АNALIZË: Ja pse zgjedhjet e dhjetorit janë vendimtare për Maqedoninë

Në pothuajse çdo një vit e gjysmë, nga një cikël zgjedhor. Pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën në vitin 1990, zgjedhje në vend mbahen, mesatarisht, në çdo dy vjet. Këtë vit, tashmë u shpallën zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare për më 11 dhjetor, të cilat, sipas ekspertëve, do të jenë vendimtare për integrimet euro-atlantike, kursin demokratik dhe ardhmërinë e vendit, njofton analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Sipas ish-kryeministrit dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, zgjedhjet do ta kenë rëndësinë e referendumit, ku qytetarët do të vendosin se çfarë Maqedonie duan.

Zgjedhjet e dhjetorit vendimtare për Maqedoninë

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të caktuara për më 11 dhjetor të këtij viti, një pjesë e ekspertëve vlerësojnë se ky cikël zgjedhor, që vjen pas një krize të thellë politike, do të jetë vendimtar për ardhmërinë e vendit. Zgjedhjet nuk do të jenë as të lehta e as naive – vlerësojnë analistët. Ata përkujtojnë se zgjedhjet që duhet të mbahen, të cilat duhet të paraqesin zgjidhje të krizës politike, megjithatë kanë edhe një shkallë të lartë të rrezikut.

“Dy variante janë të mundshme. Unë dua të besoj se megjithatë do të jetë më mirë, sidoqë të përfundojnë këto zgjedhje, pasi ato i shoh vetëm si proces që të gjithë të lirohemi nga mafia ekzistuese. Domethënë si shpëtim edhe për vendin, edhe për institucionet, edhe për kompanitë edhe për njerëzit.  E pastaj, pasi të kalojë një vit, do të duhet të shpallen zgjedhje të reja normale. Tani zgjedhjet janë diçka ndërmjet “shpëtimit tonë” dhe “ambisit dhe shkatërrimit tonë total”. Mendoj se një numër gjithnjë e më i madh i njerëzve janë të vetëdijshëm se kjo është kështu. Edhe ata që kanë ndonjë interes personal nga pushteti i këtillë, gjithnjë e më shumë vetëdijësohen se me paratë e tyre korruptohen për një vlerë të vogël, ndërsa dikush fiton shumë më tepër. E shohin se rezultati i gjithë kësaj është katastrofal. Çdo ditë takoj simpatizues të partisë në pushtet që ma thonë këtë” – thotë për Portalb.mk profesori universitar Mersel Bilalli.

Zgjedhjet e dhjetorit do të jenë referendum për Maqedoninë, theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në tubimin e paradokohshëm partiak.

“Këto zgjedhje do të jenë edhe referendum, referendum kundër asaj që e bënte opozita, referendum për kthimin e temave pozitive, projekteve dhe zhvillimit, të cilat janë pjesë e problemeve të përditshme të cilat i brengosin qytetarët. Këto zgjedhje do të jenë referendum për një Maqedoni ashtu siç e duam të gjithë, e jo Maqedoni siç do të na e përgatisin të tjerët. Në ndërkohë, ne promovuam një sërë projektesh, të cilat do t’i realizojmë pas fitores në zgjedhjet e ardhshme. E shoh se kundërshtarët tanë na tallin, mirëpo, sikurse edhe për shumë projekte të tjera, për të cilat shprehnin skepticizë dhe mosbesim, pasi ato u realizuan, ata heshtin”, tha Gruevski para anëtarëve të partisë, simpatizuesve dhe kreut të partisë.

Në mënyrën në të cilën u soll buxheti për vitin 2017, pa asnjë debat, dhe si u bë shpërbërja e Kuvendit, mendoj se Maqedonia futet në një fazë të vijës së kuqe, në një situatë kritike, në të cilën, pa u zgjidhur të gjitha problemet që duheshte të zgjidhen me Marrëveshjen e Përzhinës, e mendoj se asgjë nga kjo nuk u zgjidh, pasojnë zgjedhje të cilat do të jenë problematike. Këtë e them për shkak se mediet mbetën çështje e hapur dhe e pazgjidhur, u manipulua me numrin e votuesve fiktivë, një herë u tha se ka 200.000, pastaj se ka 100.000, e pastaj se paska 300.000, dhe në fund kjo temë “u hesht”, dhe unë me të vërtetë nuk e kam të qartë se si mund të shkohet në zgjedhje pa u zgjidhur këto çështje. Probleme ka edhe me Ligjin për zgjedhjet, dhe në këtë mënyrë siç shkohet në zgjedhje, mendoj se si të këtilla, ato do të jenë të paligjshme”, thotë për Portalb.mk ish-deputeti Abedin Zimberi.

Më shumë se dy vite bëhen përpjekje, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar që të sigurohen kushte për zgjedhje të drejta dhe demokratike, thonë analistët. Si epilog i këtyre përpjkejeve ishte edhe Marrëveshja e Përzhinës, e cila i përcaktoi saktë problemet së bashku me zgjidhjet. Megjithatë, sipas ekspertëve, pason një periudhë përplot me rreziqe, e veçanërisht e rëndësishme është Prokuroria speciale publike dhe rezultati i punës së saj mu në periudhën parazgjedhore.

“E paqartë është se si do të jetë dita e zgjedhjeve, për shkak se nga pushteti jonormal nuk mund të prisni veprime normale. Mund të ndodhë gjithçka, nuk e përjashtoj as dhunën. Ata tani “luajnë”, nuk besoj se do të dorëzohen aq lehtë. Mirëpo, ky është çmimi që duhet ta paguajmë për shpëtimin e përgjithshëm. Do të doja të gaboja dhe të befasohemi, dhe të kemi zgjedhje pa probleme më të mëdha dhe pa viktima. Mua më frikëson një gjë, çka duhet të ndodhë nëse përsëri zbatohet skenari i njëjtë për vjedhjen e zgjedhjeve. Mendoj se edhe pse mundësitë e këtilla në masë të madhe janë eliminuar, megjithatë duhet ta kemi parasysh se veprimet e pushtetit të këtillë iracional janë të paparashikueshme. Mirëpo, po atë ditë ne duhet të gjithë të dalim dhe ta bllokojmë qytetin dhe institucionet”, thotë për Portalb.mk profesori Bilalli.

Prej vitit 1990, kur u zhvilluan zgjedhjet e para parlamentare, Maqedonia kaloi nëpër 19 cikle zgjedhore, ose mesatarisht në çdo një vit e gjysmë mbahen zgjedhje. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dhjetorit do të jenë të zgjedhjet e katërta me radhë që do të mbahen në vend, pasi paraprakisht zgjedhjet u mbajtën në vitin 2008, 2011 dhe 2014. Në ndërkohë janë zhvilluar edhe pesë cikle të zgjedhjeve të rregullta parlamentare, në vitin 1990, 1994, 1998, 2002 dhe 2006. Në një periudhë nëntëmbëdhjetë vjeçare u mbajtën edhe pesë zgjedhje për kryetar të vendit dhe pesë cikle të zgjedhjeve lokale. / Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button