TAP nis shtrimin e tubave në Shqipëri

Në Fier filloi ndërtimi i pjesës tokësore të gazsjellësit transadriatik, që do të kalojë në Shqipëri me një gjatësi prej 215 kilometrash. Kjo shënon dhe fazën e parë të shtrimit të tubacioneve Fier-Berat, ndërsa deri tani janë rikonstruktuar urat dhe rrugët që të çojnë në vendet ku kalon gazsjellësi, që pritet të fillojë punën në janar të vitit 2020.

Në ceremoninë simbolike, zyrtarë të lartë të vendit dhe të projektit TAP renditën dobitë ekonomike të përfshirjes së Shqipërisë në këtë korridor gazi. 160 milionë euro në vit do t’i shtohen prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë me nisjen e punës së këtij gazsjellësi, ndërsa deri tani janë punësuar 1700 vetë, 90% e të cilëve shqiptarë.

Ian Bradshaw, drejtor i përgjithshëm i projekti TAP, tha: “Kjo nxjerr në pah rolin strategjik të Shqipërisë. Ka përfunduar 92% e punës (43km) për rehabilitimin e rrugëve dhe urave. 12 km tuba janë shtruar, do të ketë mundësi punësimi, ka mëse 1700 të punësuar, mëse 90% janë shqiptarë”.

Qeveria shqiptare kërkon nga TAP përfitime të barabarta me vendet e tjera, si Greqia: “Nuk ka qenë gjithnjë muaj mjalti, shpesh herë kemi negociuar për të marrë më të mirën nga projekti, siç ka qenë përfshirja e kontraktorëve shqiptarë dhe sot kemi shumë kompani shqiptare që kanë marrë pjesë. Këto kanë sjellë dhe përfitime. Shqipëria ka pasur disa kushte jo të favorshme krahasuar me Greqinë. Jemi në fund të një procesi negociimi për të sjellë në balancë përfitimet, siç i ka marrë edhe Greqia”.

Përveç dobive ekonomike, gazsjellësi pritet të zhvillojë industrinë e gazit në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama tha: “Ne nuk duam të jemi vetëm rrugëkalimi. Në harkun e 20 viteve ngrohja do të bëhet me gaz”.

Nga kufiri mes Turqisë dhe Greqisë, deri në Itali, TAP-i do të jetë afërsisht 878 km i gjatë. Pika më e lartë do të jetë 1800 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa pika më e ulët do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave të Adriatikut, njofton Top Channel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button