Tetovë, u mbajt takimi për tërheqjen e investimeve nga diaspora “Diaspora Invest”

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me Ministrin për Investime të Huaja, Arlind Zeqiri, Qendrën për Zhvillim planor të rajonit të Pollogut, GIZ dhe UNDP vazhdojnë  iniciativën për tërheqjen e investimeve nga diaspora të titulluar ‘’Diaspora Invest’’.

“Diaspora është potencial i madh jo vetëm financiar, por edhe profesional i vendit tonë. Ajo përmes remitencave e mban gjallë këtë ekonomi, por Ne nuk dëshirojmë ta mbajmë vetëm gjallë, sepse duam që diaspora të jetë një burim shumë i rëndësishëm për zhvillim sa më të lartë ekonomik dhe social. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore si organizatë ombrellë e bizneseve ekzistuese do të ndihmon investitorët e ardhshëm për lehtësimin dhe nxitjen e këtyre investimeve përmes informimit të diasporës për mundësitë për investime në vendlindje, me qëllim të rritjes së numrit të rasteve të suksesshme të investimeve nga diaspora, investime të cilat më veç janë prezente në numër të madh në rajon.” – tha nënkryetari i OEMVP-së Nagib Fejzi.

Ky takim ishte një mundësi për krijimin e lidhjeve dhe kontakteve me investitorët potencial gjegjësisht mërgimtarët shqiptarë nga diaspora që kapitalin e tyre ta investojnë në komunat e tyre të lindjes dhe  komunat e tjera në Maqedoni.

“Investimi i diasporës në vend nuk është i njëjtë sikur investimet tjera të huaja, sepse këtu kthehen njerëzit tanë, kthehen ata që e njohin mentalitetin, që e njohin kulturën, që dëshirojnë t’i ndihmojnë vendit të tyre dhe të cilët së bashku me kapitalin sjellin dijen dhe përvojat që domosdoshmërisht na nevojiten.” – tha nënkryetari i OEMVP-së Nagib Fejzi.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore do t’i ndihmojë investitorët e ardhshëm duke u ofruar informacione për situatën ekonomike, plotësimin e nevojave për fuqi punëtore, përgatitjen e dokumentacionit dhe biznes planit, përmirësimin e zinxhirit të furnizimit si dhe duke ndihmuar në depërtimin e tregjeve të reja, si lokale ashtu edhe ndërkombëtare.

“Qëllimi kryesor është të dëgjojmë nga diaspora se çka ju duhet atyre që ata të vendosin të investojnë në vendlindje. Rekomandimet dhe konkluzionet nga diaspora në të ardhmen do të shërbejnë si bazë për përgatitjen e aktiviteteve të ardhshme të Odës.” përfundoi Fejzi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button