Shfaqet video skandaloze e Trampit; Republikanët po e braktisin, Klinton tani në epërsi të dukshme

Surpriza e tetorit këtë rradhë ka goditur Trampin me shfaqjen e një video skandaloze të tij nga viti 2005.

Surpriza e tetorit. Në folklorin politik amerikan një vend të posaçëm zen e ashtuquajtura “Surprizë e Tetorit”. Pasi zgjedhjet presidenciale përherë mbahen në fillim të nëntorit, muaji tetor është koha kur zakonisht kanë dalë në shesh gjëra të paditura për kandidatët. Ndonjëherë këto kanë qenë gjëra të vogla që nuk kanë bërë ndonjë ndryshim, por ka patur raste kur surpriza e tetorit ka ndryshuar tërësisht garën.

Ndër surprizat që kanë ndikuar garën mund të përmendet si shembull publikimi i një video private të Romnit në tetor 2012. Para një takimi privat me përkrahës të pasur të tij Romni kishte deklaruar se nuk i interesojnë 47% e amerikanëve që janë të varfër dhe nuk paguajnë tatime. Po atë vit si surprizë mund të llogaritet uragani që goditi Nju Jorkun e Nju Xhersin, e që Obama e menaxhoi me sukses.

Ndër surprizat që nuk kanë ndikuar në garë mund të përmendet paraqitja publike e Bin Ladenit disa ditë para zgjedhjeve 2004. Katër vite më herët doli në shesh një vërtetim se kandidati Bush ka qenë i arrestuar për vozitje në gjendje të dehur.

Këtë vit me të madhe pritej që surpriza e tetorit të ishte një publikim i Uikiliksit për aferat e Klintonëve. Këtë e kishte paralajmëruar vetë themeluesi i Uikiliks, Xhulian Asanzh. Nga Uikiliks hër për hë nuk ka gjë, por surpriza e tetorit tanimë është një video e Trampit që kërcënon t’a fundosë totalisht kandidaturën e tij.

 

Video e Trampit. Të premten në mbrëmje gazeta Uashington Post ka publikuar në sajtin e saj një video të Trampit nga viti 2005. Në video dëgjohet biseda e Trampit me një producent nga programi televiziv “Access Hollyëood”. Në të Trampi me gjuhë krejtësisht grafike rrëfehet si i është vardisur një femre të martuar por pa sukses. Ai thotë se shpesh i puth direkt femrat e bukura sapo i takon, se i kap për organet gjenitale dhe se shpesh ato nuk kundërshtojnë sepse Tramp është i njohur. Nga larg ata shohin dhe komentojnë kohostesën e emisionit, madje Tramp përgatitet për t’a puthur sapo t’a takojë. Nuk duhet harruar se kjo është në një kohë kur ai është i martuar me Melania Trampin.

Gjuha tejet grafike dhe rrëfimet e Trampit nuk lënë dyshim se Tramp është predator që sulmon seksualisht femrat pa dëshirën e tyre. Videoja definitivisht nxjerr në shesh karakterin e tij si predator seksual, të papërshtatshëm për një kandidat për president të Amerikës.

Videoja mund të shihet te sajti i Uashington Post ose në youtube në këtë link: https://www.youtube.com/watch?v=koTrmin5n0g

 

Braktisja e republikanëve. Videoja so duket ka mbushur kupën e një numri funksionarësh republikanë, madje edhe të tillëve që kanë mbështetur deri tash Trampin. Sajti 538 llogarit se nga 331 funksionarë të lartë republikanë (guvernatorë, senatorë, kongresmenë), 286 deri dje kanë përkrahur deri dje Trampin. 45 të tjerë (një numër ky tepër i madh) nuk e kanë mbështetur atë asnjëherë dhe kishin deklaruar publikisht se nuk do t’a votonin Trampin për kryetar.

Por në 24 orët e fundit 17 funksionarë republikanë kanë tërhequr mbështetjen e tyre të mëparshme dhe kanë thënë se nuk do të votojnë për të në zgjedhjet presidenciale. Në total 19 republikanë madje kanë kërkuar që ai të tërhiqet nga gara.

Ç‘është më e keqja duket se ky numër nuk do të ndalet me kaq. Tramp ka marrë akuza të ashpra nga një sërë republikanësh tjerë. Të dielën ai është dashur të paraqitet në tubim të përbashkët me republikanin më të lartë në SHBA, spikerin e Dhomës Pol Rajan. Pas videos Rajan menjëherë ka sulmuar Trampin dhe ka refuzuar të paraqitet bashkë me të në publik, duke anuluar kështu tubimin. Qortimi i këtillë nga lideri kryesor republikan mund të përçojë sinjal të fortë te funksionarët tjerë republikanë që të vendosin t’a braktisin Trampin.

 

Tërheqja e Trampit? – Në qarqet politike amerikane tanimë me të madhe flitet për mundësinë e tërheqjes së kandidaturës së Trampit. Kjo mund të ndodhë në disa mënyra. Së pari Tramp mund të dorëhiqet vetë dhe t’a lërë nënkryetarin Majk Pens si kandidat për president. Së dyti mund të rimblidhet konventa republikane dhe të emërojë tjetër kandidat tjetër. Së treti këtë mund t’a bëjë edhe trupi i përhershëm i Komitetit Nacional Republikan. Në dy rastet e fundit kjo do të bëhej pa dëshirën e Trampit dhe ai do të qëndronte zyrtarisht si kandidat, por Konventa republikane do të mund të dirigjonte zgjedhjen e kandidatit tjetër me mekanizma tjerë.

Sidoqoftë tanimë është tepër vonë që emri i Trampit të tërhiqet nga fletëvotimi. Por nuk duhet harruar se presidentin amerikan e zgjedhin elektorët. Nëse vjen te ndryshimi i kandidatit, elektorët republikanë do të votonin për kandidatin e ri kur të mblidhen në dhjetor. Secili variant gjithsesi është i parëndësishëm nëse zgjedhjet i fiton Klintoni.

Situata momentale e anketave. Nëse Tramp ishte pothuaj i barazuar me Klintonin para debatit të parë, paraqitja e dobët në debat kishte rritur epërsinë e Klintonit edhe para publikimit të videos. Ja si është gjendja e anketave sot dhe si krahasohet me gjendjen para dy javëve:

Modeli Klinton Tramp Diferenca Diferenca 7 shtator
RCP 47.5% 42.9% Klinton +4.6 Klinton +2.5
HuffPost 48.3% 41.9% Klinton +6.4 Klinton +4.3
538 48.4% 44.1% Klinton +4.3 Klinton +1.7
Gjasat – bastoret 87% 13% Klinton +74 Klinton +44

 

E shumta e anketave nuk reflektojnë ende fenomenin e videos, kështuqë realisht Tramp mund të kishte rrënë edhe më tepër.

 

Debati i sontëm. Fati i Trampit mund të vuloset përfundimisht në debatin e sontëm. Është paksa engimatike qëndrimi që do të marrë ai pas debaklit në debatin e parë dhe shfaqjes së videos. Në njërën anë ai mund të tentojë të duket më presidencial dhe më i matur, gjë që do të jetë e vështirë pas skandalit të videos. Më reale është që ai ka kuptuar se nuk ka më çka të humbasë dhe të lëshohet në sulm total ndaj Hillarit, duke rikthyer në debat aferat seksuale të Bill Klintonit. Debati ka gjasa të shndërrohet në përplase të nivelit të ulët të paparë në historinë presidenciale amerikane.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button