Paradokset e politikanëve shqipfolës

Idiokorniza e lidershipit shqiptar në Maqedoni sillet e mbështillet rreth një strumbullari vetmashtrues, ngase në çdo cikël të garave parazgjedhore dëgjojmë dhe shohim të njëjtin skenar dhe orkestrim të legjioneve partiake, të cilat duke promovuar frymën e urrejtjes dhe diskreditimit dezinhibues, orvaten të rimashtrojnë trupin votues shqiptar me premtime fantastike dhe shqiptarizëm rrokaqiellor.

Kjo, mbase si zakonisht ka rezultuar me fiasko dhe blamazh plasaritëse, ngase lene se nuk e kanë përmirësuar statusin politik, juridik, nacional dhe social të shoqërisë shqiptare në këtë shtet të dominuar nga forcat politike maqedonase, ata edhe më tepër e kanë ezauruar dhe defaktorizuar pozitën dhe gjendjen e komunitetit shqiptar. Bile, ditëve të fundit disa diletant dhe endacak të dështuar politik çirren kotnasikoti me anë të disa prononcimeve dhe deklaratave sensacionale megalomane dhe superpatriotike të ofrojnë shkopin magjik me anë të të cilit, sa hap e mbyll sytë, do të shpëtonin shqiptarët e zhgënjyer moralisht dhe politikisht. Asnjëri prej tyre nuk jep moduset dhe platformën politike e cila do të fillonte ta amelioronte krizën e thellë sociale, ekonomike dhe institucionale në të cilën jemi katandisur këtu e 26 vjet më parë.

Po që se politika dhe politikanët kanë për detyrë dhe mision fisnik të menaxhojnë mirëqenien e shoqërisë, atëherë si mund t’u besohet atyre që me keqpërdorimin e votës së fituar kanë zhytur dhe ngujuar tërë shtetin në një derexhe dhe qorrsokak strangullues. Zhvillimi dhe përparimi i një shoqërie nuk realizohet me fusnota dhe refrene histerike, fund e krye përjashtuese me tonalitet ekskluziv poshtërues. Votëbesimi i fituar në proceset e njëpasnjëshme elektorale rruhet dhe mbrohet me politik të drejt sociale, në të cilën përzgjidhja dhe distribuimi adekuat i resurseve humane do të konfiguroj të gjithë superstrukturën shtetërore dhe institucionale.

Ligjet dhe marrëveshjet obligative duhet të aplikohen dhe zbatohen pa ekuivoke, kurse lirit dhe të drejtat individuale duhet ta rrumbullakojnë piramidën e një qeverie demokratike. Manipulimet e stereotipik folklorit nuk pinë ujë ngase shumica e elektoratit është molisur nga tubimet, defilimet dhe manifestimet vija-vija. Ka ardhur koha kur duhet premtuar dhe siguruar popullit dhe sidomos rinisë së pashpresë punë, prosperitet dhe ardhmëri më fatlume. Kjo nuk arrihet me politik diskriminuese, ku kriter dhe element kyç vlerësues është numri i votave në vendvotimet e mëhallës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button