Mustafa: Trepça na bashkoi të gjithëve
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i lumtur me faktin që një çështje si ndërmarrja e Trepçës dhe e ardhmja e saj ka bashkuar të gjithë spektrin politik – përjashto Lëvizjen Vetëvendosje, njofton Klan Kosova.
“Dje kaluam një ditë të rëndësishme destinuar Trepçës dhe ardhmërisë së saj. Aprovuam një ndër ligjet më të mira në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Ligjin e Trepçës. Trepça na bashkoi të gjithëve, ata që e përkrahën, por edhe ata që nuk e përkrahën ligjin”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.
“E përgëzoj Kuvendin, i cili 17 vjet pas çlirimit arriti, që së bashku me Qeverinë, t’i jap drejtimin e duhur zhvillimit të Trepçës”.
Mustafa është shprehur falënderues edhe ndaj deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.
“Një kontribut shumë të mbarë e dhanë edhe deputetët e AAK-së dhe të Nismës. Aty ishin edhe deputetët e Listës Serbe, të cilët e shfrytëzuan të drejtën e tyre të prezantojnë qëndrimet për Ligjin në një proces demokratik”.
“Akoma nuk i kemi përfunduar të gjitha punët e shtetndërtimit tonë, prandaj na nevojitet një bashkëpunim dhe unitet më i lartë për tema që janë në interes të të gjithëve”.