Debati i fundit me ofendime të rënda: Tramp “kukull” e Putinit, Klinton “grua e ndyrë”

Tramp pretendon se zgjedhjet mund të vidhen dhe se ndoshta nuk do të pranojë rezultatin. Në një debat me plot sulme personale, por edhe substancë, Tramp nuk ka arritur të bëjë ndonjë kthesë vendimtare në garë.

Vendi dhe koha. Të mërkurën në mbrëmje është mbajtuar debati i tretë mes dy kandidatëve presidencialë Tramp dhe Klinton. Ka qenë kjo përballja e tyre e fundit dhe shansi i fundit i Trampit që përpara një audience kombëtare të tentojë të kthejë garën në favor të vet. Debati është mbajtur në Universitetin e Nevadës në Las Vegas. Atë e ka moderuar gazetari Kris Uallas nga kanali televiziv Foks Njuz.

Edhe ky debat ka zgjatur 90 minuta, ndërsa koha është ndarë në 6 tema me 15 minuta për secilën.

Tema 1 – Gjykata supreme. Debati ka filluar me një temë të paprekur deri tash në kampanjë: Gjykata Supreme. Sipas kushtetutës amerikane presidenti amerikan emëron gjykatësit në gjykatën supreme sapo të zbrazet ndonjëri nga 9 vendet në të. Para disa muajsh ka ndërruar jetë Antonio Skalia, një gjykatës i famshëm republikan, kështuqë për momentin gjykata funksionon me 8 anëtarë. Presidenti i ardhshëm pra do të duhet të emërojë të paktën një gjykatës, e ndoshta edhe më tepër. Me këtë presidenti i ardhshëm mund t’i japë formë liberale ose konzervative gjykatës për çerek-shekullin e ardhshëm.

Të pyetur se çfarë karakteristikash kërkojnë te gjykatësit e ardhshëm kandidatët janë ndarë në vija ideologjike. Tramp ka thënë se kërkon gjykatës që do të mbrojë amandamentin e dytë (e drejta për të mbajtur armë) dhe që do të përmbysë interpretimin momental ligjor të abortit. Klinon kërkon gjykatës që do t’a intrepretojë pak më ndryshe amandamentin e dytë dhe që do të mbrojë vendimin e tanishëm për abortin. Kështu tema shpejtë është kthyer në akuza dhe kundërakuza për këto dy tema.

Tema 2 – Imigracioni. Debati ka vazhduar me temën e preferuar të Trampit – imigracionin. Për efekt ai kishte ftuar në audiencë nënat e katër amerikanëve të vrarë nga imigrantë ilegalë dhe ka premtuar se nën presidencën e tij këto gjëra nuk do të ndodhin. Ai ka ripërsëritur se do të ndërtojë mur me Meksikon ndërkaq ka akuzuar Klintonin se është për “kufinj të hapur”.

Klinton ka thënë se do të gjejë zgjidhje që imigrantët e tanishëm të mbesin në SHBA, por do të sigurojë më mirë kufinjtë. Kur refuzoi të pranojë se është për “kufinj të hapur”, moderatori Uallas i përmendi një fjalim të zbuluar nga Uikiliks ku ajo ka thënë të kundërtën.

Në këtë moment Klinton ka shfrytëzuar rastin që të ndërrojë temë duke akuzuar Rusinë për Uikiliks dhe Trampin për afërsinë me rusët. Kur Tramp tha se Putini nuk ka aspak respekt për Obamën dhe Klintonin, kjo ja ktheu duke i thënë: “po, sepse don kukull si ti për president”.

Tema 3 – Ekonomia. Pjesa ekonomike e debatit ka vijuar në linja standarde. Tramp është për ulje të tatimeve dhe rinegocim të marrëveshjeve tregtare, ndërsa Klinton për rritje të tatimeve për të pasurit dhe investim në infrastrukturë. Kur Tramp ka ngritur çështjen e tregtisë së lirë NAFTA e cila ka kaluar gjatë kohës së Bill Klintonit dhe që ka dëmtuar fabrikat amerikane, Klinton ka përmendur se vetë Tramp ka beneficione nga tregtia e lirë, sepse ndërton hotele me çelik kinez.

Tema 4 – Karakteri për të qenë president. Moderatori ka hapur temën nëse kandidatët kanë karakterin për të qenë president. Kjo ka qenë pjesa më e ulët e debatit, sepse ashtu siç pritej Klinton ka ngritur çështjen e videos skandaloze të Trampit dhe grave që pretendojnë se i ka ngacmuar seksualisht. Sipas saj kjo e bën atë të pakualifikuar për presidencë. Natyrisht Tramp ka mohuar pretendimet dhe ka përmendur aferat e Bill Klintonit. Madje ai dyshon se kampanja e Klintonit ka gjetur edhe gratë që e akuzojnë atë për ngacmime, ashtu siç paska futur njerëz problematikë në mitingjet e Trampit për të shkaktuar konflikte.

Nga ana tjetër ai ka sulmuar Klintonin për zbulimet që po i bën çdo ditë Uikiliks. Klinton akuzohet se ka marrë shumë para nëpërmjet fondacionit Klinton nga qeveri të huaja dhe lobistë që kanë dashur qasje te ajo kur ka qenë sekretare shtetërore. Sipas tij Klinton është rrenacake kronike dhe është dashur të jetë në burg, por ka shpëtuar për shkaqe politike. Normalisht sipas tij kjo e bën Klintonin të pakualifikuar për presidente.

Tema 5 – Pikat e nxehta globale. Debati më pas ka kthyer kah politika e jashtme, gjegjësisht kah pikat e nxehta të konfliktit nëpër botë. Fokusi ka qenë te ISIS, ofanziva irakiane në Mosul dhe katastrofa humanitare në Alepo.

Për Trampin fajtore për gjithçka është Klintoni dhe administrata e Obamës ku ajo ka qenë sekretare shtetërore. Madje ai ka shkuar edhe më larg duke pretenduar se ofanziva e Mosulit po bëhet mu tani, për të ndihmuar Klintonin të bëhet presidente. Tramp nuk la pa përmendur marrëveshjen katastrofale me Iranin, që i ka hapur dyert këtij shteti të luajë rol të rëndësishëm në Lindjen e Mesme. Sipas tij Putin poashtu i ka rrotulluar si ka dashur rreth gishtit Obamën dhe Klintonin dhe kontrollon Lindjen e Mesme megjithëse SHBA ka shpenzuar 6 trilionë dollarë në atë rajon.

Klinton këtu ka qenë në territor më të pasigurtë për shkak se është dashur të mbrojë politikën e tetë viteve të fundit të Obamës. Ajo ka ripërsëritur qëndrimin se don zonë pa fluturime në Siri, pa dërguar trupa tokësorë dhe ka ripërsëritur akuzat ndaj Asadit, Iranit e Rusisë, që sipas saj janë fajtore për katastrofën humanitare në Siri.

Tema 6 – Borxhi. Në fund moderatori ka hapur një temë të paprekur deri tani, e kjo është niveli i madh i borxhit të SHBA-ve, që është dubluar nën Obamën. Sipas analistëve ekonomike planet ekonomike të të dy kandidatëve do të rrisin edhe më tepër borxhin publik dhe nuk bëjnë asgjë për të mbuluar gropat e fondeve të sigurimit shëndetësor dhe pensional.

Tramp si çdo republikan ka fajësuar demokratët për dyfishimin e borxhit tetë vitet e fundit. Ai ka pretenduar se sipas planit të tij borxhi nuk do të rritet më, edhepse plani parasheh ulje të tatimeve pa paraparë shkurtime të buxhetit. Zgjidhja është rritja e madhe ekonomike që premton Trampi me planin e tij, e që do të rrisë të ardhurat e shtetit edhe me tatime më të ulta.

Klinton ka patur qëndrime tejet të kundërta. Ajo ka mbrojtur Obamën duke thënë se ai trashëgoi krizë të thellë ekonomike dhe ishte i detyruar të shpenzojë shuma të mëdha për të nxjerrë vendin nga kriza që kishte trashëguar nga Bushi. Ajo premton se plani i saj nuk parasheh rritje të borxhit, por ulje graduale të tij, njëlloj si nën presidencën e burrit të saj Bill Klinton.

Zgjedhje të kurdisura? – Në një moment moderatori ka pyetur Trampin nëse do të pranojë zgjedhjet nëse humb. Tramp ka refuzuar të bëjë këtë gjë, duke thënë se preferon t’a mbajë kombin të pasigurtë. Ai po përsërit këtë refren disa ditë me rradhë; sipas tij zgjedhjet janë të kurdisura dhe mund të vidhen nëse ai del fitues. Do të ishte kjo hera e parë në histori që njëri kandidat mos pranojë rezultatin.

Fjalimet përmbyllëse. Në fund moderatori ju ka dhënë kandidatëve disa minuta për fjalime përmbyllëse para publikut amerikan. Të dy kandidatët kanë shfrytëzuar një pjesë të kohës duke sulmuar tjetrin. Në një moment, kur Klinton po fliste për faktin që Tramp nuk publikon dosjet e tij financiare dhe nuk ka paguar tatime federale, Tramp e ka ndërprerë duke thënë: “sa grua e ndyrë”.

Kush fitoi. Sipas një ankete të CNN menjëherë pas debatit, 52% të anketurave kanë llogaritur Klintonin si fituese, ndërsa 39% Trampin. Në realitet debati dukej si një tjetër barazim. Por kjo do të thotë se Trampi humbi shansin e fundit për të bërë ndonjë kthesë tektonike në garë, ku ai çalon me 6%-8% disavantazh. Ndërsa deri ditën e zgjedhjeve kanë mbetur vetëm 20 ditë, nuk ka asnjë kandidat në histori që ka rikthyer kësi lloj disavantazhi për një kohë kaq të shkurtër.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button