Rona Nishliu: Do ta kthej karrigen e “The Voice” vetëm nëse…

E cilësuar si një prej zërave më të mirë shqiptarë, Rona Nishliu ka folur për herë të parë si trajnere e “The Voice of Albania”, shkruan TCH.

Në një intervistë për “Wake Up” në “Top Channel”, Rona ka thënë se nuk e priste aspak ftesën që iu bë nga produksioni i “The Voice”: “Ftesa më befasoi, sigurisht që e pranova me kënaqësi. Në shtëpi, madje, u gëzuam të gjithë. Në familjen time ky show është përcjellë vazhdimisht, ndaj kur morëm vesh lajmin, nuk po dinim kush po gëzonte më shumë; unë, mami, babi apo vëllai. Për mua do të jetë një përgjegjësi shumë e madhe. Edhe unë kam dalë nga një spektakël që kishte për qëllim zbulimin e talenteve. Mendoj që me gjithë eksperiencën time do t’i ndihmoj konkurrentët jo vetëm përgjatë garës, por edhe pas saj. Do të jem e gatshme në çdo moment”.

E pyetur se çfarë karakteristikash duhet të ketë sipas saj zëri më i mirë shqiptar, Rona ka thënë se së pari duhet të jetë emocionues: “Në qoftë se një zë do më emocionojë, atëherë pa dyshim që do ta kthej karrigen e kuqe duke e shtypur butonin. Zëri mund të jetë i vogël, i madh, i ëmbël apo protestues, kjo ka pak rëndësi përballë më kryesores: duhet të më emocionojë”!

Po nëse dikush do të vijë në “Blind Audition” me këngën “Suus”; a do ta ktheje karrigen? Përballë kësaj pyetjeje, Rona nuk i ka fshehur dot emocionet: “Më keni vënë në një pozitë të vështirë! Di vetëm t’ju them që do jetë një vështirësi e dyanshme; si për atë që konkurron, ashtu edhe për mua”.

“The Voice” ka zbuluar deri tani dy nga trajnerët e këtij sezoni. Alban Skënderajt dhe Rona Nishliut pritet t’i bashkohen edhe dy trajnerë të tjerë, që së bashku, do të përzgjedhin zërin më të mirë shqiptar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button