RILINDE A RILINDJE

“Ku shkon”?

“Shkova ta marr Rilinden”?

“Rilindjen?

“Rilinden, Rilinden…”

Nuk t’najva majr?

Shkova ta marr Rilinden, e përsëriti bashkëfshatari im fjalinë, kur e pata pyetur ku shkonte.

Interesant. Jo Rilindjen, po Rilinden shkonte ta marrë bashkëfshatari im. Më duhet të them se kjo mënyrë e shqiptimit të fjalës rilindje më nxiti, si njeri i cili e do gjuhën dhe si njeri që i “dëgjon” të gjithë tingujt e bukur e i sheh të gjitha ngjyrat e fjalës shqipe. Pse Rilinde? Kjo pse më ndoqi një kohë dhe në fund ia lash rastësisë këtë punë. Ku ta dish pse e ka shqiptuar bashkëfshatari im kështu dhe  me kohë harresa e vendosi këtë “ngjarje” diku në ndonjë kënd të thellë të ndërdijes.

Kalonin vitet dhe me to grumbulloheshin problemet jetësore: shkollimi i mëtejshëm, punësimi, jeta… Dhe, vala e jetës më hodhi në Bllacë të Prizrenit. Një fshat i jashtëzakonshëm. I bukur, ku epikja dhe lirikja janë gërshetuar në mënyrë të mrekullueshme: në një anë qëndron Ramë Bllaca që ka kaluar në lartësitë e mitit e të epikës me rezistencën e madhe që i ka bërë kralit kundër dëbimit të shqiptarëve në Turqi, në anën tjetër peizazhi i butë, blerina e pemishte ku vazhdimisht dëgjohet nga ndonjë këngë nga ato erotiket magjike “Moj e mira” e në mes të kësaj mrekullie qëndron madhështore me tërë shenjtërinë e saj gjuha shqipe. Ishte kënaqësi për mua t’i dëgjoja bisedat e njerëzve në një të folme mjaft të ndryshme nga e folmja e vendlindjes sime.

Një ditë, në një bisedë midis fshatarëve në shitoren e fshatit Duhël (fshat fqinj me Bllacën), dikush tha:

E kam lexu kta n’Rilinde

Edhe pse nuk isha pjesëtar në këtë bisedë, thuajse në mënyrë të pakontrolluar, ndërhyra në bisedë…

Ku e keni lexu kta? e pyeta.

N’Rilinde, tha  ky njeri në moshë me një ton që e bënte me dije atë vendosmërinë me të cilën dëshmohet e vërteta. Dhe, atëherë në kokën time u vu në lëvizje fjala rilinde, duke dalë nga shtresa e thellë e ndërdijes. Rilinde! Përsëri Rilinde. Pse edhe në fshatin tim të lindjes – Përshefcë, edhe në Bllacë të thuhet Rilinde, jo Rilindje.

Kjo fjalë Rilinde pa atë j-në e prapashtesës je nisi të më ndjekë duke mos më lënë të qetë me pyetje: Çfarë kanë këta njerëz që Rilindjes sonë i thonë Rilinde? Te dy njerëz nga dy fshatra që janë aq larg njëri-tjetrit, te dy njerëz që u takojnë dy të folmeve të ndryshme bie j-ja nga prapashtesa je. Pse?  Tashmë e kisha të qartë se nuk ishte fjala për rastësi, por kishte një arsye të fortë pse bie bashkëtingëllorja j nga prapashtesa je. Njerëzit, kjo ishte e qartë më, nuk mundnin ta shqiptonin këtë fjalë me  j-në në prapashtesë. Sigurisht kjo  j nuk rehatohej në gjuhën shqipe, në natyrën e gjuhës sonë, sigurisht ishte një trup i huaj në shtatin e saj.

Pastaj e bëra një anketë të vogël me njerëzit e këtyre anëve, në biseda spontane, duke i vënë në fokus fjalët: bindje, lindje, derdhje, vdekje. Nga të anketuarit “fitova” binde, linde, derdhe, vdeke. Përsëri  j-ja binte poshtë në të gjitha fjalët e anketës.

Përsëri ajo pse-ja më përsëdytej e më përsëtretej në kokë. Dhe… Dhe, përnjëherë m’u kujtua titulli “E mbsuame e kërshtenë” e Lek Matrangës. Ky autor nuk thotë mësuarje, por e mbsuame. Çfarë të bëhet tash? Kjo  e mbsuame e Matrangës u hapi shtegun emrave foljorë të vendlindjes sime, ku njësoj si Matranga nuk thuhet mcaumje (mësuemje, mësuarje), por e mcaume (e mësueme). Jo dalje, por e dalme, jo vdekje, por vdekë  (vdekje nuk ka as te çamët, por ka vdekël).  Me një fjalë prapashtesa je  është futur nga jashtë në gjuhën shqipe, është një barbarizëm. E kanë sjellë te ne rilindësit tonë të mirë duke u ngutur ta kemi gjuhën e shkruar, si një kusht themelor për ta bërë shtetin shqiptar. E mbsuame… Nyja e… Edhe greqishtja e vjetër e ka një nyje he para emrave. Dhe, kjo e jona do të jetë e lashtë si he-ja e greqishtes antike dhe do të ketë rrënjë indoevropiane. Kurse prapashtesa je duket se vjen nga sllavishtja: čekanje, bežanje, jutrenje, dolaženje etj.

Je-në e huaj, si prapashtesë, e kemi nga rilindësit, mirëpo rilindësit nuk kanë thënë që ne të flemë, por e kanë lënë me fjalë t’i herrim ferrat nga kopshti ynë i bukur që quhet gjuha shqipe.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button