АNALIZË: Të varfër mirëpo në shoqëri elitare?

Maqedonia – një nga top vendet reformatore me klimë cilësore për biznes apo vetëm matje normative që tregon se ekonomia ka përparim formal, mirëpo jo edhe thelbësor? Kjo dilemë u hap përsëri, pasi Banka Botërore e publikoi rangimin e sivjemë të “Doing bussines”, në të cilën përparuam për dy vende dhe jemi në pozitën e 10-të, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Si ka mundësi që vendi ynë të jetë më i mirë se sa Gjermania e zhvilluar, ose se sa Kina në lindje?

Vend top reformator me varfëri të thellë…

Nga vendet që u gjendën në dhjetëshen e parë në rang listën e “Doing bussines”, Maqedonia është ekonomia e vetme që është në zhvillim, të giitha vendet e tjera janë tashmë të zhvilluara, si për shembull, Suedia, SHBA-të, Britania e Madhe, Norvegjia, Danimarka. Pas nesh, sipas këtij rangimi janë Gjermania dhe, për shembull, Kina në lindje. Kjo matje, sipas një pjese të ekonomistëve dhe biznesmenëve, është formale, mat përparimin në aspekt të ligjeve, mirëpo jo edhe zbatimin cilësor të ligjeve, dhe për këtë arsye nuk jep pasqyrë reale për gjendjen e vërtetë me klimën e biznesit.

“Vlerësimi i reformave të realizuara sipas këtij raporti nuk është asgjë tjetër përveç se një vlerësim sa i përket përmirësimit të rregullativës juridike dhe kushteve për fillimin e biznesit. Në këtë drejtim, lirisht mund të themi se Maqedonia nga aspekti i përmirësimit të rregullativës ligjore ka bërë hapa adekuatë që i mundësojnë vlerësim dukshëm më të mirë. Nga ana tjetër, për shembull, gjendja jostabile politike nuk është kriter në këtë raport, e sikur të ishte, efektet reale nga vlerësimet e këtilla do të ishin të paaarritshme.  Konsideroj se raporti është shumë larg gjendjes reale me të cilën ballafaqohet komuniteti afarist. E se gjendja nuk është e shkëlqyeshme dhe se nuk përputhet me realitetin mund të shihet nëse analizohet se cilat vende janë pas nesh, si për shembull një Gjermani”, deklaroi para do kohësh për “Portalb”-in, ekonomisti Arben Halili, transmeton Portalb.

Sipas analistit Branimir Jovanoviq, raporti që e rangon Maqedoninë si vend “top reformator” në botë është në kundërshtim me realitetin në ekonomi.

“Këtë raport e konsideroj kontraverz për shkak se nuk është e qartë se a përputhet me misionin e Bankës Botërore, i cili ka për qëllim çrrënjosjen e varfërisë. Sipas meje, ka disa pika problematike. Njëra prej tyre është se indikatorët sipas të cilëve bëhet rangimi i masin aspektet juridike, gjegjësisht kanë të bëjnë me anën “de jure”, e jo me atë “de facto”. Kjo do të thotë se implementimi, gjegjësisht zbatimi i kësaj rregullative nuk është përfshirë në raport. Kjo do të thotë se ndonjë vend mund, në aspekt formal-juridik, të ofrojë procedura të shpejta për hapjen e një firme, mirëpo është çështje tjetër se si funksionon kjo në praktikë”, thotë analisti ekonomik.

Sipas qeverisë, përparimi në raportin e sivjemë është vërtetim për politikat e suksesshme dhe mirënjohje për reformat e zbatuara.

“Ky është rezultat që del nga përkushtimi i madh dhe mundi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, të gjithëve që ishin dhe janë të angazhuar për politikat ekonomike, që punuan dhe punojnë për zbatimin e një sërë reformash me qëllim që të pëmirësohen kushtet për punë për kompanitë e vendit dhe të huaja në vend. Republika e Maqedonisë është ranguar në vendin e pestë në Evropë, e para nesh janë vetëm Danimarka, Norvegjia, Britania e Madhe dhe Suedia”, deklari zëvendës-kryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski.

Prapa përparimit të këtillë, sipas ministrit për financa, Minovski, qëndrojnë sukseset e arritura edhe në politikën tatimore edhe në atë administrative, përcjellë Portalb.

“Duke iu falënderuar reformave të vazhdueshme dhe insistimeve për përmirësim të vazhdueshëm, sot në Maqedoni biznesi zhvillohet më shpejtë dhe më lirë në krahasim me periudhën para dhjetë vitesh ose në krahasim me procedurat aktuale në vendet e Evropës, Azisë Qendrore dhe vendeve të OECD-së. Kështu, sot në Maqedoni paguhet përqindje tre herë më e lirë efektive tatimore, tre herë më shpejtë importohet dhe eksportohet malli, me ç’rast eksporti është dyfishuar, e poashtu është zvogëluar edhe deficiti tregtar”, theksoi ministri për financa, Kiril Minoski.

Për fillimin e biznesit vendi është ranguar në vendin e 4, ndërsa sa i përket procedurave për nxjerrjen e lejeve për ndërtim në vendin e 11-të. Sa i përket kriterit “furnizim me rrymë” gjendemi në vendin e 29-të, kurse për “regjistrimin e tokës” në vendin e 48-të. Sipas kriterit “miratimi i kredive”, vendi ynë gjendet në vendin e 16-të. Маqedonia prej vitit 2006 deri tani, për çdo vit shënon përparim në këtë rang listë, kështu që nga vendi i 94 në vitin 2006, sot gjendet në vendin e 10-të.

Sipas zëvendës-ministrit plotësues për financa, Kire Naumov, matja normative e Bankës Botërore nuk do të thotë se vendi është në grupin e ekonomive më të suksesshme.

“Doing bussines i sheh vetëm masat normative, domethënë çka keni bërë në aspekt normativ, ligjor, a keni pasur ndonjë përparim në këto masa normative. Nga ana tjetër, Banka Botërore poashtu kishte një raport që kishte të bëjë me Republikën e Maqedonisë, ku kishte shumë kritika, para së gjithash në zvogëlimin e investimeve private”, deklaroi Naumovi.

Edhe një pjesë e biznesmenëve e potencuan përparimin normativ që e mat ky rangim, mirëpo jo edhe pëmirësimin cilësor të klimës për biznes.

“Nga aspekti i infrastrukturës, me të cilën kompanitë përballen për çdo ditë, ne gjithmonë insistojmë që këto investime të orientohen për përmirësimin e kushteve për biznes”, thotë kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha.

Përderisa “Doing bussines” na rangon lartë, në “dhjetëshen” e parë, nga ana tjetër vendi ynë është në grupin e atyre që kanë numër më të madh të njerëzve të varfër, gjegjësisht çdo i katërti jeton nën kufirin e varfërisë, duke mos pasur mundësi që t’i plotësojë as nevojat themelore ekzistenciale. Sipas hulumtimit më të ri të Entit për statistikë, në Maqedoni, 444.500 qytetarë jetojnë nën pragun e varfërisë, me pesë dollarë në ditë, duke mos patur mundësi që t’i plotësojnë as nevojat themelore për jetesë. /Portalb

7 thoughts on “АNALIZË: Të varfër mirëpo në shoqëri elitare?

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP