Malala: Vizion i imi është të ngremë zërin e vajzave

Aktivistja pakistaneze, Malala Yousafzai njihet si nobelistja e cila e fitoi këtë çmim në moshën më të re krahasuar me nobelistët tjerë. Në vitin 2014 ajo u shpërblye për luftën kundër shtypjes së fëmijëve dhe të rinjve dhe për të drejtën e të gjithë fëmijëve në arsim. Malala, e cila u bë motivim për shumë aktivistë të tjerë rreth botës rrëfeu për REL se si i kishte ndryshuar jeta në të kaluarën e se çfarë planifikon të bëjë në të ardhmen, ndërsa tani është e angazhuar në vetëdijësimin e femrave për të drejtat e tyre.

Në vijim mund ta lexoni intervistën e plotë:

Radio Evropa e Lirë: Malala, si e ka ndryshuar 9 tetor i vitit 2012 – dita kur jeni sulmuar, jetën tuaj?

Malala Yousafzai: Pasi jam sulmuar, jam dërguar në spital; trajtimi ka vazhduar dhe jam sjellë në Birmingham të Britanisë. Prej atëherë, rruga për në shtëpi ka qenë shumë e gjatë. Unë ende s’e kam parë shtëpinë time. Ka qenë e vështirë të jesh larg, por kam gjetur forcë dhe kurajë te mbështetja e shumë njerëzve për shkollimin. Kam dalë në një pozitë tjetër, në një pozitë ku mund të flas për fëmijët globalisht, e jo vetëm për ata të Luginës Suat (Pakistan). Për këtë jam mirënjohëse.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë kujtimesh keni nga dita kur jeni sulmuar nga militantët?

Malala Yousafzai: Kam qenë në autobusin e shkollës, duke biseduar me shoqet. Kishim provime dhe mendonim si të përgatitemi. Si zakonisht, flisnim, bënim thashetheme, qeshnim dhe ëndërronim për të ardhmen, për atë që do të vinte. Por, derisa ishim në autobus duke u kthyer nga shkolla – nuk e kujtoj incidentin por më kanë folur shoqet – jemi ndaluar nga dy burra. Njëri prej tyre ka biseduar me shoferin, tjetri ka pyetur ‘kush është Malala’. Disa nga shoqet kanë shikuar kah unë dhe më pas ai ka shtënë me armë. Një nga plumbat më ka goditur mua, ndërsa dy të tjerë shoqet e mia që kanë qenë ulur pranë meje. Por, ndjehem mirë për faktin që nuk e kujtoj incidentin.

Radio Evropa e Lirë: Malala, fokusi yt është shkollimi. Çfarë keni bërë për komunitetin tuaj Pashtun në Pakistan, i cili thuhet se përballet me sfida serioze në shkollimin e vajzave?

Malala Yousafzai: Ka shumë kultura ku ekzistojnë rregulla striktë kundër grave. Është e rëndësishme ta kuptojmë se jemi ne njerëzit që i bëjmë kulturat. Nëse ka diçka që shkon keq, për shembull kundër të të drejtave të grave, duhet të ngrihemi kundër kësaj, kundër kësaj ideologjie. (Talibanët) na kanë ndaluar të shkojmë në shkollë, të shkojmë në treg apo të dalim jashtë shtëpive.

Ata nuk besojnë në pavarësinë e gruas. Dhe, unë kam ngritur zërin kundër kësaj, kam ngritur zërin kundër terrorizmit që ka ndodhur në atë kohë. Por, që njerëzit tanë Pashtunë të ecin përpara, duhet t’i shkollojmë vajzat e djemtë. Është e rëndësishme ta përhapim këtë mesazh. (Vështirësitë në arsim) nuk janë të kufizuara vetëm në atë rajon, por edhe në pjesë të tjera të botës. E njëjta ndodh në shumë vende në Afrikë. Njerëzit nuk e kanë kuptuar rëndësinë e shkollimit.

Në kulturën Pashtune ka shumë njerëz frymëzues, si poetët Ghani Khan dhe Hamza Baba e shumë të tjerë. Ata janë njerëz të mëdhenj, të talentuar që duan të ngrenë zërin për të drejtat e njeriut, për kulturën Pashtunvali, që është kulturë e mikpritjes, e vëllazërisë, e harmonisë dhe e dashurisë për njëri-tjetrin. Pra, ne duam që t’iu jepet fund traditave që shkojnë kundër të drejtave të njeriut.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni veten në të ardhmen? Aktiviste e shkollimit, e të drejtave të grave, apo politikane?

Malala Yousafzai: Është e vështirë të planifikohet tani, sepse jam ende në shkollë dhe po aplikoj për universitet. Por, më intereson politika, si merren vendimet dhe si i ndikojnë ato të drejtat e grave dhe vajzave. Një nga të drejtat kryesore të grave është ajo për shkollim. Unë po ashtu kam themeluar Fondin Malala me babanë tim dhe vizion i imi është ngremë zërin e vajzave, që ato të shkollohen dhe të pavarësohen.

Radio Evropa e Lirë: Kemi parë të keni vizituar kampe refugjatësh, derisa bëni fushatë për shkollimin e vajzave. Bota tani po përballet me sfidën e migrantëve. Si e shihni përgjigjen e deritashme?

Malala Yousafzai: Kam qenë në shumë kampe refugjatësh. Unë vetë kam qenë refugjate për tre muaj në Pakistan. E di sa e vështirë është të lësh shtëpinë dhe të mos kesh shpresë. Kjo po ndodh në botë tani. Numrat janë në miliona. Shumë njerëz po ikin nga shtëpitë për shkak të luftërave, konflikteve apo arsye të tjera. Kam qenë në Jordani dhe Liban për të parë fëmijët refugjatë sirianë.

Kam qenë në Kenia, në Ruandë, kamë parë shumë vajza refugjate somaleze, nga Burundi. Kur i shihni kushtet e tyre dhe situatën e tyre, është vërtet mjeruese, sepse disa nuk kanë energji elektrike, disa nuk kanë ushqim të duhur, disa nuk kanë shkolla e as mësues. Është tragjike se si po i humbim këto gjenerata. E dimë se politikanët nuk përgjigjen pozitivisht ndaj këtyre situatave, por janë disa njerëz që ngrenë zërin për ta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button