Hill: Shqipëria nuk e do bashkimin me Kosovën

Diplomati amerikan, Christopher Hill, i cili ka shërbyer si përfaqësuesi i parë diplomatik në Shqipëri, ndërkohë që si ambasador i SHBA-ve në Shkup ka punuar edhe me kosovarët, teksa ka ndërmjetësuar bisedimet Prishtinë- Beograd, ka ardhur në një përfundim interesant sa i përket bashkimit eventual të shqiptarëve në Ballkan. Ai ka thënë se nga puna me dy palët, ka kuptuar se Shqipëria është kundër bashkimit me Kosovën, transmeton gazetaexpress.com

Këto komente ambasadori, Hill i ka bërë në Tiranë gjatë një interviste, për “Zërin e Amerikës”. Diplomati amerikan, që është edhe njohës i mirë i Ballkanit, ka theksuar se nga kontaktet me dy palët ka kuptuar se Shqipëria nuk e do bashkimin me Kosovën.

“Padyshim që Ballkani është një proces i papërfunduar. Mendoj se është bërë përparim. Kam punuar në Shqipëri dhe më vonë kur bisedoja me negociatorin e Kosovës, një gjë e kuptova më mirë se të tjerët; Shqipëria nuk donte të ishte një vend me Kosovën; e kuptova se ishin dy vende me të ardhmen e vet. Asnjëherë nuk shqetësohesha si të huajt e tjerë mbi krijimin e Shqipërisë së Madhe” ka thënë Hill.

Ai, më pas ka folur edhe për Kosovën, duke thënë se ende ka shumë punë për t’u bërë.

Aktualisht, në Kosovë ka vetëm një subjekt politik, Lëvizja Vetëvendosje, e cila dëshiron që vendi t’i bashkëngjitet Shqipërisë. Ndërkohë, që partitë parlamentare në Shqipëri nuk proklamojnë agjenda të tilla.

Se dy vendet janë duke e trasuar rrugën, për të ecur ndaras flet edhe vizita që po e zhvillon, Hashim Thaçi në Shqipëri.

Thaçi dhe Rama kanë folur për bashkëpunimin  mes dy palësh dhe marrëdhëniet tregëtare ndërmjet dy vendeve dhe për rrugën europiane që ato duhet të ndjekin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button