Kosova do ta ndihmojë Universitetin “Nënë Tereza” me kuadër dhe studentë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu priti sot homologun e tij kosovar, Arsim Bajrami. Me këtë rast ministri Bajrami deklaroi se Kosova do ta ndihmojë universitetin më të ri në Maqedoni, “Nënë Tereza” me kuadër dhe studentë. Ministrat njoftuan se dy vendet do ta intensifikojnë bashkëpunimin, ashtu që do të lëshojnë grante për kërkime shkencore, kuota doktorature e do të hapin  program të përbashkët doktorature, njofton Portalb.mk.

“E njoftova ministrin Bajrami për hapjen e universitetit të ri dhe sigurisht që bashkëpunimi me Prishtinën zyrtare do të jetë mbi nivel”-tha në konferencën për shtyp ministri Pishtar Lutfiu.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami nga ana tjetër, përgëzoi Lutfiun për universitetin e ri, program që siç theksoi, “Qeveria e Kosovës do ta përkrahë me mësimdhënës, ndoshta edhe me disa studentë që janë të nevojshëm.”

“Sot kemi biseduar për projekte dhe për respektimin e marrëveshjes që e ka nënshkruar ish-ministri, Ademi. Kemi biseduar për lëshimin e granteve nga ana e dy ministrive dhe grupet e punës në kontinuitet kanë punuar nga dita e nënshkrimit të kësaj marrëveshje dhe besojmë se më 10 tetor do të lëshohen nga të dy ministritë përkatëse më qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit mes dy shteteve”-deklaroi ministri Lutfiu, duke aluduar në grantet që do t’u ofrohen profesorëve dhe asistentëve për kërkime shkencore.

“Ne jemi takuar edhe në Prishtinë dhe sot konfirmuam gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar në çdo segment. Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë janë dy shtete fqinje dhe tradicionalisht kanë pasur shkëmbim të studentëve dhe mësimdhënësve”-deklaroi ministri Bajrami.

Ai konfirmoi se Kosova ka filluar njohjen e diplomave të universiteteve private të Maqedonisë e më këtë t’iu mundësojë mobilitet studentëve kosovarë që kanë studiuar në Maqedoni. Poashtu, sipas tij, pritet që së shpejti të hapet një program i përbashkët doktorature, në sferën e mjekësisë mes siç theksoi “Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Shkupit”. Ndërkohë që planifikohen edhe ndarje të kuotave për studim të doktoraturës./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button