Çingitë e Elbasanit ose geishat shqiptare

“Çingitë”, i përkasin viteve 1840 deri në vitet 1940, të cilat kanë ekzistuar në Shqipëri për një shekull. Me këtë emër u quajtën femrat më të bukura të Elbasanit që demostronin kostumin popullor të këtij qyteti, ndërsa hamamet ishin skenat orgjinale të çingijave. Etnologu Thanas Meksi, thotë se “Hamami i Shabanajve, në qendër të qytetit, mund të quhet si “ monument kulture i  çingijeve”. Hamamet ishin objekte kurimi dhe mesazhuese, por gjatë viteve 1840 -1940, ato u kthyen edhe në objekte argëtimi, duke ofruar femra të bukura të qytetit, për t’i shërbyer klientëve me këngë dhe me valle, të veshura me kostume të shtrenjta popullore të Elbasanit, por shpesh të dala edhe gjysmë lakuriq.

Sipas etnologut Thanas Meksi “ky fillim nuk ishte i keq… ” Shpesh në hamame shkonin burrat të cilët argëtoheshin me çingijet, kërcimet e tyre, veshjet e tyre të bukura, madje deri tek ledhatimet. “ Elbasani kishte një grup çingijesh, vajza me të vërtetë të bukura, madje dhe konkurente me njëra-tjetrën. Në vitet në vijim, ato preferoheshin edhe në dasma, festa të ndryshme, dhe nuk gjykoheshin apo pengoheshin nga askush”, thotë Meksi.

Kostumet e tyre popullore, plot shkëlqim dhe inxhi, si edhe zbukurime të tjera të ardhura nga Azia, kundroheshin nga burrat, por edhe nga femrat. “ Tushi i Vajes, apo Bali i K, apo në Peqin Shejen e famshme, motrat Xhekja e madhe dhe e Vogël, admiroheshin për nga mënyra se si kërcenin me veshjet e tyre aq të bukura. Kam dëgjuar nga të moshuarit vite më parë se bukuri të rrallë të kërcimeve të çingijeve zor se gjeje“, thotë Meksi.

Jo pa qëllim mund të quhen top modele të kohës, të atyre viteve, për nga vetë bukuria fizike, madhështia e kostumeve popullore, por që kjo bukuri i bënte këto femra që ta mbyllnin jetën e tyre beqare.“ Ato nuk krijonin familje, jo se quheshin të “ përdala”, por gjatë kohës që kryenin aktivitetin e tyre, ato lidheshin në heshtje me një xhanan (të dashur), që nuk i lëshonte deri në vdekje, ashtu si Geishat, paçka se xhanami ishte i martuar.Ndërsa të tjerat rrinin pa martuar, ose martoheshin në një qytet tjetër apo jetonin me të ardhurat e punës së tyre”, thotë Meksi.

Çingitë i zbukuronte shumë edhe veshja e tyre popullore, nga më të shtrenjtat, pasi punoheshin me fije ari, me inxhi dhe shumë materiale të shtrenjta që vinin nga jashtë dhe që punoheshin nga gra dhe vajza elbasanase me gjergjef. Çitjanet ose dimitet ishin të qëndisura dhe me pala, madje edhe këmbëzat e kostumit dhe këpucët qëndiseshin, çingijet mbanin bizhuteri nga më të shtrenjtat, ndërsa grimi bëhej me solucione të përziera me zhivë.

“Çingija që të quhej si më e mira, duhej të realizonte kërcimin fantastik në tepsi, e cila vihej në mes të tavolinës, dhe në kulmin e haresë, ajo demostronte vallen.   Karakteristikë e këtyre valleve ishte luajtja e belit, tregimi i pjesës së barkut jashtë dhe harkimet trupore në harmoni me një lëvizje elegante të këmbëve”, thotë Meksi.

Madje shumë vite më pas, kur çingijet ishin në karrierën e tyre, shumë prej tyre plakeshin, dhe të tjera të reja ja zinin vendin, dhe ka qenë pikërisht kjo kohë ku shumë kompozitorë kanë shkruar dhe kompozuar këngë dhe vallet e luajtura nga çingijet. Një këngë e kushtuar për Shejen e Peqinit Tushin e Vajës, apo Nepin vazhdojnë këndohen edhe sot.

Meloditë e këngëve; “ Ulu mal të dali hëna”, apo “ Lujma lujma belin”, kanë bazë folklorike, këngë të cilat në vitin 1983 kanë marrë pjesë në festivalin  Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës, grupi i vajzave në Elbasan arriti të realizojë një pjesë të artit të të kërcyerit të çingijes në këtë festiva”, përfundon Meksi.

Këto ishin çingijet, kush e di pse të quajtura kështu, të harruara me kohën, dhe që të rinjtë e sotëm as që nuk e kuptojnë emrin që ato kanë, por që vlerat dhe afeksionet e tyre nxjerrin në pah artin muzikor dhe koreografik të kohës.

Burimi: Shqiptarja.com

Lajme të ngjashme

Back to top button