FRYMA KUNDËR SHPATËS

Legjenda thotë se Sheherezada i rrëfente çdo natë nga një përrallë mbretit të egërsuar, që kishte mbyllur gjininë femërore në pallatin e tij. Çdo natë e kalonte me një virgjëreshë dhe në ag ia merrte shpirtin. Mbreti nuk e përtypte tradhtinë e gruas së tij me një rob. Te çdo femër e shihte një mashtruese.

Sheherezada kishte shkuar me vullnetin e saj te mbreti dhe për çdo natë i rrëfente nga një përrallë. Në ag e ndërpriste rrëfimin kur dukej më interesant, me qëllim që mbreti ta shtynte vrasjen për ditën tjetër. Dhe kjo lojë zgjati 1001 netë. Gjatë kësaj kohe mbreti ishte bërë më i fisëm. Si thuhet sot: kishte reflektuar. Pas kësaj kohe mbreti jo vetëm nuk e vrau Sheherezadën, por edhe u dashurua me të.  Për të mbijetuar iu desh të shpikte rrëfime. Ajo iu kundërvu estetikisht të keqes. Arti i saj e magjepsi edhe mbretin e egër. Arti ja shpëtoi jetën Sheherezadës dhe 1001 virgjëreshave që do t’i mbyste mbreti. Arti i saj e mbyti bishën e egër brenda një qenie me vullnet të egër për pushtet e hakmarrje. Po a ishte vërtet lufta për jetën që e shtyri personazhin të sajonte rrëfime kaq mbresëlënëse? Ky është fiksion, por e vërteta është se arti na fisnikëron. Arti e bën njeriun më të fisëm dhe botën më të bukur. Arti e ndryshon njeriun.

Megjithatë, kam bindjen se ai që rrëfen bukur dhe sajon rrëfime nuk është i lumtur.  I ngjan guacës me perlë përbrenda, që vuan për shkak të kësaj pasurie që ka brenda saj, si në tregimin e Gibranit.

Ai që sajon rrëfime, nëpërmjet të cilëve thuhen të vërtetat më të trishta, ë shtë më i pikëlluar për shkak se mendon më thellë. Dhe shkruan për ta shmangur hijen e absurdit të vdekjes.  Të lumtur janë ata që u kënaqen spektakleve të kësaj bote.

Mbase gjithçka është ndryshe nga kjo që thashë. Unë dua të besoj se fryma e mposht shpatën. Se dashuria e zbut bishën, ashtu sikurse këngëtari mitologjik i zbuste bishat me këngën e tij. Arti na hap porta në çdo murë, si thoshtë Emersoni. Dhe portat mund të na çojnë në botë të ndryshme. Të epërme. Aty ku një Sherehezadë magjeps me rrëfimet e saj edhe një mbret të egërsuar…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button