Kulla unike e Alpeve, me 4 kate (FOTO)

Shumë kulla në Alpe, janë në këmbë dhe i kanë rezistuar kohës dhe ndryshimeve, ndërsa të tjera, janë ndërthurur me elementë të rinj, duke devijuar nga autenticiteti i tyre, shkruan gazetaexpress.com

Kulla që do ju tregojmë në dritare.net,  përveç unikalitetit si kullë e vetme 4 katëshe në të gjithë Alpet, ruan çdo element të traditës, brenda dhe jashtë saj.

Kjo kullë nuk njihet, nuk është promovuar, pasi do ishte një bujtinë e këndshme për shumë turistë që preferojnë natyrën alpine.

Kulla ndodhet në zonën e Nikaj-Mërturit. Nga Jezerca me 2694 m lartësi, shpërndahen si rreze ne drejtime te ndryshme, tri gjymtyre të mëdha malore. Një nga ato që ka drejtim jugor, porsa arrin në malin e Boshit, ndahet në dy kurrize malore me lartësi mbi 2000m mbi nivelin e detit, duke i lënë vend në mes komunës Lekbibaj, që njihet edhe me emrin Nikaj-Mërtur.

Për prejardhjen e emrit “Nikaj” thuhet se rrjedh nga i pari i tyre, i quajtur Nikë, që erdhi si bari nga Krasniqja, kurse Mërturi thuhet se është emër romak dhe ka ardhur nga Berisha në fshatin Mertur i Gurit, e prej atje në zonë dhe jashtë saj.

Në një fshat të quajtur Mserr, gjendet kulla më unike për nga lartësia, e cila të bie në sy dhe nga distanca të larta. Ajo është kullë 4 katëshe, për këtë meriton vëmendjen e parë.

E veçantë jo vetëm nga lartësia, por kjo kulle është e vetmja që ruan vlerat e mirëfillta të trashëgimisë kulturore. Ajo përmbante elementët folklorike, por edhe në arkitekturë, shtojcat e saj, ruajnë mirefilli traditën e ndërtimit. Kjo sepse, historikisht traditën e muratorit e kanë të trashëguar brez pas brezi. Të parët shquhen si mjeshtër të gurit dhe artizanatit. Ndërtonin vetë çdo orendi që i shërbente jetesës.

Çifteli, sharki, artet figurative të spikatura në objekte me vlerë, si djepi i fëmijëve e tavolina të ndryshme.

Katër katet e saj janë të ndërtuara me gëlqere, gur, dru dhe tra. Me 8 dhoma dhe 3 soba, një hapësirë e këndshme, e pastër, me aromë tradite.

Problemi kryesor i kësaj kullë është, mungesa e promovimit të saj si një shtëpi pritëse për turistët.

“Unë mund të pres 15-20 turistë, e këtë kullë dhe nuk e ndërroj me asnjë vend në botë. Është vuajtur shumë në ndërtimin e saj nga të parët e mi, e gjitha është bërë me dorë krahu. Dhe unë me ia kthye shpinën, mos e dhashtë Zoti. Gjyshi im ishte shumë punëtor. Ka marrë pjesë në ndërtimet e shumë shtëpive, zanatin e ndërtimit e kemi të trashëguar. Quhej Pal Zefi. Ishte mjeshtër i gurit dhe artizanatit.”-thotë i zoti i kullës për dritare.net.

Sot, ndërsa promovohen Alpet, flitet gjithmonë e më shumë për kullat-bujtina, por ato janë atraktive kur kanë edhe një histori për të treguar, kur ruajnë dhe tregojnë të gjithë traditën kulturorë, shpirtërore dhe ndërtimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button