Kujtoja të mirën komshiut

Komunizmi, ideologjia që Perëndinë e quajti opium…, vdiq e shkoi duke e pasur Zotin zët. Ajo e pa Atë si kundërshtar dhe i shpalli luftë, tentoi ta çrrënjosë nga shpirti i njerëzimit, i përdhosi tempujt e Tij, i shndërroi në muze historishë të rreme… Disa nga ngrehinat më të bukura të kultit (shumë xhami dhe kisha shqiptare katolike e ortodokse…) i tjetërsoi apo i rrënoi nga themeli.

Në luftën absurde ndërmjet birit të partishëm dhe tempujve të krijesave të Zotit, e pësuan keq këto të fundit, e të gjitha besimeve, pa përjashtim. Por, atë që pësoi Teqja Bekta­shiane Shqiptare, nuk rrëfehet dot. Aq e pamëshirshme qe kazma bolshevike, sa e zhbëri gati nga faqja e dheut. Veç në Maqedoni janë shembur nga themeli dhjetra teqe bektashiane dhe për pasojë janë penguar besimtarët që t’i luten Zotit, të komunikojnë me Të sipas qejfit dhe bindjeve personale, si gjithë ne të tjerët. Në fe nuk ka dhunë, thotë Libri i shenjtë, apo?

Thuhet se çdo gjë ka fundin e vet, andaj, me agun e demokracisë u duk sikur mori fund edhe dhuna e ushtruar ndaj Zotit. Kështu, pas vitit 1990, kur Maqedonia nënshkroi marrëveshjen evropiane për të drejtat dhe liritë e besimit, fetë e fituan statusin e dëshiruar në shoqëri. Të gjitha, po jo dhe Bektashizmi. Teqetë e rralla bektshiane mbetën pengje të magjive të zeza të komunizmit titist të veshur me demokraci. Është më tepër se i çuditshëm fakti përse kjo marrëveshje nuk u zbatua për të gjithë njësoj dhe përse u zgjodh rruga zikzake e zbatimit të saj? Përse me dekret qeveritar vetëm besimtarëve pravosllavë iu kthyen manastiret e uzurpuara në kohën e komunizmit?

Natyrisht, në këso rrethanash, bektashinjtë bënë gjithçka që tempujt e tyre të mos përdhosen prore nga mendësia e Iblisit dhe mumive të komunizmit. Ata u ankuan; bënë me kohë kërkesë për riregjistrimin e bashkësisë së tyre, si gjithë të tjerët; bise­duan dhe morrën premtimet e shumëkujt; i njoftuan mediumet brenda dhe jashtë vendit; pritën ndihmë nga klerikët e feve të tjera, po asgjë prej gjëje s’doli. Teqet bektashiane shqiptare, sot e gjithë ditën, mbetën pengje në kthetrat e ujkut të stepeve që ka ndryshuar qimen, po jo dhe tabiatin, duke fyer Zotin dhe njerëzit, të cilit duan t’i luten Atij në qetësi, si prindërit e tyre.

Në të vërtetë, propozime për ndihmën e teqeve ka pasur që para 25 vitesh, po këto qenë vetëm bllofe. Megjithatë, teqet bektashiane janë teqe bektashiane, pa pasur nevojë të thuhet: pikë! Të tilla kanë qenë me shekuj – të tilla duhet të jenë dhe të mbeten gjersa të kenë qoftë edhe një praktikant dalëzotës. Të tjerat janë llafe. Bektashinjtë kanë tapitë mbi teqetë dhe patundshmëritë – tokat dhe dyqanet e tjetërsuara padrejtësisht prej mendësisë kubare të më të fortit, që nuk e ka të qartë se mirëkuptimi dhe toleranca janë themelet dhe shtyllat mbajtëse të besimit.

Një verset Kur’an-or thotë: Kujtoi të mirën vëllaut tënd ose komshiut që ajo të bjerë mbi ty.

Diçka e ngjashme haset edhe në Bibël, ndaj po e mbyllim me kaq.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button