Frikë nga një luftë civile në Ukrainë

E ardhmja e Ukrainës është në pikëpyetje, për këtë parlamentarët e BE janë të bindur. Disa kërkojnë sanksione, të tjerë duan ta mbështesin financiarisht vendin, në mënyrë që të nisin më në fund reformat politike.

Njëfarë paniku e ka mbërthyer BE kur mendon për Ukrainën. Kjo ndodhi edhe në rastin e debatit të Parlamentit Evropian të mërkurën pasdite (05.02.2014). Çfarë do të ndodhë po të mos zgjidhet së shpejti kriza politike? A do të shpërthejë atëherë lufta civile? Që tani vendi ndodhet para falimentimit financiar. Edhe vetë Rusia, tek e cila është orientuar presidenti Viktor Janukoviç, nuk pranon t’i paguajë kreditë e premtuara, për aq kohë sa vazhdon situata e pasqaruar.

Komisari i Zgjerimit të BE, Stefan Füle vërejti me seriozitet para parlamentit: “Në lojë nuk është vetëm respekti për të drejtat e njeriut, por edhe vetë e ardhmja e Ukrainës.” Deri në fund të Lojërave Olimpike të Dimrit në Soçi të Rusisë, besojnë shumë parlamentarë, nuk do të ketë zgjidhje të dhunshme, por për kohën më pas, askush nuk dëshiron të verë bast.

Pasaporta të BE-së për funksionarët

Përpjekjet evropiane për ndërmjetësim kanë dështuar deri tani para së gjithash, sepse Janukovici e konsideron BE-në të njëanshme. Sipas tij, BE-ja mbështet në mënyrë të njëanshme opozitën dhe demonstruesit janë rrëmujaxhinj, që nuk e respektojnë rendin shtetëror. Në këtë drejtim u pa edhe vizita më e fundit e së Ngarkuarës së BE-së me Politikën e Jashtme, Catherine Ashton në Kiev. Por për eurodeputetin gjerman, Elmar Brok është e qartë: “Jo demonstratat, por dhuna kundër tyre ishte shkaktare e krizës.” Brok është edhe kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe ka qenë kohët e fundit disa herë në Kiev.

Kërkesa për zgjedhje të reja dhe kushtetuta e vjetër

Deputetja e partisë ekologjist “Të Gjelbërit”, Rebecca Harms, që ka qenë gjatë dimrit katër herë në Ukrainë, kërkon kufizime të lëvizjes për anëtarë me poste të larta të qeverisë si dhe ngrirjen e pasurive të tyre. Edhe Brok mendon: “Përgjegjësit për tortura dhe arrestime duhet të llogarisin ndalim-hyrjeje ose bllokim të llogarive të tyre dhe të pasurisë që kanë në botën e jashtme. Por shefi i socialistëve në Parlamentin Evropian, Hannes Swoboda mendon se nuk ka ardhur koha ende për sanksione. Edhe shefi i liberalëve, Guy Verhofstadt dëshiron t’i japë edhe një shans Janukoviçit. Shumica e parlamentarëve kërkojnë së shpejti zgjedhje të reja, si për parlamentin, ashtu edhe për postin e Presidentit, dhe kushtetuta e vitit 2004 duhet të hyjë sërish në fuqi. Atëherë, parlamenti dhe qeveria kishin më tepër të drejta, presidenti më pak. (DW)?

Lajme të ngjashme

Back to top button