Nuk përkrahet PSP, familjarët e rastit Monstra: Nuk e dimë me çka janë të zënë peng deputetët shqiptarë

Obstruksionet ndaj punës së Prokurorisë Speciale Publike nuk kanë të ndalur. Pengimi i ndryshimeve në ligjin për dëshmitarët mbrojtës nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ishte obstruksioni i radhës ndaj institucionit të PSP.

Prokuroria Speciale Publike, ka kohë që ka kërkuar ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Sipas tyre, me qëllim që të hyjnë më thellë në lëndët e vështira si “Monstra”, “Sopoti” dhe “Martin Neshkovski”.

Familjarët nga rasti “Monstra”, çdo ditë e më shumë po e humbin shpresën në drejtësinë e Maqedonisë, bazuar në veprimet e politikanëve shqiptarë në Kuvend, në raport me Prokurorinë Speciale Publike.

“Është bërë me marrëveshje, disa ta votojnë të tjerët jo. Këndej thonë ishin pro, ndërkaq s’ka asnjë rezultat. Mua më vjen keq. Nuk e di me çka janë të zënë peng deputetët shqiptarë. Ata ndoshta janë më në zorë se ne që jemi të burgosur. Nuk është në rregull! Por, s’kemi çfarë të bëjmë”, tha për Portalb Bedri Ajdari, familjar i të akuzuarve në rastin Monstra.

“O janë të lidhur peng me përgjimet e veta, tani po e mbrojnë vetveten. Nga njëra anë e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Përzhinës, nga ana tjetër nuk e përkrahin. Ju e patë edhe reagimin e ambasadës amerikane”, shtoi Ajdari më tutje.

Sipas tij, PSP po e bën atë që duhet me bë, ndërsa politikanët nuk e ndihmojnë dhe puna e saj kështu shumëzohet me zero. Prandaj, siç thotë ai, njëjtë është sikur të mos kishte ekzistuar.

Deputetët e BDI-së nuk ishin unik në mbështetjen e këtyre propozim ligjeve. Nga BDI arsyetohen se ky propozim ligj është iniciativë e partisë opozitare LSDM dhe se duhet të jetë drejtpërdrejt nga Katica Janeva për ta përkrahur njëzëri.

“Jo! Bëhet fjalë për iniciativë të një partie opozitare maqedonase. Sikur propozimi të vijë nga Prokuroria Speciale Publike, gjithsesi se BDI do ta përkrahin një iniciativë të këtillë. Edhe njëherë potencojë, iniciativa të këtilla duhet të vijnë nga Prokuroria Speciale Publike. Ashtu sikurse me konsensus i kemi votuar të gjitha ndryshimet, gjithsesi se edhe propozim ligjet të cilat do t’i kërkojë Katica Janeva ne do t’i votojmë. Kuptohet, duhet të argumentohen me gjuhën e argumentit. Disa deputetë të BDI-së nuk votuan pro, por as nuk votuan kundër”, tha Rafis Haliti.

Për shqetësimin e pengimit të PSP në punën e saj është deklaruar edhe eksperti juridik Bajram Pollozhani.

“Kjo është një dëshmi e vazhdimit të obstruksioneve ndaj PSP-së. PSP që nga krijimi u ballafaqua me obstruksione, nga vonesa dhe sigurimi i mjeteve, nga vonesat në ngritjen e kapaciteteve teknike- zyrat, …  deri te obstruksionet në procedurat gjyqësore. Prokurorja speciale iniciativën e ka parashtruar në Kuvend. Si propozuese u paraqit LSDM. Fakti që të gjitha partitë e kanë përkrahur institucionin e PSP-së, është pritur që të votohet ligji. Por, meqë votat nuk u siguruan u bë obstruksioni”, tha për Portalb Pollozhani.

Për rastin në fjalë, ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, duke theksuar se i inkurajon të gjitha partitë politike që t’u mbahen detyrimeve të cilat i kanë marrë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përzhinës së 20 korrikut, ndërkaq ata shtojnë se në këto detyrime bën pjesë edhe përkrahja e PSP-së.

Edhe pse në publik partitë parlamentare shqiptare zotohen se janë në një linjë me faktorin ndërkombëtar, veprimi i djeshëm tregoi diçka tjetër.

“Politikanët shqiptarë deklarojnë se janë në hap me faktorin ndërkombëtarë. Megjithatë, pamë dje se edhe Ambasada amerikane ka pritur që të mbështetet Prokuroria Speciale Publike”, deklaroi për Portalb profesori universitar Pollozhani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button