Partitë shqiptare “pro” PSP sa për sy e faqe

Kur dëgjojmë retorikat e partive shqiptare në Kuvend ata gojën plotë janë pro funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike pa pengesa. Mirëpo, të njëjtat në Kuvend dje nuk ishin njëzëri në votimin e Ligjit për dëshmitarët e mbrojtur edhe pse kjo ishte kërkesë e vet Prokurorisë Speciale Publike. Sot në Kuvend, ndryshimin e Ligjit për dëshmitarët e mbrojtur e ka risjellur deputeti i pavarur Pavle Trajanov, raporton Portalb.

“Sot do të propozoj ndryshime të dy ligjeve të cilët dje nuk kaluan në Kuvend. Vlerësoj se në këtë mënyrë do të hapet mundësi më e madhe për diskutime dhe për debate argumentuese mes deputetëve. Fillimisht do të diskutohen në komisionet kuvendore, ndërkaq pastaj edhe në seancë të Kuvendit”, deklaroi Trajanov.

BDI dhe PDSH janë në një linjë, gojarisht, për ta përkrahur punën e PSP. Gjithashtu ato pajtohen edhe për atë se fillimisht Pavle Trajanov duhet t’i konsultojë që ta dinë se cfarë po propozohet.

“Kjo iniciativë ashtu si iniciativa e djeshme, e LSDM-së, janë të njëanshme, të paharmonizuara dhe në fakt devalvon një çështje shumë të rëndësishme që buron nga një marrëveshje e nënshkruar nga katër partitë më të mëdha, siç është PSP. Ne si PDSH e kemi mbështetur dhe do ta mbështesim punën e PSP, me qëllim që asaj t’i mundësohet funksionim pa pengesa. Ne nuk do të ndjekim iniciativa të njëanshme, sidomos kur ato nuk marrin guximin as të na konsultojnë, apo të koordonohemi për të njëjtat. Këto veprime vetëm e devalvojnë punën e PSP”, tha Imer Aliu, kryetari i grupit parlamentar të PDSH-së.

“Së pari duhet ta shohim se cka propozon deputeti Pavle Trajanov dhe çka mbajnë ata ligje. Pas shqyrtimit të ligjeve grupi parlamentar i BDI-së do të ndërtojë qëndrim, bashkë me kryesinë qëndrore. Duhet të kemi parasysh se ligjet e këtilla duhet të sillen me konsensus, sepse Marrëveshja e Përzhinos u soll me konsensus. Ne qëndrojmë pas PSP, pasi që ne e kemi votuar formimin e PSP. Kuptohet, nëse iniciativa të këtilla vijnë nga PSP ne do t’i përkrahim”, tha Rafis Haliti, deputet i BDI-së dhe zëvendës kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, raporton Portalb.

Nga LSDM thonë se VMRO-DPMNE vazhdon të ikë nga drejtësia.

“Ne jemi të vetëdijshëm se VMRO-DPMNE do të vazhdojë të ikë  nga përballja me të vërtetën dhe  si afrohen zgjedhjet ,  frika  nga marrja e përgjegjësisë , bëhet më e madhe. Por ata duhet të jenë të vetëdijshëm se  nuk mund të ikin përgjithmonë.  Po  afrohet dita kur të gjithë do të duhet të mbajnë përgjegjësinë  për veprimet e tyre. Vjen një kohë e përgjegjësisë dhe transparencës. Maqedonia nuk mund më  të udhëhiqet nga njerëzit që kanë frikë të ballafaqohen me faktet dhe nuk kanë ndjenjën e përgjegjësisë”, u shpreh Goran Sugareski, kryetar i grupit parlamentar të LSDM-së.

VMRO-DPMNE ka përsëritur qëndrimin e djeshëm.

“Ne nuk do të pranojmë kërkesa që janë jashtë Marrëveshjes së Përzhinos. Nuk e dimë me çfarë baze nga Kuvendi kërkon ndryshime për ligje, nëse është jo legjitim. Nëse është jo legjitim nuk ka të drejt as të sjellë ligje. Fakti që iniciativat vijnë nga LSDM dhe PSP, kjo do të thotë se janë sinonime”, potencoi Ilija Dimovski.

Familjarët e rastit “Monstra” shprehen të habitur me veprimet e deputetëve shqiptarë

“Është bërë me marrëveshje, disa ta votojnë të tjerët jo. Këndej thonë ishin pro, ndërkaq s’ka asnjë rezultat. Mua më vjen keq. Nuk e di me çka janë të zënë peng deputetët shqiptarë. Ata ndoshta janë më në zorë se ne që jemi të burgosur. Nuk është në rregull! Por, s’kemi çfarë të bëjmë”, tha për Portalb Bedri Ajdari, familjar i të akuzuarve në rastin Monstra.

“O janë të lidhur peng me përgjimet e veta, tani po e mbrojnë vetveten. Nga njëra anë e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Përzhinës, nga ana tjetër nuk e përkrahin. Ju e patë edhe reagimin e ambasadës amerikane”, shtoi Ajdari më tutje./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button