Kryeministri Mustafa: Trepça do të jetë një korporatë unike

Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot mbajti seancën plenare, ku u bë shqyrtimi i parë i Projektligjit për Trepçën. Ky projektligj kaloi në leximin e parë me 82 vota pro, dhe 12 abstenime. Kurse leximi i dytë dhe miratimi në tërësi i ligjit do të bëhet në seancën e re, e cila do të mbahet pas disa orësh , raporton Anadolu Agency (AA).

Në fillim të mbledhjes, me propozim të kryetarit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, u vendos që në këtë seancë pika e vetme e rendit ditë të jetë Projektligji për Trepçën. Gjithashtu deputetët vendosën që projektligji të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar. Ndërkaq, deputetët votuan kundër propozimit të deputetit nga Lista Serbe, Slavko Simiq, i cili kërkoi që në seancën e sotme të hiqet nga rendi i ditës Projektligji për Trepçën.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë fjalimit të tij prezantues për Projektligjin e Trepçës u shpreh se ky projektligj është ligj i rëndësisë së veçantë për Kosovën, sepse Trepça paraqet sinonimin e sakrificës dhe të flijimit të këtij vendi. Ai shtoi se synojnë hapjen e Trepçës për të ardhmen, e jo ajo të kthehet në të kaluarën. Mustafa vuri në dukje se nëpërmjet kësaj do të mundësohet zhvillimi ekonomik i vendit, ku do të mbrohen interesat e minatorëve të Trepçës.

“Ligji përcakton qartë se resurset minerare, janë pronë e Republikës së Kosovës. Prandaj me këtë ligj prona e Trepçës është dhe mbetet pronë e republikës së Kosovës. Ndërkaq shfrytëzimi i resurseve pronare bëhet në bazë të licencës për hulumtim dhe zhvillim të lëshuar në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës. Trepça sipas këtij ligji do të organizohet si shoqëri aksionere, ku aksioner kryesor do të jetë Qeveria e Kosovës me 80 për qind të aksioneve dhe 20 për qind e aksioneve do të jenë punëtorët e Trepçës”, u shpreh Mustafa.

Ai shtoi se Trepça do të jetë një korporatë unike, me bilanc të konsoliduar, por që edhe njësitë biznesore do të kenë pavarësinë e tyre. Mustafa së fundi shtoi se transformimi i Trepçës është në interes të zhvillimit te vendit dhe qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë të gjithë komunitetet e saj.

Gjatë kohës së debatit në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Berisha Shala u shpreh se ardhja e këtij projektligji në kuvend është ngjarje e rëndësishme për ekonominë e Kosovës. Duke vënë në dukje se nëpërmjet këtij projektligji po hapen dyert si për investitorët vendorë ashtu edhe për të jashtëm, Shala u shpreh se “Ky projektligj njëherë e përgjithmonë po e ridefinon pronësimin e pasurive të Trepçës e të gjithë pajtohemi se pronari i vetëm është Republika e Kosovës.”

Ndërkaq deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, theksoi se e vërteta e cila qëndron prapa këtij projektligji është se Trepça së shpejti do të shitet, ku ky projektligj po kushtëzon privatizimin e saj. Duke vënë në dukje se duke e votuar këtë projektligj, Kuvendi po e përjashton veten nga vendimmarrja e Trepçës, Ymeri u shpreh se “Në fakt Republika e Kosovës nuk po e merr pronësinë e Trepçës. 80 për qind të aksioneve do t’i pronësojë Qeveria e Kosovës, që nuk është fare në përputhje me ligjet.”

Kurse Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, u shpreh se po flet në emër të gjithë komunitetit serb dhe të 3 mijë punëtorëve të Trepçës, duke theksuar se të gjithë ata besojnë që ky projektligj po e rrezikon popullsinë serbe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button