Zeqiri: Ballkanit i duhet një platformë e vetme ekonomike

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Republikës së Shqipërisë ( MZHETTS), Milva Ekonomi, ka pritur në një takim pa praninë e medias një delegacion nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë, kryesuar nga ministri për Investimet e Huaja, Arlind Zeqiri, i cili shoqërohej nga zëvendësministri i Financave, Gezim Beadini dhe zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Faton Pollozhani, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja Ekonomi, së bashku me ministrin Zeqiri dhe delegacionin që e shoqëronte, diskutuan për rritjen e bashkëpunimit ekonomik të investimeve, për rritjen e shkëmbimeve tregtare, turizmin në industri dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Në një njoftim zyrtar nga MZHETTS, theksohet se ministrja Ekonomi në fillim të bashkëbisedimit evidentoi numrin e lartë të shkëmbimit të vizitave zyrtare midis përfaqësuesve të dy vendeve, ndërsa theksohet se Ekonomi dhe Zeqiri ndanë të njëjtën qasje se Ballkanit i nevojitet një platformë ekonomike, si një e tërë dhe transformimi i rajonit në një treg të përbashkët për investime.

“Ministrja Ekonomi u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia bashkëpunojnë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes CEFTA dhe nga viti 2011 tregtia midis dy vendeve tona është liberalizuar dhe operohet pa tarifa doganore. Bizneset dhe investimeve maqedonase në Shqipëri, janë 325 ndërmarrje ose me kapital të përbashkët. Duke u ndalur tek shkëmbimet tregtare ministrja Ekonomi theksoi se ato po ndjekin tendencë në rritje. Gjatë vitit 2015 ato arritën vlerën prej 108.62 milionë euro ose me një rritje prej 11 për qind më shumë se në vitin 2014. Specifikisht eksportet u rritën në masën 22 për qind dhe importet u rritën 4.2 për qind”, thuhet në njoftimin zyrtar të MZHETTS-së.
Gjatë këtij takimit, ministrja Ekonomi e njohu ministrin Zeqiri me përgatitjet e Samitit të Diasporës që do të mbahet më 13 nëntor në Tiranë. Në njoftim thuhet se ministri Zeqiri e vlerësoi këtë iniciativë të qeverisë shqiptare dhe u shpreh i gatshëm për të kontribuar.

Për bashkëpunimin rajonal në tregti ministrja Ekonomi tha se “Korridori i 8-të, është i rëndësishëm në funksion të realizimit me sukses të projekteve të përbashkëta mes dy vendeve. Ne si vende anëtarë të CEFTA-s duhet ta përdorim këtë instrument në konsolidimin e tregut rajonal përfshi zgjidhjen e çdo lloj barriere tregtare.”
Ministri Arlind Zeqiri shprehu mendimin se Porti i Durrësit, duhet të promovohet akoma edhe më shumë, si një tjetër urë lidhëse midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës. Gjithashtu vlerësuan se pjesëmarrja më aktive e diasporës në investime të drejtpërdrejta në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë duhet konsideruar me vëmendje maksimale.

Sipas të dhënave të MZHETTS ishin 223.000 qytetarë nga Maqedonia të cilët zgjodhën për të pushuar në Shqipëri gjatë muajve të verës të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button