Mbi 100 mijë maqedonas me shtetësinë u “konvertuan” në shtetas evropian

„Zdravei“, „Az sëm bëllgarin“. Me këto fjalë bullgare, që janë thënë dhjetë viteve të fundit, gjithsej 57.627 shtetas maqedonas kanë dëshmuar origjinën e tyre bullgare dhe janë pajisur me shtetësinë bullgare dhe pasaportën e shtetit fqinj, si një lloj “vizë pune” për t’u shpërngulur, zbardhin të dhënat që ne i siguruam me ndihmën e Ministrisë së drejtësisë në Sofje, shkruan BIRN.

Përveç fjalëve më sipër, kandidatët e interesuar për shtetësinë bullgare duhet të dinë përmendësh kombëtare bullgare më me rëndësi, të njohin historinë bullgare dhe me dokument të vërtetojnë lidhjen farefisnore me shtetas të tjerë bullgar, qofshin të brezit më të largët.

Ndërkaq, të dhënat e Byrosë evropiane të statistikave, Eurostat, zbardhin se 48.589 shtetas të tjerë maqedonas gjatë periudhës së viteve 2005 – 2014 janë pajisur me shtetësinë e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian ose zonës së Shengenit.

Në këtë mënyrë që nga viti 2005 e deri më sot ose që kur Maqedonia fitoi statusin e kandidates për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjithsej 106.216  shtetas maqedonas “u konvertuan” në shtetas evropian, me ndihmën e shtetësisë ose pasaportës. Kjo shifër nënkupton se gjatë periudhës në fjalë me shtetësinë e vendeve evropiane u pajisën aq shtetas maqedonas sa ato që jetojnë në qytetet e Strumicës dhe Manastirit.

Pesë vendet që kanë lëshuar më shumë shtetësi për maqedonasit (2005 – 2014)

5-zemji-drzavjanstva
Burimi: Eurostat

Sipas të dhënave të Eurostat, pas shtetësive bullgare vijojnë ato të Zvicrës, vend ky i cili me shtetësinë e tij ka pajisur 17.764 shtetas maqedonas, megjithëse Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por është pjesë e zonës së Shengenit.

Me 9.870 shtetësi Italia është një nga venet me më shumë shtetas maqedonas të natyralizuar, ndërsa pas saj vijojnë Gjermania, e cila me shtetësinë gjermane ka pajisur 7.452 shtetas maqedonas dhe Austria, vend ky që ka pajisur me pasaportën e vetë 3.666 shtetas maqedonas. Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për qytetarë që kanë emigruar në këto vende për të kërkuar punë të përkohshme, por me kalimin e kohës kanë mbetur atje dhe kanë fituar shtetësinë e tyre.

Sipas qytetarëve që janë pajisur me shtetësinë e vendeve evropiane, arsyet e marrjes së pasaportës së huaj janë me karakter ekonomik dhe ato pasaportën e huaj e konsiderojnë si vizë pune për të shpëtuar nga varfëria në të cilën kanë jetuar në Maqedoni.

Gjurgica Gosheva: Pasaporta bullgare për mua ishte drita dhe shpresa e vetme për të gjetur jashtë vendit të gjitha kushtet e një jete normale, të cilat nuk mi mundësoi vendlindja ime

Gjurgica Gosheva është vetëm një nga qytetarët vendas të cilët në kërkim të një jete më të mirë kërkoi të pajiset me pasaportën bullgare, për të provuar fatin në vendet e Bashkimit Evropian. Ajo vite me radhë ka kërkuar një vend pune në Maqedoni, por në pamundësi për të gjetur një të tillë ajo verës u shpërngul në Gjermani.

„Pasaporta bullgare nuk të bën më pak patriot dhe nuk do të thotë se vendlindjen e do më pak se të tjerët. Detyrohemi të kërkojmë shtetësinë bullgare sepse jemi me barkun bosh. Gjatë gjithë kohës që qëndrova në Maqedoni vazhdimisht kërkoja punë dhe kam dërguar një milion biografi, por nuk arrita të punësohem“, thotë Gosheva, e cila 28 vjet jetoi në qytezën e vogël të Vallandovës, por disa muaj më parë u shpërngul për të jetuar e punuar në Dortmund të Gjermanisë.

Siç shpjegon ajo, pasaportën bullgare e priti rreth tre vjet, periudhë kjo gjatë të cilës kaloi disa intervista para shërbimeve bullgare. Në fund ajo u fotografua në Ministrinë e punëve të brendshme të Bullgarisë dhe zyrtarisht u bë një bullgare.

Ajo sqaron se për momentin nuk e ka në plan të kthehet në Maqedoni, megjithëse fillimet e saj në Gjermani janë të vështira.

„Gjuha është barriera më e madhe. Eh sikur të kisha filluar të mësoj gjermanisht shumë më herët. Tani unë i gëzoj të gjitha të drejtat që u takojnë shtetasve të vendeve të Bashkimit Evropian. Kam një punë solide dhe një rrogë solide. Dhe që është më e rëndësishme jetoj një jetë cilësore. Ka ditë kur më kap kriza dhe nostalgjia për vendlindjen, por vetë ideja se në Maqedoni nuk kam kushte elementare për një jetë normale dhe as punë dhe rrogë, më jep forcë për të vazhduar betejën këtu ku jam“, thotë Gjurgica.

Sipas ndërmjetësuesve që u ndihmojnë shtetasve maqedonas të kompletojnë dokumentacionin e nevojshëm, të cilët në raste të caktuara aplikojnë në emër të personave të interesuar për të marrë shtetësinë bullgare, kohëve të fundit interesi për t’u pajisur me shtetësinë dhe pasaportën bullgare është rritur në masë

Numri i personave të cilët sivjet kanë aplikuar për shtetësinë bullgare nuk dihet saktë, por sipas ndërmjetësuesve që u ndihmojnë shtetasve maqedonas të kompletojnë dokumentacionin e nevojshëm, të cilët në raste të caktuara aplikojnë në emër të personave të interesuar për të marrë shtetësinë bullgare, kohëve të fundit interesi për t’u pajisur me shtetësinë dhe pasaportën bullgare është rritur në masë.

Sipas përgjigjeve që i fituam nga Ministria bullgare e drejtësisë, shërbimet bullgare para se të japin përgjigje definitive i shqyrtojnë aplikacionet për 18 muaj, megjithëse rreth dhjetë vjet më parë ky afat ka qenë më i gjatë ose deri në katër vjet.

Po sipas të dhënave të kësaj ministrie, në vitin 2012 janë lëshuar një numër rekord pasaportash bullgare për shtetasit maqedonas. Për pasaportën dhe shtetësinë bullgare deri më tani kanë aplikuar më shumë shtetas maqedonas, por një pjesë e tyre janë refuzuar.

Numri i shtetasve maqedonas të pajisur me pasaportën bullgare

odobreni-bugarski-drzavjanstva

Burimi: Eurostat

„Këshilli i shtetësisë zakonisht ka refuzuar kërkesat e shtetasve maqedonas për shkak të dorëzimit të dokumenteve të rrema, që është vërtetuar me ekspertizat dhe analizat kriminalistike, deklarimit të një përkatësie etnike tjetër në vend të përkatësisë etnike bullgare gjatë intervistave ose si rezultat të refuzimit të kërkesave nga ana e Ministrisë së punëve të brendshme për shkak të veprimeve kriminale të kandidatëve ose ndalesave për t’u futur në territorin e Shengenit“, thuhet në përgjigjen e ministrisë bullgare të drejtësisë.

Për pushtetin në Maqedoni një fenomen me përmasa globale

Sipas ministrit të punëve të jashtme, Nikolla Poposki, bëhet fjalë për një fenomen me përmasa globale nga i cili nuk ka shpëtuar as rajoni dhe as Maqedonia

Ministri i punëve të jashtme, Nikolla Poposki, për BIRN ka sqaruar se marrja e pasaportave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të ndalojë pas anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Sipas tij, kemi të bëjmë me një fenomen me përmasa globale, që nuk ka anashkaluar as rajonin dhe as Maqedoninë – individë të rinj, të motivuar dhe të aftë të emigrojnë në vendet më të pasura evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

„Kur dikush vendos të emigroj, ai do gjejë mënyrë për të arritur qëllimin. Ne kemi për detyrë të punojmë për përmirësimin e standardit në Maqedoni dhe të hapim vende të reja pune, të cilat me kalimin e kohës do të bëhen gjithnjë e më konkurrente. Në fusha të caktuara individët më të mirë në nivel ndërkombëtar janë përqendruar në një vend. Nëse jeni një ekspert i fushës së teknologjive informatike, nga cili do vend të jeni, ka shumë mundësi të punësoheni në “Luginën e silikonit”. Kemi të bëjmë një zhvillim të natyrshëm të ngjarjeve.

Poposki gjithashtu sqaron se një nga faktorët kryesor është edhe cilësia e jetës dhe jo vetëm fitimi.

„Për pikën e dytë duhet të angazhohemi të gjithë bashkë sepse përparësi kemi edhe në Maqedoni. Me siguri që na duhet një infrastrukturë më e mirë. Besoj se e gjithë kjo do të zhvillohet me një rritëm më të shpejtë me integrimin tonë në Bashkimin Evropian. Pasi të barazohemi me statusin e vendeve anëtare me siguri do të pushojë marrja e pasaportave të vendeve të huaja. Pikë së pari sepse atëherë do të kemi një standard më të mirë dhe së dyti vlera e udhëtimit dhe punës e pasaportës bullgare ose pasaportave të vendeve të tjera evropiane nuk do të jetë më e madhe se ajo e pasaportës maqedonase“, sqaron Poposki.

I pyetur lidhur me masat që merr pushteti për të parandaluar trendin e këtij lloji, Poposki ka theksuar se pushteti është përqendruar në hapjen e vendeve të reja të punës.

„Dhjetë viteve të fundit janë hapur mbi 180.000 vende pune. Megjithatë ne nuk do të ndalemi këtu dhe do vazhdojmë me përmirësimin e infrastrukturës, shkurtimin e kohës së udhëtimit, modernizimin e linjës hekurudhore… Ne nuk kemi një alternativë tjetër përveç të punojmë me të gjitha forcat për të përmirësuar konkurrencën në Maqedoni dhe në këtë mënyrë brenda vendit të hapim alternativa për çdo shtetas maqedonas që me legjitimitet të plotë kërkon kushte më të mira jetese dhe pune“, thotë Poposki.

Kulmi i shpërnguljes

Sipas të dhënave më të reja të Organizatës së bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit (OECD), vetëm në vitin 2014 nga Maqedonia janë shpërngulur 21.003 persona, një numër rekord i regjistruar gjatë 15 viteve të fundit

Sa ka arritur Maqedonia  të parandaloj këtë trend më së miri tregojnë të dhënat statistikore, sipas të cilave vendi ballafaqohet me një emigracion me përmasat e një eksodi.

Sipas të dhënave më të reja të Organizatës së bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit (OECD), të publikuara ditëve të fundit, vetëm në vitin 2014 nga Maqedonia janë shpërngulur 21.003 persona, një numër rekord i regjistruar gjatë 15 viteve të fundit.

Numri i shtetasve maqedonas të shpërngulur sipas viteve

broj-na-isseleni-makedonci

Burimi: OECD

Pjesa më e madhe ose plotë 14.650 shtetas maqedonas në vitin 2014 u shpërngulën në Gjermani, 1.459 të tjerë në Austri, ndërsa 1.392 shtetas të tjerë maqedonas zgjodhën Zvicrën.

Që nga viti 2000, që kur OECD mban evidenca mbi emigracionin, nga Maqedonia janë shpërngulur gjithsej 171.730 persona.

Ndërkaq Banka Botërore para pak kohësh publikoi të dhëna që lanë gojëhapur individët që i lexuan të njëjtat – numri i të shpërngulurve deri në vitin 2013, që në fakt nënkupton emigracionin e 50 viteve të fundit dhe flet për diasporën, është 626.312 persona.

Me një nga raportet e institucionit financiar ndërkombëtar për Evropën Juglindore konstatohet se “një pjesë e madhe e popullatës së re dhe të arsimuar është duke e braktisur rajonin. Sipas numrit të emigrantëve, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë vendet nga të cilat kryesisht largohen të rinjtë e arsimuar. Një e katërta e banorëve tashmë jeton jashtë vendlindjes”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

„Pjesa më e madhe e emigrantëve janë të rinj me aftësi pune, të cilët kryesisht janë më të arsimuar krahasuar me të rinjtë që mbeten në vendlindjen e tyre“, ka konstatuar Banka Botërore me raportin e saj

Me këtë raport vlerësohet se që nga vitet nëntëdhjetë e deri më sot 4,9 milionë persona kanë braktisur gjashtë vendet më sipër. Nëse në të kaluarën shpërnguljet kanë qenë rezultat i luftërave që vijuan me prishjen e Jugosllavisë, sot njerëzit zakonisht shpërngulen për arsye ekonomike.

„Rritja e vogël ekonomike, papunësia kronike, standardi i barabartë me një të tretën e mesatares evropiane dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj krizave të jashtme i detyrojnë njerëzit të kërkojnë kushte më të mira ekonomike. Pjesa më e madhe e emigrantëve janë të rinj të aftë për të punuar, të cilët në përgjithësi janë më të arsimuar se të rinjtë që mbeten në vendlindjen e tyre“, ka konstatuar Banka Botërore me raportin e saj, duke paralajmëruar pushtetin dhe institucionet „të investojnë në projektet zhvillimore që do të nxisin zhvillimin e shpejtë ekonomik dhe do të hapin vende të reja pune në sektorin privat, për t’i motivuar të rinjtë të mbeten në vendet e tyre, ndërsa ato që janë larguar të kërkojnë ose të shprehin dëshirë për t’u kthyer“.

Banorët e vendeve të Ballkanit, midis të cilëve gjenden edhe ato të Maqedonisë, të cilët janë më të interesuar për t’u pranuar në një nga vendet e Bashkimit Evropian, janë renditur në majën e listës së vendeve siç janë Siria, Iraku dhe Afganistani, vende këto të prekura nga luftërat.

Para disa muajsh edhe Fondi monetar ndërkombëtar (FMN) publikoi një raport me të dhëna shqetësuese lidhur me emigracionin dhe pasojat e saj të rënda për vendet e Evropës Lindore, Qendrore dhe Juglindore.

Sipas vlerësimeve të Fondit monetar ndërkombëtar, gjatë periudhës së viteve 1990 – 2012, pas rënies së Perdes së hekurt, mbi 20 milionë persona kanë emigruar nga kjo pjesë e Evropës, ndërsa shumica e të emigruarve kanë qenë të rinj me arsim të lartë dhe të kualifikuar, të cilët janë shpërngulur në vendet e Evropës Perëndimore ose në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në kërkim të një pune më të mirë.

Po sipas vlerësimeve të FNM shpërngulja ka ngadalësuar zhvillimin ekonomik, ka ulur produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomive të vendeve të prekura me emigracionin, ndërsa u ka mundësuar rezultate pozitive dhe përfitime personale emigrantëve dhe sidomos vendeve që i kanë pranuar ato.

Me raportin e tij Fondi monetar ndërkombëtar ka konstatuar se „puna më e mirë dhe rroga më e mirë zakonisht kanë qenë motivet kryesore të shpërnguljes”. Analizat përkatëse kanë zbardhur se më joefikase të jenë qeveritë, ndërsa institucionet të dobëta, aq më të shumta janë mundësitë që të rinjtë e arsimuar të kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendlindjes.

Migracioni ekonomik që ka për bazë zgjedhjen personale është pjesë e zhvillimit ekonomik. Me shpërnguljen jashtë vendit emigrantët kërkojnë mënyra për të përmirësuar gjendjen e tyre dhe atë të familjeve të tyre që mbeten në venet ku kanë lindur.

Megjithatë, raporti i Fondit monetar ndërkombëtar sqarojnë se emigracioni ekonomik që regjistrohet 25 viteve të kaluara nga Lindja drejt Perëndimit është i veçantë, i vlerësuar nga aspekte të ndryshme. Pikës së pari emigracioni deri më tani nuk është zhvilluar me një shpejtësi kaq të madhe dhe në një numër kaq të madh dhe në vazhdimësi, krahasuar me emigracionet e deritanishme në cilindo vend. Së dyti një numër i madh i emigrantëve që braktisin vendet e Lindjes janë të rinj me arsim të lartë, që gjithashtu deri më sot nuk është regjistruar në asnjë vend tjetër, duke u përputhur në të njëjtën kohë me trendin e plakjes që regjistrohet në shumë vende të Evropës Lindore, që në fakt lë pasoja afatgjate mbi ekonominë dhe produktivitetin. Dhe së treti, krijohet përshtypja se emigracioni i këtij lloji është permanent dhe afatgjatë.

Maqedonasit që jetojnë e punojnë jashtë vendit të afërmve të tyre në Maqedoni u dërgojnë rreth 400 milionë dollarë në vit ose nga 2.800 dollarë për një familje. Megjithatë vetëm 1% e kësaj shume drejtohet për investime, ndërsa pjesa më e madhe e të hollave shpenzohet në formën e ndihmës sociale joformale, duke ndikuar në uljen e nivelit të varfërisë

“Është e vërtetë që emigrantët ose ato që janë shpërngulur jashtë vendit u dërgojnë para familjeve të tyre që mbeten në vendlindje dhe në njëfarë mënyre nxisin konsumin dhe investimet. Megjithatë largimi i të rinjve të arsimuar dobëson aktivitetin e sektorit privat, ul nivelin e konkurrencës së ekonomisë dhe rrit shpenzimet sociale të vendeve përkatëse dhe për këto arsye mund të arrihet në konkluzionin se emigracioni ngadalëson zhvillimin e ekonomisë”, ka konstatuar Fondi monetar ndërkombëtar.

Sipas analizave të fundit, maqedonasit që jetojnë e punojnë jashtë vendit të afërmve të tyre në Maqedoni u dërgojnë rreth 400 milionë dollarë në vit ose nga 2.800 dollarë për një familje. Megjithatë vetëm 1% e kësaj shume drejtohet për investime, ndërsa pjesa më e madhe e të hollave shpenzohet në formën e ndihmës sociale joformale, duke ndikuar në uljen e nivelit të varfërisë.

Bllaga Mitreska është një pensioniste nga Prilepi, e cila sqaron se me pensionin që merr nuk mund të mbulojë shpenzimet mujore dhe të blejë barnat që i nevojiten dhe për këtë arsye për të është e mirëseardhur ndihma e djalit të saj që punon e jeton jashtë vendit.

„Unë kohë pas kohe marr para nga djali im që është jashtë vendit. Me ato para blej barna, paguaj llogaritë ose blej dru për t’u ngrohur dimrit. Megjithatë djali im akoma nuk është rregulluar mirë dhe nuk është në gjendje të më dërgoj para rregullisht. Ai u largua para një viti e gjysmë“, thotë Mitreska.

Sipas analizave përkatëse, më shumë para në Maqedoni dërgojnë shtetasit tanë që jetojnë e punojnë në vendet e Bashkimit Evropian, Amerikë, Kanada dhe Australi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button