Xhamia Hajdar Kadi e njohur si “Princesha e Ballkanit” së shpejti do të shkëlqejë

Xhamia Hajdar Kadi në qytetin e Manastirit në jugperëndim të Maqedonisë që kishte pozitë qendrore në periudhën osmane po i pret ditët për t’iu rikthyer bukurisë së mëparshme.

Restaurimi i xhamisë është kah fundi. Xhamia Hajdar Kadi e cila është ndërtuar në periudhën e Sulltan Sulejmanit mes viteve 1561 dhe 1562 nga Hajdar Kadi Efendiu nga popullata lokale është cilësuar si “Princesha e Ballkanit”.

Onur Attar, inxhinieri i ndërtimtarisë dhe njëherësh shefi i kantierit, në intervistën për gazetarin e Anadolu Agency (AA) tha se ka ngelur shumë pak kohë deri në përfundimin e restaurimit të xhamisë.

Duke rikujtuar se restaurimi i xhamisë filloi më 19 maj të vitit 2014, Attar tha se “Kur erdhëm në fillim, ky vend ishte në gjendje shumë të keqe. Kemi nxjerrë 50-60 kamionë mbeturina. Në çdo anë kishte gjësende të djegura. Aktualisht, 99 përqind e punës ka mbaruar”.

Attar tha se brenda xhamisë gjenden gurë varresh dhe epitafe të sjella nga objekte të ndryshme osmane që gjendeshin në vende të ndryshme të qytetit. Ai shtoi se këto relikte të ndara në qindra dhe mijëra pjesë janë bashkuar dhe forcuar me shkopinj fibrash karboni me ndihmën e ekspertëve dhe kanë formuar një “Muze Gurësh të Varreve” brenda oborrit të xhamisë.

Ai shpalosi detaje në lidhje me punimet e tjera në kuadër të restaurimit të xhamisë.

“Minarja ishte e thyer në bazë. Atë e bëmë sërish. Brenda kishte vizatime në mure. U gjetën vizatimet e vjetra dhe sipas saj u projektuan. Vizatimet e vjetra u rikthyen dhe mbaruan në këtë mënyrë. U rindërtua shatërvani, tualeti dhe oda e imamit”, tha Attar.

“Princesha e Ballkanit” 

Attar theksoi se qytetarët e Manastirit xhaminë Hajdar Kadi e kanë cilësuar si “Princesha e Ballkanit”.

“Me të vërtetë, proporcionet e xhamisë kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Gjithsecili që e sheh xhaminë thotë se ajo është shumë e bukur. Ne nuk e ndërtuam atë, por bëmë restaurimin dhe e rikthyem në gjendjen e mëparshme. Nuk dihet se kush e ka ndërtuar. Megjithatë, hulumtimet tona gjithnjë aludojnë në Mimar Sinanin. Në këtë drejtim, nuk gjendet ndonjë monument i këtillë në mesin e monumenteve të Mimar Sinanit. Aktualisht, xhamia është sjellë në gjendje shumë të ngjashme me të mëparshmen. Brezat e ardhshëm do të vazhdojnë ta shohin xhaminë në këtë formë”, tha Attar.

Sipas tij, në epitafin e xhamisë shkruan se ajo është ndërtuar mes viteve 1561-1562 nga Hajdar Kadi Efendiu dhe shumë gjetje kanë çuar drejt mundësisë që xhamia është ndërtuar nga Mimar Sinani.

“Xhamia është ndërtuar në kohën e Sulltan Sulejmanit, që do të thotë në periudhën e Mimar Sinanit. Veçanërisht kur shikohet xhamia, në fund të pjesës së dedikuar për xhematin shohim katër kolona. Në të gjitha xhamitë e ndërtuara nga Mimar Sinani, dy nga këto kolona kanë një ngjyrë, ndërsa dy të tjerat në mes ngjyrë tjetër. Edhe në këtë xhami janë në po të njëjtën mënyrë. Për më tepër, kur shikohen proporcionet, edhe po të mos keni njohuri rreth xhamisë, shihet se këto proporcione janë hartuar në mënyrë shumë të ndjeshme”, u shpreh Attar.

Qendër e tolerancës

Attar tregon se në kufirin e oborrit të xhamisë është ndërtuar një kishë e vogël përkujtimore nga një banor i krishterë maqedonas në lagje, duke shtuar se oborri është rrethuar me mur dhe nuk e kanë rrënuar këtë kishë dhe kanë lënë vend të posaçëm për të. Në këtë mënyrë, siç tha ai, qytetarët kanë dhënë vlerësime pozitive.

Më tej inxhinieri i ndërtimtarisë, Attar tha se në lagjen ku qëndron xhamia gjenden dy-tri familje muslimane.

“Në saj të dialogut të ndërsjellë, me ta kemi kaluar shumë mirë. Së bashku kemi festuar bajramet, kemi ndarë ashure dhe jemi miqësuar. Asnjëherë nuk kemi marrë ankesa. Gjatë ndërtimit të minares, u ngrit pluhur i madh. U frikuam se do të ankoheshin. Këtë punë e bëmë me dashuri, dhe pëqlimi i punës sonë nga të gjithë na ka gëzuar shumë. Qytetarët e Manastirit, qofshin muslimanë apo të krishterë, po flasin për xhaminë. Secili është duke folur fjalë të mira për këtë vend, gjë që na bën të lumtur”, theksoi Attar.​

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button