KASABAJA NËN MJEGULL

I ra mjegulla kasabasë.

Gjithçka e zhytur në mjegull.

Gjithçka e veshur me mjegull.

Mjegull e kudondodhshme.

Mjegull paskajshmërisht e dendur.

Mjegull e shtrirë brenda e jashtë njeriut.

Mjegull e trishtë, stresuese, frymëzënëse.

Mjegull shikimhumbëse.

Mjegullim, mjegullnajë, mjegullor, mjegulli, mjegull e helmët, mjegull tymrash helmues, që mjegullojnë qiellin e diellin.

Mëngjese e mbrëmje të mjegullta.

Vise mjegullore.

Peizazh i mjegullt.

Dritë dhe terr i mjegulluar.

Fshatra, fusha, male e lugina të mjegulluara.

Shtëpi e godina mbuluar me mjegull.

Ura të padukshme nga mjegulla.

Udhë, rrugë, rrugica, dhiare prej mjegulle e të mjegulluara.

Shkolla e spitale prej mjegulle, në mjegull.

Ngjyra të mjegullta.

Këngë prej mjegulle.

Njerëz si prej mjegulle.

Fëmijëri, rini e pleqëri e mjegullt.

Dashuri të mjegullta.

Ditë e net prej mjegulle.

Javë e muaj prej mjegulle, nën mjegull.

Vite e stinë prej mjegulle.

Dhe kohë e mjegullt.

Dhe kokë e mjegullt dhe e mjegulluar.

Xhama të mjegulluar.

Mjegullim sysh.

Pamje e mjegullt.

Ide e ideale prej mjegulle.

Mendime të mjegullta.

Fjalë të mjegulluara.

Arsye e mjegullt.

Kujtesë e mjegullt.

Ëndrra me mjegull, prej mjegulle, të mjegulluara.

Dëshira të mjegullta.

Vizione të mjegullta.

Histori të mjegullta.

Ngjarje të mjegullta.

E sotme e mjegullt.

Ardhmëri e mjegulluar.

Shitës e blerës mjegulle.

Mjegull që e thithim e na bëhet helm.

Dhe ujq që duan vetëm mjegull.

Njerëz mjegulle, që lëvizin nëpër mjegullnajë të pafundme.

Ecin nëpër shkretëtirë prej mjegulle.

Ecin dhe shkojnë drejt një bote të mjegullt.

Ecin me vite sajuar prej mjegulle.

Ushqehen me shpresa, që mjegullohen e rikthehen në kokat e mjegullta.

Ecin drejt një adrese të mjegullt, drejt një qëllimi të mjegullt.

Dhe udhërrëfyes në mjegull, të mjegullt, prej mjegulle.

Edhe ky shkrim është i mjegullt.

I shkruar nëpër mjegull, në çaste të mjegullta, kur ka filluar shitja me shumicë e mjegullës…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button