Nis evakuimi i kampit të refugjatëve “Xhungël” në Francë

Ka nisur evakuimi i kampit të refugjatëve i njohur ndryshe si “Xhungël” që ndodhet në qytetin Calais të Francës, raporton Anadolu Agency (AA).

Dalëngadalë ka filluar zbrazja e kampit “Xhungël” në të cilin afërsisht 7-8 mijë refugjatë e përdornin si rrugë tranzitore për të kaluar në Britani të Madhe.

Qindra refugjatë të cilët ende pa u zbardhur dita filluan të braktisin tendat me valixhe në dorë, formuan radhë të gjata në hyrjen e qendrës së përkohshme të refugjatëve në afërsi të kampit.

Në ditën e parë të evakuimit, kampin po e braktisin refugjatë nga Sudani dhe Eritrea, ndërkohë që njoftohet se refugjatët afganë do të fillojnë të largohen nga dita e nesërme në mënyrë që të mos shkaktohet ndonjë zënkë.

Prefektja e Pas-de-Calais Fabienne Buccio, e cila ndoqi evakuimin nga vendi, tha se ka kohë të gjatë që kanë bërë përgatitje për evakuim dhe se tani çdo gjë po ecën në rregull.

Buccio tha se gjatë disa ditëve të fundit ka marrë informata se shumë refugjatë do ta braktisnin kampin dhe se rrjedhimisht ajo vetë që nga orët e para të mëngjesit ka pritur në qendrën e refugjatëve.

Duke folur për verifikimin e moshës së refugjatëve nën 18 vjeç që nuk kanë prindër, çështje kjo që zuri vend në shtypin britanik, Buccio tha se Franca po punon me shoqatat që i njohin refugjatët në lidhje me verifikimin e moshës.

“Nuk kemi ndonjë zbatim konkret për verifikimin e moshës së të rinjve nën 18 vjeç. Në këtë fazë, kemi biseduar me shoqata që i njohin nga afër refugjatët dhe jemi takuar me fëmijët. Mjafton që të bindemi në lidhje me moshën. Jashtë kësaj, nuk do të bëhet asnjë test”, theksoi Buccio.

Buccio nënvizoi se fëmijët pa prindër do të mbahen në vend tjetër nga refugjatët. Sipas saj, pas takimit mes ministrive të jashtme të Francës dhe Britanisë, fëmijët do të dërgohen në grupe prej dhjetë vetash nga qendra e përkoheshme e refugjatëve në qendra të ndryshme të vendit.

“Shumë refugjatë na thonë ‘Ju faleminderit. Jemi të lumtur që shpëtuam nga ky kamp’. Për këtë arsye, mendoj se ky operacion është shumë i dobishëm”, u shpreh Buccio, duke shtuar se refugjatët që kanë të afërt në Britani do të dërgohen atje, ndërsa ata që dëshirojnë të ngelin në Francë do të ngelin aty dhe do t’u jepet e drejta për azil.

– Prefektura thirrje gazetarëve: “Kini mirëkuptim”

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Francës Pierre-Henry Brandet, i cili po ndjek nga afër operacionin, tha se evakuimi ka rrjedhur në mënyrë të qetë siç edhe ishte pritur.

Brandet u shpreh se dje ishte deklaruar se numri i gazetarëve të akredituar është 400, mirëpo shifrat e fundit kanë treguar se gjithsej 700 gazetarë dhe teknikë kanë aplikuar në ministri për ta ndjekur evakuimin.

Shumë gazetarë që nuk kishin arritur të marrin akreditim, u vërejtën duke pritur jashtë zonës ku po kryhej evakuimi.

Në deklaratën me shkrim nga prefektura e Pas-de-Calais, kërkohet që gazetarët të kenë më shumë mirëkuptim në mënyrë që të lehtësohet procesi i evakuimit.

Sipas të dhënave që gazetari i AA-së i ka siguruar nga refugjatët, bëhet e ditur se refugjatët afganë kanë kërkuar që kampin ta lëshojnë gjatë ditës së nesërme, për shkak të përleshjeve të shpeshta që ata kanë pasur me refugjatët sudanezë.

Dalje nga kampi kanë bërë edhe fëmijët pa prindër të moshës nën 18 vjeçe nga Sudani dhe Eritrea.

Ndryshe, rreth 7-8 mijë refugjatët në kamp prej një javësh po përgatiteshin për evakuim. Ministria e Brendshme dhe prefektura e Pas-de-Calasi shpesh ishin takuar me përfaqësues të refugjatëve dhe u kishin përçuar informacione refugjatëve si në mënyrë direkte, ashtu edhe indirekte.

Shoqatat vullnetare dhe përfaqësuesit e refugjatëve kishin bërë të ditur se një pjesë e madhe e refugjatëve kishin pranuar të largohen nga kampi. Parashikimet kishin qenë që evakuimi do të realizohet në mënyrë të qetë.

Thirrje për evakuim refugjatëve u ishte bërë edhe në faltoret dhe xhamitë e ngritura në “Xhungël”.

Që nga dita e djeshme, refugjatët kishin filluar t’i prishin shitoret dhe restorantet në kamp dhe t’i djegin kabinat e tualeteve.

Në mënyrë që të mos ndodhë ndonjë provokim gjatë evakuimit, policia kishte marrë masë të rrepta sigurie dhe kishte sjellë rregullin e akdreditimit për gazetarët dhe vullnetarët.

– Refugjatët do të vendosen në 167 qendra refugjatësh në 80 rajone

Që nga orët e mëngjesit të sotëm, refugjatët kanë filluar të vijnë në një qendër të përkohshme prej tre mijë metrash katrorë e cila është shndërruar në një hangar të madh.

Refugjatët që vijnë në qendër, në etapën e parë do të ndahën në kategori, edhe atë familje, fëmijë, persona të vetëm dhe grupe të prekura, dhe çdo kategori do të vendoset në vende të ndryshme të qendrës.

Supozohet që numri i refugjatëve në kamp të ketë qenë shtatë mijë. Pas procedurave në qendrën e përkohshme të refugjatëve, ata do të dërgohen në rajone të ndryshme të vendit me 60 autobusë.

Ndërkaq, refugjatët për të cilët nuk do të ketë vend në autobusë, do të mund të kalojnë natën përkohësisht në qendrën e strehimit.

Nga ana tjetër, janë vënë në gatishmëri ekipet shëndetësore dhe autoritetet e sigurisë civile në qendrën e përkohshme të akomodimit menjëherë në afërsi të “Xhunglës”, për çfarëdo gjendje të mundshme.

Në ditën e parë të evakuimit nuk është paraparë rrënim. Megjithatë, duke filluar nga dita e martë, pas zbrazjes së kampit, do të fillohet me rrënimin e tendave dhe kontejnerëve.

Rrefugjatët që shkojnë në qendrën e përkohshme, do të dërgohen në 167 qendra refugjatësh në 80 rajone. Refugjatëve do t’u ofrohen dy rajone alternative dhe prej tyre do të kërkohet që ta zgjedhin njërën.

Në qendrat e refugjatëve do të ofrohen tri vakte ushqimore dhe shërbime shëndetësore.

Refugjatët që aplikojnë për azil në Francë, do të dorgohen në dy qendra të ndryshme, edhe atë qendra për familje dhe ajo e personave të vetëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button