Partia e re, Blushi: Projekt politik pas një ideje, jo pas një njeriu

Deputeti Ben Blushi e cilëson projektin e tij të ri politik si një shtëpi të hapur për të gjithë, duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e krijimit të përbashkët të partisë së re. Në një status në faqen e tij në “Facebook”, Blushi thekson se bashkë me kolegë dhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria do të krijojnë një projekt politik njerëzish të barabartë, që nuk shkojnë pas një njeriu, por pas një ideje, shkruan gazeta-shqip.com.

“Prej disa muajsh, bashkë me shumë kolegë dhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria, po përpiqemi për krijimin e një Projekti të ri politik. Ne duam t’i japim vendit një mjet më shumë në luftën kundër varfërisë, padrejtësisë dhe pabarazisë. Ajo që ëndërrojmë është një platformë lirie, e cila bashkon qindra mijëra vullnete njerëzish të zakonshëm, duke u krijuar atyre hapësirën e duhur për modernizimin e Shqipërisë. Deri më sot kemi patur parti, por nuk kemi patur platforma lirie. Kemi patur lëvizje, por nuk kemi patur zhvillim.

Kemi patur mendim, por nuk kemi patur ide. Kemi patur pluralizëm, por nuk kemi patur demokraci. Ne, një grup shqiptarësh të lirë, kemi vendosur të krijojmë diçka që nuk e kemi patur. Një projekt politik njerëzish të barabartë, që nuk shkojnë pas një njeriu, por pas një ideje. Duke ju kërkuar të bëheni pjesë, ju ftoj të gjithëve ta krijojmë bashkarisht këtë Projekt.

Secili është i lutur të më shkruajë: Çfarë do donit nga një organizatë politike? Si duhet të organizohet ajo? Cilat shtresa duhet të mbrojë? Në çfarë pikëpamjesh duhet të bazohet? Si mund të vetëkorrigjohet? Çfarë marrëdhëniesh duhet të ketë me partitë e tjera? Kush duhet të jetë pjesë e saj? Kush nuk duhet të jetë në asnjë rast pjesë e saj?

Nëse doni të krijoni një shtëpi të re, besoj se kjo është dita për të skicuar arkitekturën e saj. Nëse e keni për herë të parë, aq më mirë! Do të thotë se jeni më të përgatitur. Por edhe nëse nuk është hera e parë, prapë shumë mirë. Projekti ynë politik do të jetë një Shtëpi e hapur për të gjithë, për të gjithë ata që duan të shohin atë çfarë vjen dhe jo atë që ka ikur. E shkuara vlen vetëm kur përdoret nga e ardhmja!”, shkruan Blushi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button