ANALIZË: Investimet kapitale-projektime të mëdha, realizime të dobëta!

Për tetë muaj, realizimi i shpenzimeve kapitale ishte vetëm 41%. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti nuk u realizuan përqindjet e pritura të rritjes ekonomike. Paqartësia nga kriza politike edhe më tej e dëmton ekonominë, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Këto janë një pjesë e vlerësimeve dhe e prognozave të një pjese të analistëve, të cilat janë theksuar edhe në raportin e Bankës Popullore.

Ka para dhe projekte – realizimi i pamjaftueshëm…

Kriza e brendshme politike, e plotësuar edhe me numërimin e ditëve deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të paralajmëruara për më 11 dhjetor, e mori “tatimin” e saj në ekonomi. Një pjesë e analizave të qendrave hulumtuese të vendit tregoi se edhe këtë vit, paqartësia e përgjithshme së pari do të reflektohet mbi aktivitetin investues. Edhe pse të dhënat e BPM-së treguan se deri në fund të korrikut saldoja e investimeve të huaja të drejtpërdrejta është 171 milionë euro, që është për 13 milionë euro më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas një pjese të ekonomistëve treguesit nuk janë as për së afërmi optimistë. Realizim të pamjaftueshëm ka edhe te shpenzimet shtetërore, gjegjësisht te ato kapitale nga buxheti.

“Shpenzimet kapitale deri në gusht të vitit 2016, në përgjithësi kanë shënuar realizim prej 41% nga buxheti i planifikuar për vitin 2016, dhe janë dukshëm nën realizimin e përgjithshëm të pritur që do të ishte 67% në qoftë se buxheti do të realizohet në mënyrë të njëtrajtshme për çdo muaj”, thuhet në analizën më të re “Monitoringu i shpenzimeve nga buxheti në nivelin qendror”, të përgatitur nga Qendra për analiza ekonomike.

Sipas një pjese të ekonomistëve, treguesit për investimet e huaja, mirëpo edhe realizimi i investimeve kapitale, nëpërmjet buxhetit, tregojnë se ky vit, i cili është nga fundi, mund të jetë edhe njëri nga më të dobëtit në aspekt të aktiviteteve investuese.

“Projektimet për shpenzimet buxhetore janë vetëm listë me dëshira në qoftë se nuk mbahet llogari për kapacitetin fiskal, gjegjësisht për burimet e rregullta për financim. Njëkohësisht, projektimet për rritje të shpenzimeve kapitale pjesërisht janë edhe për arsye të marketingut, me qëllim që të lihet përshtypje më e mirë te elektorati, pasi rritja e shpenzimeve kapitale varet, jo vetëm nga të ardhurat që janë në dispozicion, por edhe nga kapaciteti institucional për realizimin e tyre. Përndryshe, rritja e shpenzimeve kapitale është në funksion të rritjes së ofertës dhe të cilësisë së të mirave publike, mirëpo njëkohësisht edhe në funksion të rritjes së efikasitetit, e me këtë edhe të konkurrencës së ekonomisë së vendit. Mirëpo, për t’u arritur këto qëllime, duhet të realizohen projekte kapitale me të cilat sigurohet dobi, gjegjësisht efekte kthyese – përqindje më e lartë e rritjes ekonomike, rritje e ofertës vendore, përmirësim i cilësisë, rritje e punësimit, stabiliteti i çmimeve, të cilat në bazë janë qëllime themelore të politikës makroekonomike”, thotë për Portalb.mk profesori universitar Semi Bislimi.

Për dallim nga tempoja e ngadalësuar e realizimit të shpenzimeve kapitale, në periudhën e analizuar janë shpenzuar më tepër para buxhetore se sa që janë planifikuar nëpërmjet zëri “transfere të tjera”.

“Përqindja kumulative mujore e realizimit të zërit – “transfere të tjera” deri në muajin gusht është 69%, dhe pothuajse 2 për qind mbi realizimin e njëtrajtshëm mujor prej 67%. Përqindja e realizimit të këtij zëri vetëm gjatë muajit gusht ka qenë 7%”, theksojnë për Portalb.mk analistët e QAE-s.

Në ndërkohë, shkrihen pritjet për përqindje më të konsiderueshme të rritjes ekonomike. Përveç një pjese të institucioneve financiare ndërkombëtare, optimizëm më të vogël ka edhe Banka Popullore.

“Treguesit që janë në dispozicion për zhvillimet në sektorët e veçantë ekonomikë paralajmërojnë vazhdim të rritjes në tremujorin e tretë, me tempo të ngjashme sikurse edhe në gjysmën e parë të vitit. Megjithatë, sipas të dhënave të publikuara për rritjen e PBB-së për gjysmën e parë të vitit, realizimet janë më të ulëta nga pritjet që janë bërë në projektimin e prillit, që flet për mundësinë për korrigjim duke e zvogëluar rritjen e projektuar ekonomike për gjithë vitin 2016” – thonë nga BPM-ja dhe njoftojnë se me kujdes e ndjekin gjendjen, dhe në qoftë se ka nevojë, do të ndërmerren edhe masa për ndryshimin e politikës monetare.

“Kushtet ekonomike dhe financiare, si dhe vlerësimi i rreziqeve ekzistuese tregojnë se vendosja aktuale monetare është adekuate. Pas ndërmarrjes së masave nga ana e BPRM-së në fillim të muajit maj, të dhënat e fundit tregojnë se ka stabilizim të konsiderueshëm të lëvizjeve, gjë që duhet të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Megjithatë, akoma ekziston paqartësia e lidhur me zhvillimet politike në vend dhe me ambientin global. BPRM-ja edhe në periudhën e ardhshme do t’i ndjekë zhvillimet dhe në qoftë se ka nevojë, do të bëjë ndryshime adekuare në politikën monetare për realizim të suksesshëm të qëllimeve ligjore” – konstatoi Komiteti për politikë operative monetare i BPRM-së, njofton Portalb.mk

Vitin e ardhshëm, për shpenzime kapitale, me buxhetin e ri janë planifikuar mjete në lartësi prej 432 milionë eurosh, që në krahasim me projektimet buxhetore për këtë vit, paraqet rritje prej 71,6 milionë eurosh. Këtë vit, me dy rebalancet e bëra, së pari u shkurtua pikërisht zëri për shpenzimet kapitale, i cili u zvogëlua në 366 milionë euro. Përveç asaj se fillimisht projektohen në nivel të lartë e pastaj shkurtohen, sipas një pjese të ekonomistëve, problematik është edhe realizimi i shpenzimeve të planifikuara për këtë arsye. Në Propozim-buxhetin për vitin 2017 janë përfshirë edhe projekte të filluara të cilat deri tani nuk janë realizuar, një pjesë prej tyre ka të bëjë me infrastrukturën, ndërsa një pjesë i përfshijnë edhe ndërtimet e projektit “Shkupi 2014“.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button