A po i vjen (vërdallë) Radikës Gruevski

Që kryeministri i Maqedonisë është i dhënë pas miteve, kjo nuk kërkon shumë mend. Mjaft të shihet si është “katandisur” në një qytet megashtatoresh që në një pjesë të madhe nuk i përkasin fare atij, për ta kuptuar këtë, por nëse ai ka dëshirë për t’u përfshirë në këngët epike shqiptare, kjo mbetet për t’u parë. Ajo që dihet është se prej muajsh në tavolina apo nën tavolina diskutohet devijimi i një pjese të lumit të Radikës që mbledh ujëra në shpatin e Korabit dhe malësinë rreth Dibrës së Madhe. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë do të përfitonte nga kjo një hidrocentral të ri dhe shtimin e fuqisë në një ekzistues, ndërsa shqiptarët e Dibrës thonë se do të shkatërrohej ekosistemi i zonës, përfshi edhe tharjen e një liqeni në atë zonë e për këtë prej muajsh janë në protesta kundër projektit.

Por ndërsa FYROM po investon të realizojë projektin dhe madje në faqen zyrtare të kompanisë energjetike ELEM ai është i shpallur, gjasat janë që hesapet po bëhen pa hanxhinë, që në këtë rast, veç banorëve të zonës është edhe Shqipëria zyrtare. Ujërat e Radikës rrjedhin më tej në Drinin e Zi dhe devijimi do të donte marrëveshje mes dy vendeve. Kryeministri i Shqipërisë, pas disa javësh heshtje dhe pas një proteste në Tiranë, reagoi duke e cilësuar gjithçka si shumë zhurmë për asgjë. “1. S’ka projekt, 2. S’ka gjasë të ketë fillim të njëanshëm. 3. S’ka shans të lejojmë prekjen e interesit tonë!”, shkroi Rama në faqen zyrtare në Facebook. Fakti që ende nuk ka një projekt zyrtar dhe që ende qeveritë nuk janë duke e diskutuar çështjen, u pohua edhe nga ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Valon Saraçini, i cili ka thënë për “Zërin e Amerikës” se ende nuk ka një studim fizibiliteti për hidrocentralin në Fushë të Lukovës dhe se po ashtu projekti nuk është miratuar ende nga qeverisja e Shkupit e, për rrjedhojë, ende asgjë për t’u diskutuar nga grupet e punës që duhet ta diskutojnë këtë me Shqipërinë.

Por nga ana tjetër, ministri Saraçini pohon se pala shqiptare është në dijeni të idesë së qeverisë së Shkupit dhe se ai vetë ka komunikim të vazhdueshëm me palën shqiptare, respektivisht me ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe se do të respektohen normat ndërkombëtare në lidhje me projektin Fusha e Lukovës. Ky i fundit po ashtu ka pranuar të ketë dijeni mbi çështjen, por ka theksuar se “nuk ka një projekt konkret që të na jetë dorëzuar si qeveri apo si Ministri e Energjetikës. Për një gjë dua ta siguroj publikun shqiptar; është një projekt-ide e hedhur prej shumë kohësh nga qeveria maqedonase”, tha Gjiknuri. Por ashtu si Rama, ai nuk ka qenë kategorik nëse Shqipëria do e pranojë apo jo projektin, duke lënë të kuptohet se ende janë në pritje të shohin propozimin zyrtar nga pala tjetër.

Opozita në Shqipëri nga ana tjetër është shpallur tashmë kundër projektit. Më herët, pas reagimit të Ramës ishin disa deputetë që e akuzuan se po gënjente për faktin që nuk ka projekt, duke postuar edhe faqen e ELEM, ku ndodhej i afishuar projekti. Ndërkohë, dje në mbrëmje ish-kryeministri Sali Berisha reagoi duke akuzuar Ramën se po mashtronte dhe madje se kishte dhënë dakordësi në parim për ndërtimin. “Gjithashtu theksoj se prononcimi i Ramës në FB e tij, se nuk ka projekt për devijimin e Radikës dhe se ai ‘nuk di asgjë, nuk shoh gjë’ është thjesht dëshmi tjetër e kodit të heshtjes dhe trillimi i tij i radhës në kuadrin e platformës së tij të politikës, të zero problemit me fqinjët. E vërteta është se muajt e fundit midis dy qeverive është diskutuar për projektin, mënyrën e kompensimit të Shqipërisë, madje në parim është rënë dakord për të”, thotë Berisha në faqen e tij në Facebook.

Por as qëndrimi i tij nuk duket krejtësisht i qartë, pasi ndërkohë projekti ende nuk është miratuar prej qeverisë së Maqedonisë dhe as ka fituar të drejtën e financimit nga Banka Botërore. Nga ana tjetër, Berisha mund të ketë qenë në dijeni të projektit që më 2011, kur sipas raportit të Bankës Botërore pas miratimit të fillimit të studimeve Maqedonia duhej të njoftonte Shqipërinë, Kosovën dhe Greqinë si vende që prekeshin drejtpërdrejt. Në raport thuhej se njoftimi do të ishte i mjaftueshëm, pasi sasia e ujërave që devijoheshin ishte e ulët, më pak se 2m3/s. Një grup ekspertësh shqiptarë (Prof. Dr. Molnar Kolaneci, Ing. Hidrolog: Tefik Jegeni dhe Jurist: Dok: Saimir Shatku) thonë ndërkohë se ELEM ka në plan të transferojë një sasi më të madhe uji, që sipas tyre shkon 4.17 m3/s.

Banka Botërore ndërkohë mbetet e angazhuar në projekt dhe deri tani ka financuar studimet rreth tij, përfshi edhe atë mbi ndikimin në mjedis që ka nisur diku nga marsi i vitit që shkoi, por ende nuk ka rezultate publike. Kjo e fundit ndërkohë në faqen zyrtare promovon politikat sensibilizuese të “energjisë së etjes” (Thirsty Energy) dhe kërkon kursim të burimeve ujore për shkak të ndryshimeve klimaterike dhe mundësisë së rënies së këtyre burimeve. Gjë që praktikisht e bën të paleverdishëm për Shqipërinë projektin në fjalë. Jo zyrtarisht, ministri i Ekonomisë, Saraçini thotë për VOA-n se me gjasë, projekti do të marrë një përgjigje negative nga BB dhe se deklaratat e mëparshme të qeverisë kanë pasur të bëjnë me zotimet elektorale, ndërsa kundërshtimi i projektit duket i madh. Një grup ekspertësh shqiptarë mbi çështjen thonë se projekti nuk mund të realizohet dhe se bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare për ujërat. “Për mendimin tonë si ekspert, projekti për marrjen e 2.00 m3 uji nga lumi i Radikës për në Vardar është i parealizueshëm, si në aspektin tekniko-fizik, si në aspektin e të drejtës ndërkombëtare të mbrojtjes së ujërave dhe liqeneve ndërkombëtare”, thuhet në fund të raportit të punuar nga Prof. Dr. Molnar Kolaneci, Ing. Hidrolog: Tefik Jegeni dhe Jurist: Dok: Saimir Shatku.

E gjithë çështja sidoqoftë mbetet e paqartë dhe pa zgjidhje përfundimtare. Ajo që duket është se Gruevski i ka inatosur sërish shqiptarët këtë herë duke shkaktuar reagim në të dyja anët e kufijve, por ende jo aq sa për të zënë vendin e Hajredin Pashës në këngën epike.

Lajme të ngjashme

Back to top button