit.

Në aventurat tona kemi luajtur nganjëherë si fëmijë; kemi kënduar e vallëzuar maje shkëmbinjsh; kemi xhiruar skena plot humor të improvizuara aty-për-aty; kemi ecur mijëra kilometra, ndoshta aq sa duhej për t’i rënë rruzullit tokësor përreth; kemi fjetur në majat më të larta të Sharrit; e kemi pritur Vitin e ri në stane çobenjsh; kemi festuar në bjeshkë Natën e Shëngjergjit, në kohë me shi dhe furtunë të paparë; jemi ngjitur në kulm dimri në maja kodrash të pjerrëta dhe të rrezikshme; kemi fluturuar me aeroplan special për ta shijuar magjinë e maleve nga perspektiva e zogjëve; kemi bërë shumë aventura, disa herë edhe të rrezikshme, duke sfiduar vetveten dhe duke njohur forcën e fshehtë të instinktit të mbijetesës. Në një rast të tillë Miftari më tha seriozisht: Do të ishte mirë sikur njëri prej nesh të ishte pak më i mençur.

Gjërat që kemi bërë, mbase e kalojnë kufirin e normales, ama edhe kemi punuar pareshtur, secili në fushën e vet, duke mos lejuar që pasioni i bjeshkës të dalë mbi profesionet tona.

Ndonjëherë i kemi përzier kësulat dhe kemi polemizuar zëshëm për tema të mprehta, pa lënduar pakthyeshëm njëri-tjetrin, me gjasë pse e kemi ngrënë bashkë atë thesin e kripës, që ne shqiptarët e konsiderojmë barometër të miqësive të shëndosha.

Si njeri Miftari është i ndershëm, i matur, i kujdesshëm dhe rrallë me disponim ters. Në rastet kur ndonjëri rastiste pa qejf, ecnim spontanisht në distancë të mjaftueshme, për t’i krijuar tjetrit mundësinë e pajtimit me vetveten.

Edhe si profesor dhe koleg Miftari është shembullor. Ai është arkiv i gjallë i vendlindjes, ku ruhen të freskëta kujtimet për njerëzit, ngjarjet, mënyrën e jetës, dasmat, vdekjet, tragjeditë, çapkanllëqet fëmijërore, adetet, zakonet, përrallat, këngët e moçme, anegdotat… dhe gjithçka që ka parë, ka dëgjuar dhe ka ndjerë me shqisat e tij. Në shpirtin e piktorit vazhdojnë të jetojnë më të dashurit që kanë ikur nga kjo botë, veçmas gjyshi Zulbehar – dobësia e Miftarit, lejenjoftimi dhe pika më referenciale e tij. Të gjithë ata janë të gjallë në muhabetet mbresëlënëse të shokut tim.

Miftari më ka folur shpesh për pasionet e fëmijërisë, kur gdhendte figura në dru, ndërtonte saja, vizatonte për vete dhe për shokët e klasës. Gjatë rinisë së hershme kendonte e fishkëllente bukur, luante valle nëpër dasma, i binte fyellit si virtuoz …, kurse si student u dashurua në kitarë, dëgjonte shumë rok, pikturonte dhe studionte me pasion historinë e artit.

Miftari e ka dashur shumë muzikën, ndoshta më shumë se pikturën që zgjodhi për profesion. Ai ka shije shumë të stërholluar muzikore.

Te figura e tij unë i shoh të ngjizura tiparet e bukura të malësorit të fisëm dhe intelektualit të kohës sonë, e shoh të shkrirë në një mjeshtrin e klasikës dhe atë të artit modern. Për mua Miftari është artist total, është miksim i arteve lëvizëse, është sinkretizmi ku bashkëjetojnë piktura, muzika dhe vallja. E them këtë, sepse ai në cilëndo pej këtyre sferave do të korrte sukses të lakmueshëm, pa asnjë dyshim.

Çfarë të them tjetër për këtë njeri me shpirt artisti, i cili në aktin e hapjes së ekspozitës së pardjeshme në Shkup, na e mundësoi shijimin e pikturave plot lirikë, e tingujve magjikë të kitarës dhe zërit të tij, të shoqëruar nga zëri i bukuri i së bijës Drenushë Palloshi, që është dëshmi se dardha ndër dardhë bie.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button