MJESHTËRIT E HARMONISË

Shkrimi i sotëm u kushtohet dy artistëve të mirënjohur në hapësirën tonë kulturore: piktorit e skulptorit Bashkim Mexhiti dhe grafistit e portretistit Enver Selimi. Të dy janë janë afirmuar nëpërmjet veprave të tyre të ekspozuara galerive të mirënjohura të vendit dhe jo vetëm dhe të dy kanë para vetes kariera që sigurisht do të përmbushen me vepra akoma më të vlefshme që do ta pasurojnë thesarin e vlerave tona shpirtërore.

*

Po e nis me pikturat e Bashkim Mexhitit me motive peizazhesh rurale të vendlindjes, në të cilat përftohet prezenca e idilës, tonet elegjiake dhe sfidat e jetës.

Horizontet e thyera; qiejt e pikturuar me penelata të lira, që jepen me ritmin e gjallë të polifonisë së ngjyrërave dhe koloritin e ngrohtë, të shtrirë në tërë sipërfaqen e pikturës; kullat që lartësohen drejt thellësive të kaltra qiellore; torzot dhe drunjtë me forma të çuditshme, që duken sikur janë në një proces ringjalljeje pasapokaliptike – në një proces reinkarnimi të vazhdueshëm mbi tokën e kuqe ngjyrë gjaku… ofrojnë imazhin e tensioneve dhe vlimeve të kohës sonë, kurse portretet e pikturuara mbi sfonde të bardha, të çiltëra e të virgjëra, sikur aspirojnë mendimin e lirë, lirinë supreme të pambërthyer nga prangat e gjithfarëllojshme të kohërave të mbarsura me mjegullnaja dhe paqartësi.

Aty-këtu ballafaqohemi me arena trazimesh e uraganesh, me ndeshje të forta, për jetë a vdekje, të kush e di se çfarë qenieve, që sugjerojnë betejat absurde e të pandalshme mes abelësh e kainësh.

Asociacionet sugjestive kapen lehtë prej kontrapunkteve të ngjyrërave që në një lojë të vazhdueshme kundërvëniesh shpërfaqin botën e harmonishme të koloritit dhe valsit ritmik, të bartur në pëlhurë me lëvizje të matura, të shpejta e ekspresive, që flasin edhe për disponimin dhe gjendjen shpirtërore të autorit në momentin e aktit të pikturimit.

Në pëlhurat e Bashkimi Mexhitit dominon e verdha e ngrohtë dhe ekspanzive që duket sikur shtrihet përtej kufijve të vet. Duke qenë se shkëlqimi i saj nuk shuhet lehtë, e verdha mund të simbolizojë rininë dhe vitalitetin. Ndoshta dhe përjetësinë. Ndoshta dhe etjen për një pikë shi e për pak gjelbërim, pas kohërash të thata e shterpe…

*

Imazhet e para që i imponohen njeriut të gjendur para veprave të artistit të shquar tetovar Enver Selimit janë gurët kozmikë, copëzat e meteorëve, përplot hieroglife të mistershme, përplot shenja e vragë…, që, me dinamizmin dhe levizjen e tyre të pandalur, notojnë shlirshëm hapësirave të paskajshme të universit drejt cakut që mund të paragjykohet veç nga konteksti kohor e hapësinor i krijimit të veprave.

Loja e asociacioneve mund të të shpie më tej pikërisht në këtë cak – te tërësia e shkapërderdhur nga erupcionet e pasqarueshme, te gjakimi i bashkimit të sërishëm të ishujve qiellorë…, të realizueshëm aktualisht vetëm në aktin e ekspozimit të veprave në një hapësirë të vetme, ku ato sërish bashkëjetojnë në procesin e përplotësimit të mozaikut të shprishur nga një katrahurë vullkanike e ndodhur dikur dhe diku…

Krahas kompozicioneve të rregullta dhe elementeve të baraspeshuara figurative, vlerë më vete ka puna e kujdesshme dhe në kontinuitet e Enverit, spontaniteti i të krijuarit, gjetjet e rastësishme të belbezuara grafikave e pikturave nga shtresat më të thella të nënvetëdijes. Si të tilla ato dalin vepra të sinqerta që domosdo joshin vëmendjen dhe simpatinë e adhuruesve të artit të mirëfilltë.

Thënë shkurt: grafikat dhe pikturat e Enver Selimit, të punuara kryesisht me teknikë të kombinuar, akuatintë dhe linogravurë, janë dëshmia më e mirë e një talenti të pakontestueshëm arti i të cilit do të shpërthejë edhe më fuqishëm në vitet që pasojnë.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button