Gjeniu i përzënë nga vendlindja

Të jem i sinqertë: sot planifikova të publikoj kolumnën me titullin: ZGJEBSHIT, por, meqë kjo kategori interesante e përditshmërisë dhe historisë sonë të vëtërlashktë rezultoi më e koklavitur seç e pandeha fillimisht, e lashë të zihet edhe pak… Në vend të saj, për lexuesit e mi të nderuar pos jell anën e panjohur të jetës së gjeniut të letërsisë botërore Dante Aligierit (1265 – 1321), me të dhëna të përkthyera dhe të të parafrazuara nga vepra e Vladimir Stanojeviqit: Tragjedia e gjeniut.

Dante lindi në qytetin e artit dhe kulturës së Rilindjes evropiane – në Firencë të Italisë nga i jati Aligiero dhe e ëma Donna Bella, që vdiq  herët dhe për të cilën nuk dihet asgjë përveç emrit.

E fejuan në moshën 11 vjeçare me një femër më të moshuar, që më vonë iu bë grua e vërtetë. Por Dante Aligieri  e dashuroi një femër të vetme në jetë: Beatriçen e bukur, të cilën e takoi për së pari në moshën 9 vjeçe. Pas një dekade, ai e ritakoi të dashurën e jetës dhe, për ironi, qe pjesëmarrës në dasmën e saj. Sipas të dhënave të biografëve, kur e pa Beatriçen e bërë nuse, Dante u alivanos keq.

Megjithatë, pelimin më të hidhur të jetës ai e shijoi pas tre vitesh, kur Beatriçja vdiq. Humbjen e të dashurës Dante e paralajmëroi në veprën autobiografike, ku shkruan për gratë me flokë të lëshuara, qiej të errësuar, zogj që bien papritmas përdhe…, në një kohë kur Beatriçja  është e mbuluar me një savan të bardhë, shumë të bardhë.

Veprën Komedia hyjnore, që ia siguroi pavdëkësinë dhe famën e përhershme, Dante e shkruajti në mërgim gjatë viteve 1313 – 1321. Ndërkohë u bë personalitet i shquar dhe me ndikim në jetën politike të Firencës dhe më i madhi poet Italian, njëri nga poetët më gjigantë të letërsisë së përbotshme.

Qe poeti i fundit i mesjetës dhe njëkohësisht: poeti i parë i kohës së re. Pati fat që për atdhe ta ketë Italinë, venbdin më të përparuar të Evropës mesjetare. Sipas Karlajlit, nëpërmjet veprës së tij letrare, folën dhjetë shekujt e mesjetës…

Për shkak të përzierjes në luftën qytetare ndërmjet Gvelfëve dhe Gibelinëve Dante u dëbua nga vendlindja dhe iu konfiskua pasuria. Pas përpjekjes që ta kthejë atë me armë, mori një dënim akoma më të keq: të digjet i gjallë kudo që të kapet!

Pas një kohe ia pranojnë kërkesën për t’u kthyer në vendlindje, por me kusht që ta pranojë fajin. Dante tha: Nëse nuk mund të kthehem ndryshe, pa pranimin e imponuar të fajit, nuk kthehem kurrë!

Françesko Petrarka shkruan se Dante Aligieri ka qëndruar një kohë në oborrin e vojvodës Kan De Skale dhe se, me një rast, kur i marri (budallai) i oborrit i shtyri të qeshin të gjithë, përveç tij, vojvoda e pyeti:

  • A nuk të vjen për të qeshur që një i marrë na argëton kaq fort e ju si njeri i mençur nuk na dëfreni me asgjë?
  • Jo, iu përgjigj Dante i qetë. Kjo nuk është interesant, lartmadhëria juaj, sepse, siç e dini: të ngjashmit shoqërohen…

Para vdekjes, Dante urdhëroi që mbi rrasën e varrit të tij të shkruajnë: Këtu pushoj unë, Dante, i dëbuar nga vendlindja.

Për të, Xhavani Bokaçio i madh tha: Sa më shumë që do të lëmohet nga koha emri i Dantes, aq më i qartë dhe më i ndritshëm ka për të qenë…

Gjeniu i njërës prej veprave më të njohura të letërsisë botërore është i pari artist që guxoi të sfidojë mendësinë e akullt të periudhës më të errët të qytetërimit njerëzor, me vargje prometeike, si këto në vijim:

Askush mos të harrojë se asht njeri:

Ju le nuk keni për t’gjallue si shtazë,

Po për t’ndjekë virtyt e dituni…

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button