Muret midis shqiptarëve

Më kujtohen disa deklarata të Enverit dhe të Radio Tiranës nga koha e Partisë së Punës së Shqipërisë, të cilat, ndonëse tash e dimë se kanë qenë demagogjike, neve na jepnin shpresë, madje edhe energji për të vazhduar të përpiqemi për të bërë diçka e për të lënë gjurmë të identitetit tonë kombëtar e gjuhësor në këtë copë dheu ku kanë lindur gjyshërit e stërgjyshërit tonë, të cilët prehen në këtë dhe të munduar dhe të mbuluar me një shtresë të trashë të harresës. Tash neve pushtetarët shqiptarë, qoftë ata të pozitës, qoftë të opozitës, vazhdimisht, me vite, në fakt që nga rënia e komunizmit e këndej “na qerasin” me heshtje të rëndë. Dhe, kjo heshtje nuk ka se si shpjegohet ndryshe përveç se si: “çfarë na duhen ata”, ndërsa në heshtje qarkullon edhe bindja se ne “jemi primitivë”! Kjo “dhuratë” nuk na vjen vetëm nga politika e shtetit shqiptar, por edhe nga të gjitha sferat e jetës në Shqipëri. Kjo është një maksimë që prin gjithkund dhe në të gjitha aktivitetet e strukturave shtetërore e partiake në Shqipëri.  Ideja se ne “nuk i duhemi” Shqipërisë është një moto që ka hyrë nga e kaluara kur Shqipëria ka qenë e vëllazëruar herë me Jugosllavinë e Titos, në kohërat kur kanë hyrë e kanë dalë kur kanë dashur dhe janë sjellë si në livadh të hoxhës atje Svetozar Vukmanoviq Tempoja, Dushan Mugosha, Blazho Jovanoviqi e aktivistë të tjerë të OZNA=së nga pala jugosllave e kush e di sa instruktorë të ndryshëm të Stalinit e të vendeve të tjera të Traktatit të varshavës, por edhe të vendeve fqinje. Kjo ide është zhvilluar më tutje në mentalitet i cili “e ka infektuar” një pjesë të madhe të intelektualëve të Shqipërisë.

Veç këtyre që u thanë, propaganda e Partisë së Punës e Shqipërisë ka luajtur një lojë të dyfishtë. Natyrisht, të pandershme. Për nevojat e jashtme, përmes mediave e më shumë për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve ka pasur mjaft komente e deklarata që flasin për shkeljen e të drejtave të njeriut në Maqedoni e në tërë hapësirën e ish Jugosllavisë, ndërkaq, për nevojat e brendshme i ka aktivizuar njerëzit e sigurimit që çdo gjë që vlen e që është shqiptare jashtë kufijve të njolloset, të nxihet dhe të ndiqet. Kështu, shumë idealistë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi që kanë kërkuar shpëtim në Shqipëri nga ndjekjet politike në Jugosllavi kanë përfunduar në burgjet e kampet e përqendrimit në Shqipëri.

Kjo është kënga më e dhembshme e shqiptarëve të Maqedonisë para rënies së Murit të Berlinit. Pas kësaj ngjarjeje të madhe historike shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar e pritën me entuziazëm të paparë hapjen e ngadalshme e “si me turp” të kufijve të Shqipërisë. Dhe, ndodhi edhe kjo “çudi”. Ndryshimet politike nisën të bëhen me shpejtësi. Edhe ato ekonomike, gjithsesi. U vendos sistemi shumpartiak, ekonomia e tregut etj. Mirëpo marrëdhëniet midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë mbetën mjaft të ftohta, duke  “e mbajtur frymën kombëtare” vetëm në marrëdhëniet miqësore e familjare të nivelit individual e thjesht privat. Me një fjalë, nuk doli giçka e madhe nga pritja. “U dridh bjeshka, e polli një mi”. Muri i pakapërcyeshëm stalinist midis shqiptarëve mbeti ende qëndron i lartë dhe thuajse i pakapërcyeshëm dhe mbetet pengesë për integrimet normale kombëtare.

As sot nuk ka të dhëna të mjaftueshme për marrëdhënie të shëndetshme ekonomike midis bizneseve të Shqipërisë dhe të biznesmenëve shqiptarë, nuk ka bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e arsimit (me përjashtime të vogla të disa profesorëve nga Shqipëria që vijnë nëpër universitetet tona), nuk ka këmbim studentësh midis universiteteve shqiptare të Maqedonisë dhe atyre të Shqipërisë, nuk ka bashkëpunim midis mediave. Turizmi shqiptar nuk ka oferta të hairit për turistët shqiptarë nga Maqedonia, të cilët e vërshojnë bregdetin shqiptar. E kështu mund të themi nuk ka, nuk ka, nuk ka…

Më së keqi punët i kemi në sferën e kulturës. Shteti shqiptar e praktikon të ashtuquajturën politikë të tregut edhe në kulturë. Kështu në Shqipëri nga ne depërtojnë aty-këtu disa këngëtarë të muzikës tallave dhe të muzikës së lehtë. Për profesionistë të muzikës serioze nuk mund të bëhet fjalë. Këta profesionistë shqiptarë nga Maqedonia thuajse i kanë dyert të mbyllura. Dyert e mbyllura i kanë edhe piktorët, i kanë edhe shkrimtarët.

Ministrisë së kulturës së Shqipërisë nuk i shkon ndërmend se ne jemi popull i vogël në Ballkan, por jemi edhe popull i varfër, dhe vlerat kulturore  nuk mund të mbeten gjallë nga tregu. Shtetet ballkanike gjithmonë i kanë subvencionuar aktivitetet e ndryshme kulturore, jo vetëm të vetat, por edhe të atyre pjesëtarëve të tyre që kanë mbetur jashtë kufijve. Shembulli më i mirë është Maqedonia e cila nuk e kursen paranë për këto aktivitete, veçmas për librin maqedonas, sepse njerëzit që i prijnë kulturës, por edhe vet qeveria, e dinë se letërsia është themeli i gjuhës. Edhe më shum kujdes këtyre punëve u kushton Kroacia.

Fatkeqësisht që janë në krye të institucioneve të kulturës në Shqipëri për këtë problem kurrë nuk treguan ndonjë interesim të madh. Kështu aty-këtu që botohet ndonjë libër i autorëve “nga jashtë kufirit” nga botuesit shqiptarë zakonisht e sheh dritën e botimit pa honorar dhe shpesh botohet nëse autori i paguan shpenzimet e botimit dhe atë pjesë të hollash që botuesi e do si fitim. Shumica e këtyre botimeve të pakta rrallë dalin nëpër librari ose përfundojnë nëpër depo. Me përjashtim të shtëpisë botuese Albas e cila angazhohet për afirmimin e vlerave letrare shqiptare në tërë hapësirën tonë etnike që shtrihet në disa shtete ballkanike.

Kështu është kur nuk ia dalim ta rrëzojmë murin e absurdit.

Tash na ka gjetur edhe një e keqe. Edhe një mur i ri është ngritur. Midis shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Kosovës është. Edhe Kosova e ka bërë Enver Hoxhën e vet.

Po ku ta gjejmë zgjidhjen? Ne nuk e kemi një Serbi pas vetes, siç e kanë serbët e Kosovës që të kujdeset për kombin e vet…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button