Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi Projekt-ligjin për Trepçën

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u bë votimi për “Projektligjin për Trepçën”, e cila u aprovua dhe u procedua për në Kuvend. Ndërkaq ministrat e Listës serbe nuk e votuan atë, duke theksuar se bashkësia serbe po përjashtohet nga ky proces, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë mbledhjes i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se Qeveria ka gjetur zgjidhjen optimale për Trepçën, duke theksuar se resurset minerale janë pronë e Kosovës. Ai shtoi se ky ligj nuk është hartuar për të mbrojtur interesat politike, por për ta konstatuar të ardhmen e saj e cila do të punojë mbi bazat e ekonomisë së tregut.

Gjatë prezantimit të Projektligjit për Trepçën, ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, u shpreh se ky projekt-ligj ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore i cili synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ai theksoi se hapja e rrugës për investime, rritja e vlerës së aseteve dhe avancimi i kapitalit tekniko-teknologjik, si parakusht për rivitalizimin e Trepçës, janë çështje jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik.

Stavileci shtoi se Trepça po transformohet në shoqëri aksionare ku Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronar i saj 80 përqind, kurse punëtorët pronarë të 20 përqind të këtyre aksioneve.

“Ky projekt-ligj trajton edhe çështjet si resurset minerale, bartja e pasurisë të të drejtave dhe burimeve njerëzore, statutin, regjistrimin dhe qeverisjen e shoqërisë aksionare, mundësinë e formimit të njësive të tjera biznesore, mundësinë e pjesëmarrjesë së sektorit privat, çështjet sociale dhe raportin me komunitetin si dhe dispozitat kalimtare dhe përfundimtare”, u shpreh Stavileci.

Kurse zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shprehu se hartimi i këtij projekt-ligji ka qenë i vështirë, duke theksuar se kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme. Ai shprehu se me këtë projekt-ligj do të ketë një ekonomi të lirë të tregut si dhe një mundësi për menaxhim adekuat, sipas Kushtetutës së Kosovës.

Ndërkaq, ministrat e Listës Serbe, nuk u pajtuan me votimin e Projekt-ligjit për Trepçën, ku zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviç u shpreh se ky projekt-ligj ka të bëjë më shumë me çështje politike se sa me ato ekonomike.

Ai theksoi se gjatë këtij procesi pjesëmarrja e tyre ishte shumë e vogël dhe shtoi që për pranimin e saj edhe nga Lista Serbe, ky projekt-ligj duhet të ndryshohet.

“Nëse kjo nuk ndodh ne nuk do ta votojmë as në Kuvend”, u shpreh Stojanoviç.

Këtë e pohoi edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, duke theksuar se janë detyruar të votojnë kundër, meqë komuniteti serb është plotësisht i përjashtuar nga ky proces.

Pas procedimit nga ana e Qeverisë, Projekt-ligji për Trepçën do të shqyrtohet në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet të premtën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button