Vdes dijetari i madh i Islamit, shqiptari Shuajb Arnauti
Dje në moshën 88 vjeçare ka ndërruar jetë, Shuajb (Muharrem) Arnauti. Arnauti lindi në qytetin e Damaskut në vitin 1928.
Në familjen e tij, tradita shqiptare dhe kultura islame ishin gjithnjë të pranishme. Familja e Shuajbit shpërngulet nga Shkodra më 1926 dhe vendoset në Siri.
Ai mësoi nga i ati dijet elementare të islamit. Qysh i vogël mësoi përmendësh shumë pjesë nga Kur’ani, ndërsa dëshira për t’u thelluar edhe më tepër në sekretet e librit hyjnor e bëri atë që qysh nga mosha 17 vjeçare t’i përkushtohej mësimit të gjuhës arabe dhe gramatikës së saj.
Numri i librave që ka punuar vetë e me bashkëautorë, ose ka qenë mbikëqyrës i tyre, arrin në mbi njëqind e gjashtëdhjetë vëllime, në të cilat përfshihen libra në shkencat e hadithit, fikhut, tefsirit, akides, libra të përkthyer, etj, transmeton Telegrafi.
Shuajb Arnauti, edhe pse i lindur jashtë atdheut, e fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe. Kur përmendej Shqipëria ai thoshte: “Gjaku më lëviz ndryshe kur them se jam shqiptar, dhe se vet emri dhe nofka ime dëshmon se jam shqiptar”.