Tempujt fetar, pse jo edhe vende të çështjeve publike/shoqërore!?

Atëherë kur Isau (a.s.) qe irrituar nga aktivitetet tregtare të bashkëvendësve të tij në Tempull, dhe kur atyre ua hodhi produktet për shitje, disa nga të pranishmit u hutuan nga gjesti i atillë! Misioni dhe mësimet e Isaut (Jezusit) kishin synimin që njeriun ta bëjnë atë që vërtetë duhet qenë. Me aktin e tij si një Profet, Isau (a.s.) tregoi dimensionin tjetër hyjnor se për çfarë në të vërtetë ai është dërguar në këtë botë.

Nëse vazhdojmë me vargun e Profetëve dhe arrijmë gjashtë shekuj më pas, do të shohim se misioni i Profetit Muhammed (a.s.) ishte universal, me këtë edhe tempulli mysliman (mesxhidi) është vend edhe për lutje, përkulje, mësim, edukim, por edhe për të shpreh urrejtjen ndaj dukurive dhe fenomeneve të shëmtuara të cilat ndonjëherë dinë ta kaplojnë shoqërinë, me qëllim që të njëjtat të pengohen. Dimensioni shoqëror i xhamisë asnjëherë nuk përkufizohej vetëm në lutje dhe falje, por aty gërshetoheshin edhe mendime dhe qëndrime të ndryshme për çështjet sociale, kulturore dhe shoqërore, e jo vetëm për ato të jurispodencës islame, apo të besimit/akides.
Tanimë ka disa dekada, madje edhe më tepër se një shekull, xhamitë janë shndërruar në vend vetëm të lutjeve dhe përkuljes (sexhdes)! Jo, assesi. Po që se do ta mbanim një qëndrim të këtillë, atëherë bëjmë zhveshjen e rolit të xhamisë nga tiparet shoqërore, si dhe nga dimensioni intelektual dhe ai politik.

Meqë roli i mësuesit është që ta udhëzojë dhe orientojë nxënësin në humanizëm, në të mirë dhe në dituri të mirëfilltë, atëherë edhe ligjëruesi i një tempulli fetar duhet t’i edukojë ithtarët e tij në atë që është aktuale për ta dhe që vërtetë ballafaqohet me të, si fatkeqësia dhe rreziku që i kanoset identitetit nacional e fetar të tij, si dhuna e terrori, korrupsioni e nepotizmi, prostitucioni intstitucional, shitja/blerja e votës, humbja e amanetit, devalvimi i vlerave morale, e një sërë probleme që qytetari ditë e më shumë ballafaqohet me të.
Nëse si detyrë e kemi marrë që të flasim vetëm për tema religjioze/fetare, e assesi me tema të karakterit publik, atëherë për çfarë shoqërie të pastër synojmë dhe në cilën Parajsë synojmë të hyjmë?
Thënia e Muhamedit (a.s.) “Nuk është nga ne ai që nuk interesohet për çështjet tona”, a nuk është premisë që duhet të ndërtohet veprimtaria e çdo myslimani në këtë shekull?!

Të dashur, Islami nuk është ‘fe tempull’, nuk është fe që rregullon vetëm raportet e njeriut me Krijuesin, por fe që rregullon raportet e njeriut me natyrën, me shoqërinë e me gjithçka që e rrethon.
Historikisht duke e ditur se organizimi religjioz ka qenë mbrojtja e vetme e shqiptarit të Maqedonisë nga asimilimi e nga presioni sllav, është e pamundur dhe e papranuar që sot në Maqedoninë post-moniste të mos flitet për çështje publike e për çështje me interes jetik për shqiptarin sot. Bërthama e komb- ndërtimit shqiptar ishte në një tempull fetar, që këtu, prijësit fetarë e kanë të pamundur që të jenë indiferent ndaj problematikave që ballafaqohet shoqëria/shqiptari i Maqedonisë sot.

Nëse prijësit si Ibrahim Dalliu, Vehbi Dibra, At Nikolla Marku, Gjergj Fishta, Molla Idriz Gjilani, haxhi Sabri Koci e shumë të tjerë, flisnin kundër regjimeve të kohës, qoftë kundër kohës së Mbretërisë Serbe, qoftë Jugosllavisë së Titos e qoftë kundër xhaxhit Enver, në ditë të sotme është shumë më lehtë sesa atëherë të flitet; normal shkalla e dhunës dhe e terrorit nuk është e njëjtë sikur në atë kohë, mirëpo ndjenja e përbuzjes dhe e nënçimit të shqiptarit është e njëjtë; e njejtë si në Jugoslavinë e Titos, e si në Shqipërinë e Enverit.

Fundja, nga prijësit (lexo:institucionet fetare) e mësuam se ‘E keqja duhet të ndalet me dorë, nëse nuk mundemi me dorë atëherë me gojë, e nëse edhe kështu nuk mundemi atëher me zemër, t’a urrejmë një send të tillë’; nga ata e mësuam, ndërsa institucionet fetare janë të fundit që flasin kundër të këqijave aktuale në ditë të sotme si, përsëris, nepotizmit, frika nga rrisku, prostitucioni intstitucional, shitjes/blerjes së votës, jocilësisë në arsim, për mësime ideologjike që na servohen nga librat, humbjes së amanetit, rëndësisë se votës, përzgjedhjes së emirit në Islam, korrupsionit/hajdutllëkut institucional..etc. Një pjesë bukur e mirë e këtij populli abrahamik ndihet paksa besa edhe i TRADHTUAR nga diskursi dhe nga ‘joaktualiteti’ i tyre, mirëpo ngelemi me shpresë se një gjë e tillë do ndryshojë.

Për fund, duhet të dinë besoj të gjithë, se religjioni është e do jetë pjesë e pandashme e jona, mirëpo ky besim i joni me shekuj konsiderojmë se duhet të kalon në një fazë tjetër tashmë, ka ardhur e po vjen një brez që nuk ngopet më me predikimet dogmatike, se Islami nuk është dogmë si Krishterizmi për ne, nuk ngopet me predikime rigjide, ‘kjo është e ndaluar e kjo është e lejuar’; ky brez dëshiron predikime që do na nxisin për të qenë aktiv në komunitetin ku jetojmë, mbi të jetuarit dinjitetshëm e të lirë, predikime që do na ndihmoni të çlirohemi nga kthetrat e regjimit të kohës, predikime që do na ndihmonit t’i ndalim shokët tanë të mos e lëshojnë vendin e tyre, predikime që do na nxitnit të merrnim pjesë aktive në çështje publike..etc; nëse nuk i bëni këto gjera sot, atëherë në rastin më të mirë, do i’u merr historia, ndërsa në rastin më të keq – pasi t’i largojmë këta pushtetarë sot, atëherë do duhet t’iu largojmë edhe Juve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button