Revolucioni i mendjes si shembës i diktaturës

Maqedonia ka marrë trajtën e një diktature autoritare sado që e gënjejmë veten që sendet po ndryshojnë, të shtyra nga disa procese demokratizimi dhe liberalizimi të jetës politike dhe sociale në vend të shtyra nga bashkësia ndërkombëtare. Diktatura jonë, e cila për dallim nga diktaturat që i njeh historia, po ndërtohet rreth dy figurave të liderëve autoritarë që fituan zgjedhjet në mënyrë plebiscitare. Duke analizuar diktaturat përgjatë historisë, të gjitha kanë një emërues të përbashkët. E ky emërues është IDEJA.
Secila diktaturë është e ndërtuar rreth një ideje madhore e cila përdoret mëtutje për të ndjellur frikë dhe pasiguri në popull, me një qëllim të thjeshtë: që diktatori të shihet si një formë humane e idealizuar e cila e vetme ka fuqinë dhe resurset për t’i bërë ballë rrezikut që vjen qoftë nga jashtë, apo nga brenda sistemit dhe shtetit. Frika që ndjellte fashizmi italian dhe nacionalsocializmi gjerman ishte që rreziku për interesat nacionale gjermane dhe italiane që vinte nga komunizmi sovietik dhe nga miti i konspiracionit të përgjithshëm hebrej për dominim botëror. Ose për t’u afruar më pranë realitetit tonë, ajo që mbante gjallë komunizmin në Shqipëri ishte frika nga imperializmit perëndimor që i kanosej vendit.

Më e vështirë akoma bëhet situata kur korruptohet fuqia intelektuale e një populli. Atëherë krijohen kushtet ideale për vazhdimësi të diktaturës. Korrupsioni mendor i intelegjencës së këtij vendi është më se evident nga disa pikëpamje. E para, është zbehur fuqia e zërit kritik të pjesës dërmuese të intelektualëve dhe biznesmenëve të vendit, asaj që duhej të bënte opozitën kryesore të secilës politike të gabuar. Asaj që në vendet normale, quhet “opinion publik”. E dyta, është dobësimi i nivelit arsimor univerzitar me diversifikim të tepruar të resurseve akademike dhe i prodhimit në masë të të arsimuarve.
Mendoj që dija është e drejtë univerzale e të gjithëve, por synimi parësor i institucioneve akademike do të duhej të ishte nxjerrja e kuadrove kualitative, të gatshme për t’u bërë pjesë e atij opinioni publik dhe të afta për të menduar me mendje të hapur; numri I të diplomuarve në këtë rast nuk është indikator I suksesit të një sistemi arsimor – përkundrazi krijon kuadro gjysëm të përgatitura të cilat vështirë se do mund të depërtojnë në tregun e punës.

Ka një nocion në mjekësi që duhet KOMË. Në një gjendje të këtillë vegjetative ndodhemi ne sot si shoqëri dhe si opinion publik. Si pacienti që është në gjendje kome dhe që dirigjohet nga aparatet që e mbajnë gjallë, në të njejtën derexhe na kanë futur politikanët.
Të gjithë jemi të kontrolluar dhe të dirigjuar nga aparati shtetëror. Do të vazhdojmë të mbetemi vegjetativë, përderisa nuk lirohemi nga prangat dhe kërkojmë që të bëjet revolucion. Por jo revolucion me armë, por një revolucion i mendjes dhe mendësisë në shoqëri. Revolucion i cili do të krijojë kushtet që mendimi i secilit të respektohet në mënyrë demokratike, pa patur nevojë për ta shtypur sepse qendrave politike ky mendim i lirë nuk ju shkon për shtati. Si të arrijmë këtë? Atëherë kur të kuptojmë që liria e mendimin dhe e shprehjes është e drejtë e shenjtë, e falur nga Zoti dhe si e tillë nuk guxon askush dhe asgjë ta manipulojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button