Presidenti filipinas do të vizitojë Japoninë pas deklaratës për ‘ndarje’ me SHBA-të

Presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte pritet të mbërrijë në Japoni të martën për një vizitë zyrtare dy-ditore në prag të deklaratës së tij në Pekin për planet e “ndarjes” së vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).

Në takimin me presidentin kinez Xi Jinping në Sallën e Madhe të Popullit në fillim të javës, Duterte tha: “Nga ky vend shpall ndarjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ai gjithashtu foli edhe për “treshen kundër botës”, ku aludonte për Kinën, Rusinë dhe Filipinet.

Kjo la diplomatët dhe zyrtarët japonezë ‘gojë hapur’ dhe në siklet duke u përpjekur për të kuptuar saktësisht se çfarë donte të thoshte me këto komente dhe cilat do të jenë reagimet e Japonisë.

Shefi i kabinetit Yoshihide Suga dhe zëdhënësi kryesor i qeverisë, nuk pranoi të flasë se cila do të jetë tema kryesore e diskutimit mes Dutertes me kryeministrit Shinzo Abe.

Abe në nëntor ftoi Duterten për të vizituar Japoninë në margjinat e Samitit të nivelit të lartë të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Laos, me ç’rast Duterte shkaktoi polemika ndërkombëtare me deklaratat e tij.

Washingtoni anuloi takimin e planifikuar mes tij dhe presidentit Barak Obama pasi Duterte e quajti atë “bir bushtre”.

Që atëherë presidenti i Filipineve ka dyfishuar retorikën e tij anti-amerikane.

Kjo paraqet shqetësim shumë të madh për Tokion, pasi Washingtoni është aleati dhe mbrojtësi kryesor i Japonisë.

Qëndrimi i Dutertes paraqet një kthesë të jashtëzakonshme.

Pak më shumë se një vit më parë, Tokio priti paraardhësin e Dutertes, Benigno Aquino III, i cili kishte një qasje krejtësisht të ndryshme të marrëdhënieve me SHBA-të.

Nën udhëheqjen e Aquinos, Filipinet ishin aleati kryesor aziatik i Amerikës pas Japonisë në mosmarrëveshjet në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore.

Aquino solli Kinën para gjykatës ndërkombëtare në lidhje me pretendimet e Pekinit për burimet e mëdha dhe të pasura në Detin e Kinës Jugore.

Ish-presidenti Aquino pati ftuar Japoninë që të shfrytëzojë bazat e Filipineve për të patrullar nga ajri mbi ishujt e diskutueshëm. Ai nënshkroi Marrëveshjen e thellimit të Bashkëpunimit të Mbrojtjes, me të cilën lejonte forcat ushtarake amerikane që të operojnë nga pesë bazat e Filipineve.

Japonia së fundmi ia huazoi Filipineve pesë avion dhe dhjetë anije patrullimi, të parat prej të cilave mbërritën në ujërat filipinase në gusht.

Gjithashtu edhe SHBA-të i kanë dhuruar anije patrullimi rojes bregdetare të marinës Filipine.

Duterte ka thënë se shteti i tij mund të merr të gjitha armatimet që i duhen nga Kina dhe Rusia.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Kinë, Duterte mori kredi për infrastrukturën në vlerë prej miliarda dollarësh.

Ai planifikon të takohet me biznesmenët japonezë gjatë qëndrimit të tij në Tokio. Japonia është partneri më i madh tregtar i Filipineve.

Analistët besojnë se vizita e javës së ardhshme, e cila do të përfshijë edhe takim me Perandorin Akihito, do të jetë e orientuar nga të dy palët për të kuptuar njëri-tjetrin në vend që diskutimet të jenë të orientuara rreth temave aktuale.

Deri më tani Duterte ka mbajtur kryesisht një qëndrim miqësor ndaj Japonisë. Ai madje ka falënderuar Japoninë për ndihmën e saj pas dëmeve që shkatoi tajfuni Haiyon në vitin 2013, e cila shkatërroi qytetin Bacalod.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button