Kush do të jetë nënkryetari i ardhshëm i Amerikës?

Tramp dhe Klinton janë në moshë të shtyrë dhe realisht mund të mos mbarojnë mandatet e tyre në Shtëpinë e Bardhë. Cilët mund të jenë pasardhësit e tyre për postin më të fuqishëm në planet?

Kandidatët për nënkryetarë. Mbrëmë më 4 tetor 2016 në suaza të zgjedhjeve presidenciale amerikane rradhën për të debatuar e kanë patur dy kandidatët për nënkryetarë të SHBA-ve, republikani Majk Pens dhe demokrati Tim Kejn. Duke patur parasysh se Tramp dhe Klinton me personalitetet e tyre po dominojnë totalisht mediumet, dy nënkryetarët kanë mbetur plotësisht nën hije dhe janë pak të njohur në nivel nacional. Një sondazh i bërë para disa ditëve ka treguar se mbi 40% e amerikanëve nuk mund të emërojnë të dy kandidatët. Por kush janë vërtetë republikani Majk Pens dhe demokrati Tim Kejn?

 

Majk Pens. Kandidati republikan e përshkruan veten si “katolik, konzervativ dhe republikan” me atë rradhitje. Pens vjen nga shteti i Indianës, ku është guvernator nga viti 2016. Më parë, në periudhën 2000-2012, ka qenë kongresmen nga po ky shtet. Në Kongres kryesisht ka marrë pjesë na komisionet që kanë të bëjnë me Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe me Bujqësi, ndërsa ka arritur të rangohet si republikani i tretë në hierarki në Dhomën e Ulët të Kongresit.

Në Kongres Pens njihet si konzervator i patundur, ashtu siç e ka përshkruar veten. Ka luftuar me të gjitha forcat kundër ligjeve dhe finansimit të abortit, kundër borxheve dhe pro politikave prudente fiskale. Pens nuk pranon efektin e ndryshimeve klimatike si fakt shkencor dhe në mënyrë konsistente ka qenë kundër subvencioneve për “energji të pastër”. Poashtu ka kundërshtuar ashpër reformën shëndetësore Obamaker. Në politikën e jashtme është skifter, gjithmonë në vijë me establishmentin republikan dhe pro politikave të jashtme të Xhorxh Bushit.

Në përgjithësi pra Pens është konzervator stereotipik. Mu për këtë gjatë garave brendapartiake ka mbështetur fillimisht Ted Kruzin. Po këto qëndrime të tij kanë qenë shkaku që Tramp i ka ofruar më pas kandidaturën për nënkryetar, sepse Trampit i duhej një figurë që do të afronte bazën konzervatore të partisë, pa rrezikuar popullaritetin e tij. Pens është 57-vjeçar.

 

Tim Kejn. Në pamje të parë Kejn është i ngjashëm me Pensin, një katolik tjetër i devotshëm me moshë 58-vjeçare. Karrierën politike e ka filluar si kryebashkiak i Riçmondit, ndërsa më pas ka qenë vice-guvernator (2002-2005) dhe guvernator i po këtij shteti (2006-2010). Kejn tani është senator i Virxhinisë në Senatin e SHBA-ve. Në periudhën 2009-2011 ka qenë edhe drejtues i Komitetit Kombëtar Demokrat.

Megjithëse me karakteristika të ngjashme demografike, politikisht Kejn është antiteza e Pensit. Edhepse katolik dhe personalisht kundër abortit, në politikë ai përkrah këtë si të drejtë themelore të femrave. Të njëjtën dilemë dhe të njëjtin qëndrim ka edhe për të drejtat e homo dhe transseksualëve. Është përkrahës i politikave për parandalim të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike në të gjitha format. Poashtu angazhohet për rregullim sa më të madh të industrisë financiare, rritjen e tatimeve për më të pasurit, është pro-sindikatave dhe pro reformës shëndetësore Obamaker. E vetmja lëmi ku mund të ketë pikë të përbashkët me Pens është politika e jashtme, ku Kejn është pozicionuar në qendër, afër Klintonit dhe jo shumë larg republikanëve.

Kejn është përmendur si kandidat për nënkryetar qysh në vitin 2008. Thuhet se ka qenë në listën e fundit të Obamës, por në fund Obama zgjodhi Bajdenin. Klinton si duket i ka ofruar postin për dy arsye. Së pari Kejn mbulon demografikisht popullatën e meshkujve të bardhë e cila gjithnjë e më shumë po ikë kah republikanët. Së dyti ai vjen nga Virxhinia, shtet që lëkundet mes dy partive, e që rrjedhimisht ka vlerë të madhe për të fituar garën presidenciale.

 

Cili është roli i nënkryetarit të SHBA-ve. Thuhet se nënkryetari i SHBA-ve në postin e tij s’bën gjë përveçse pret të vdesë ose pensionohet kryetari. Kjo thënie është vetëm pjesërisht e vërtete. Zakonisht nënkryetari ka aq pushtet sa i lejon presidenti, e kjo mund të shkojë në të dy anët. Nënkryetari i Bushit, Dik Çejni, ka patur shumë pushtet dhe llogaritet si nëjri ndër arkitektët kryesorë të luftës në Irak. Nga ana tjetër nënkryetari i Bushit të vjetër, Den Kuejl, llogaritet si më të papushtetshmit dhe më dështakët në historinë e këtij institucioni.

Nënkyetar i Senatit. Një funksion i rëndësishëm që kryen nënkryetari i SHBA-ve është posti i kryetarit të Senatit. Senatorët nuk zgjedhin vetë kryetar të vetin; me kushtetutë këtë rol e luan nënkryetari. Mirëpo ai nuk ka të drejtë vote, me përjashtim kur vota është 50-50. Kjo mund të jetë vendimtare këtë vit, kur gjasat janë të mëdha që të dy partitë të kenë nga 50 senatorë.

Zëvendësues i Presidentit. Natyrisht roli kryesor i nënkryetarit është se ai është i gatshëm në çdo moment të bëhet President, nëse ky vdes apo nuk mund të kryejë detyrat për ndonjë arsye tjetër. Në historinë e Amerikës kjo ka ndodhur nëntë herë. Rastet më të afërta janë inaugurimi i Trumanit pas vdekjes së Ruzveltit, i Lindon Xhonsonit pas vrasjes së Kenedit dhe i Xherald Fordit pas dorëheqjes së Niksonit.

Mu për këtë nënkryetarët shqyrtohen më vëmendje gjatë zgjedhjeve, sidomos në raste si i këtij vitit kur të dy kandidatët për president janë të shtyrë në moshë.

Pasardhës i Presidentit. Pas skadimit të mandatit të presidentit partia në pushtet zakonisht emëron nënkryetarin si kandidat të ardhshëm për kryetar. Kështu ka ndodhur me Xhorxh Bush Seniorin në 1988 pas Reganit dhe me Al Gorin në 2000 pas Klintonit. Në raste tjera, nëse nënkryetari është i moshuar, ai mund të mos garojë. Kështu ndodhi sivjet me Bajdenin dhe para 8 viteve me Dik Çejnin. Pra Pens ose Kejn mund të jenë kandidatë të ardhshëm të partive të tyre për president.

 

Debati i nënkryetarëve. Debati i nënkryetarëve është mbajtur në univerzitetin Longvud në Farmvill, Virxhinia, ndërsa e ka moderuar gazetarja Elen Kuijano e televizionit CBS. Ka qenë kjo hera e parë që një debat e moderon një grua aziatiko-amerikane. Sipas një sondazhi të bërë nga CNN menjëherë pas debatit, atë e ka fituar republikani Majk Pens me rezultat 48%-42%. Kryesisht kjo ka qenë rezultat i sjelljes së pahijshme të Kejn i cili ka ndërprerë në mënyrë konstante Pensin duke i hudhur fjalë të këqija për Trampin. Pens ka mbrojtur me sukses pozicionet e tij dhe ato republikane, por duket se edhe për të ka qenë e pamundur të mbrojë gafet dhe qëndrimet skandaloze të Trampit.

Sido që të jetë debati i nënkryetarëve nuk ka ndonjë peshë të veçantë përveç se ka qenë mundësi që publiku t’i njohë më mirë. Në njëfarë forme debati poashtu ka qenë testim i mesazheve për të dy kampanjat, në përgatitje për debatin e ardhshëm presidencial Tramp-Klinton më 9 tetor.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button