Debati i dytë: Tramp kërcënon Klintonin me prokurori speciale

Pjesa e parë e debatit ka kaluar me sulme personale, por pjesa e dytë ka patur shumë më tepër substancë politike.

Vendi dhe koha. Debati i dytë presidencial është mbajtur të dielën në mbrëmje. Debati është mbajtur në univerzitetin Uashington në qytetin St.Luis, shteti Misuri. Atë e kanë moderuar gazetarët Marta Radatz nga televizioni ABC dhe Anderson Kuper nga CNN. Debati është mbajtur në formatin “toun holl”, ku gjysmat e pyetjeve i kanë bërë gazetarët e gjysmën tjetër anëtarë të publikut.

Debati ka zgjatur 90 minuta. Koha për përgjigje ka qenë e shkurtër kështuqë në këtë periudhë janë mbuluar shumë tema shpejtë e shpejtë.

Tema 1 – Video e Trampit. Debati ka filluar me temën numër një të politikës amerikane për momentin – videoja skandaloze e Trampit. Tramp është përgigjur shkurtë duke thënë se është thjeshtë mënyrë si bisedojnë ndonjëherë burrat, se i vjen keq dhe ka kërkuar falje. Menjëherë pastaj, në tentim për të evituar temën, ka thënë se vendi ka probleme më të mëdha se mënyra si paska folur ai.

Por për Klintonin videoja është shembulli që tregon më së miri karakterin e Trampit dhe pse ai nuk duhet të jetë kryetar. Pyetjes i janë rikthyer edhe gazetarët. I mbështetur për muri Tramp tentoi të kalojë në kundërofanzivë duke përmendur aferat e Klintonit me gra të cilët Trampi madje i kishte ftuar në publik. Ka qenë kjo rradha e Klintonit të eskivojë temën dhe të tentojë të rikthehet me sulme kundër Trampit.

Tema 2 – Emailat e Klintonit. Tema e dytë kishte të bëjë me emailat e Klintonit dhe tani ishte rradha e saj të jetë në defanzivë. Klinton ka përsëritur qëndrimin se ka bërë gabim dhe se nuk do t’a përsëriste gabimin e njëjtë, por sipas saj raporti i FBI-së dhe dëgjimi në Kongres kanë vërtetuar se ajo nuk ka shkelur asnjë ligj.

Tramp përkundrazi ka akuzuar Klintonin se ka shkelur ligjet federale dhe ka përdorur të njohurit e saj në pushtet për t’i ikur padisë penale.Ai ka premtuar se në rast se fiton do të emërojë një prokuror special që do hetojë çështjen e Klintonit dhe me gjasë ajo do të përfundojë në burg. Kjo me siguri ka qenë rasti i parë në histori kur një kandidat ka kërcënuar kundërshtarin me burg.

Tema 3 – Obamaker. Në çështjet e reformës shëndetësore Obamaker kandidatët kanë përsëritur qëndrimet e tyre të njohura. Në tentim të trashëgojë me automatizëm votuesit e Obamës Klintonit iu desh të mbrojë ligjin, me gjithë mangësitë që ka. Ajo ka premtuar se do të vazhdojë të përmirësojë ligjin, për të cilin thotë se ka baza të shëndosha.

Ndërkaq Tramp premtoi se do të anulojë komplet ligjin dhe do të ulë çmimet astronomike të shërbimeve shëndetësore me rritjen e konkurencës mes kompanive të sigurimit,

Tema 4 – Islamofobia. Një femër muslimane nga publiku ka ngritur pastaj çështjen e islamofobisë dhe sulmeve në rritje kundër komunitetit musliman në SHBA. Në vend të kësaj Tramp ka folur për terrorizmin duke ripërmendur sulmet e vitit të fundit. Ai ka akuzuar Klintonin se nuk mund të luftojë islamin radikal përderisa refuzon t’ia përmendë edhe emrin.

Klinton ndërkaq ka shrytëzuar islamofobinë si trampolinë për të riakuzuar Trampin si jotolerant duke i përmendur edhe grupet tjera që ai denigron pandalur.

Në këtë pikë është ngritur edhe çështja e refugjatëve. Tramp ka akuzuar Klintonin se don të pranojë 550% më tepër refugjatë nga Siria pa ditur se kush janë ata, e kjo mund të jetë e rrezikshme. Klinton u kundërpërgjigj duke rikujtuar vuajtjet e civilëve sirianë, sidomos fëmijëve. Ajo ka premtuar se të gjithë refugjatët do të shqyrtohen me kujdes para se të pranohen në Amerikë.

Tema 5 – Tatimet. Në pikën e tatimeve është ringritur pyetja pse Tramp nuk hap dosjet e tij financiare dhe nëse është e vërtetë se nuk ka paguar tatime federale për një kohë të gjatë. Tramp nuk ka mohuar se ka shfrytëzuar beneficionet dhe dedukstionet që ofron kodi tatimor, por ka thënë se këtë e bëjnë të gjithë, madje të gjithë donatorët e Klintonit. Ai ka thënë se Klinton ka mundur të ndryshojë ligjin nëse nuk i ka pëlqyer, pasi ka qenë senatore.

Përndryshe debat për tatimet ka qenë në vija ideologjike. Klinton mban vijën demokrate për rritje të tatimeve për më të pasurit, ndërsa Tramp premton ulje të tatimeve për të gjitha shtresat sociale.

Tema 6 – Siria/Alepo. Në debat është ngritur edhe problemi i Sirisë dhe katastrofës humanitare që po ndodh në Alepo. Klinton ka premtuar se si kryetare do të vendoste zonë të ndaluar fluturimi, pa angazhuar trupa tokësore. Ajo ka fokusuar fajin për krizën momentale te Rusia, duke e ndërlidhur me Trampin i cili rregullisht ka fjalë të mira për Putinin.

Tramp me të drejtë ka tentuar të hedh fajin te politika e jashtme e Obamës, pjesë e së cilës për katër vjet ka qenë Klintoni. Por si zakonisht ka ngatërruar totalisht faktet dhe rrjedhën e argumentit, herë duke fajësuar rusët, iranianët e Asadin si problematikë e herë duke i lavdëruar sepse po luftokan ISIS-in.

Fundi. Pyetjen e fundit të debatit e ka bërë një person nga publiku, i cili ka pyetur kandidatët se çfarë respektojnë te tjetri. Klinton tha se respekton fëmijët e Trampit dhe mënyra se si janë rritur. Pasi falemnderoi Klintoni për këtë kompliment, Tramp tha se respekton faktin që Klinton është luftëtare dhe nuk dorëzohet.

Me këtë debati ka përfunduar me notë të mirë. Kandidatët në fund majde kanë shtërnguar duart njëri tjetrit, gjë që kanë refuzuar t’a bëjnë në fillim.

Kush fitoi. Tramp ka patur fillim tejet ters dhe përsëri ëshët dukur totalisht i papërgatitur, sidomos me përgjigjet rreth videos së tij skandaloze. Ai ka rekuperuar diçka në pjesën e dytë. Mund të thuhet se ai ka ndalur për momentin rrënimin e tij, por në këtë debat atij i duhej një fitore e pastër, gjë që nuk e ka arritur. Klinton nuk ka qenë e jashtëzakonshme si në debatin e parë, por kjo as nuk i duhej. Debati në total mund të konsiderohet si barazim, e kjo shkon në favor të status-quosë së garës, gjegjësisht në favor të Klintonit.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button