Rikonstruktimi i Teatrit Shqiptar, aktorët kërkojnë përgjegjësi nga Karaga

Një pjesë e aktorëve të revoltuar kërkojnë përgjegjësi nga drejtori i Tetarit Shqiptar Adem Karaga për shpenzimin e fondeve të parapara për rikonstruksionin e këtij institucioni. Aktori Ylber Murtezi i bën thirrje Karagës t’i bëjë publike të gjitha kontratat e firmosura dhe të japë llogari për paratë që janë shpenzuar deri më tani. Sipas Murtezit, i cili është anëtar në disa komisione të Ministrisë së Kulturës, Tetari shqiptar deri më tani ka harxhuar tre milion euro, ndërsa nuk është parë asgjë sa i përket ndërtimeve, njofton Alsat-M.

“Jam edhe në Ministrinë e Kulturës në disa komisione dhe e di se si funksionon atje Ministria e Kulturës transferon fonde në Ministrinë e Financave, Ministria e Financave në Teatrin shqiptar dhe tani flitet për tre milion euro dhe me ata tre milion e shoh se asgjë nuk punohet atje. Asgjë nuk i kushton drejtorit tonë të nxjerrë në sipërfaqe në tavolinë kontratat që janë bërë mjetet që janë lëshuar mjetet që janë pranuar dhe atëherë mendoj se puna do të jetë shumë e pastër , mirë por punët si po rrjedhin unë nuk e besoj as 2017 dhe as 2018”, deklaroi Ylber Murtezi, aktor.

Edhe Lëvizja për Reforma në PDSH ka kërkuar nga drejtori i Tetarit Shqiptar Adem Karaga të japë sqarime për paratë e shpenzuara.

“A thua vërtet është e paaftë administrata e Teatrit për të kryer këtë punë, apo Milevska paaftësinë e vetë e hedh te drejtuesi i këtij institucioni, Adem Karaga. Publiku i Teatrit të Shkupit endet nëpër teatrot maqedonase me vite duke pritur që shtëpia e tyre të rinovohet. Artdashësit shkupjan nuk e meritojnë këtë. Ata nga ana tjetër shohin një teatër maqedonas cili ka fasadën me punime prej ari, e këndej një rinovim zgjat me vite. A nuk është kjo diskriminim?!”, thuhet në reagimin e LR-PDSH-së.

Ndërkohë nga Ministria e Kulturës të kontaktuar nga Alsat për të dhënë sqarime për shpenzimet e deritanishme për rikonstruksionin, gishtin sërish e drejtuan te Teatri Shqiptar duke thënë edhe një herë se Ministria e Kulturës vetëm lëshon fonde për projektin në fjalë, ndërsa menaxhimin e bën vetë Teatri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button