Zbulohen emrat: Ja kush nga BDI do të thirren si dëshmitarë në rastin “Kumanova”

Avokati mbrojtës i rastit “Lagjja e Trimave – Kumanova”, Naser Raufi, në seancën e sotme gjyqësore ku po mbahej gjykimi i Sulejman Osmanit, i cili është pjesë e “grupit të armatosur të Kumanovës”, ka zbuluar emrat e dëshmitarëve të cilët pala mbrojtëse do t’i ftojë në seancë gjyqësore, raporton Portalb.mk.

Raufi ka thënë se në mesin e dëshmitarëve do të ketë politikanë dhe funksionarë nga radhët e pushtetit.

“Ali Ahmeti- kryetar i BDI-së, Musa Xhaferi- ish zv/kryeministër, Artan Grubi- deputet i BDI-së, Zimri Qamili- ish zv/ministër i Brendshëm, Arif Asani- zv/drejtor i DSK-së, Shenasi Mehmeti- Agjencia e Intelegjencës, Nimetulla Abdullahu- DSK, Sadulla Duraku- Kryetar i Komunës së Likovës, Sasho Mijallkov- ish drejtor i DSK-së, Mitko Çavkov- ish ministër i Brendshëm, Stojanço Angellov- “Dinjiteti”, Hysni Shaqiri- politikan, Ejup Alimi- sekretar shtetërot në SIOFA..”, janë disa prej emrave të përmendur nga avokati mbrojtës Raufi.

Sipas të akuzuarit Osmani, Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj dy nga të lartëpërmendurit ia kanë përmendur vetë atij personalisht. Megjithatë Osmani nuk precizoi se për kë bëhet fjalë.

Në seancën e sotme gjyqësore, i dyshuari nga Prokuroria Publike për veprat penale “terrorizëm” dhe për “logjistik të grupit të Kumanovës”, Sulejman Osman, ka thënë se nuk ndjehet fajtor për veprat për të cilat Prokuroria Publike e akuzon në aktakuzën e saj.

Sulejman Osmani ose i quajtur si “Komandant Sula” është ekstraduar më 22 qershor të këtij viti, nga Kosova në Maqedoni, transmeton Portalb.

55 vjeçari, ishte arrestuar në Kosovë në korrik 2015, pas një flet-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Maqedonia si i përfshirë në Grupin e Kumanovës, ku mbetën të vrarë tetë policë.

Osmani u bë i njohur për opinionin publik pas dorëzimit të të mbijetuarve të konfliktit, ku ai në mënyrë misterioze, me pranga në duar, arriti t’i ikë policisë maqedonase.

Osmani për disa media deklaroi se kishte arritur të arratiset, pasi ishte dërguar nga policia me helikopter për ta treguar vendin e fshehjes së armëve të grupit të armatosur afër fshatit Gushincë.

Gjykimi i Osmanit, bëhet ndaras nga 37 të akuzuarit të tjerë, pasi që nisi më vonë dhe Gjykata nuk pranoi për ta bashkuar lëndën, pasi që do të duhej të kishte rigjykim nga fillimi.

Përndryshe, vitin e kaluar në Lagjen e Trimave në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, 42 u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button