Poezia e Lasgush Poradecit epiqendër e sferës metafizike

Poeti Lasgush Poradeci, vlerësohej si reaksion brenda strukturës sociale, shoqërore e politike, komunikimi i tij me disa njerëz të ngritur intelektualisht e të besueshëm vlerësohet si trajtë për ngritjen shpirtërore. Poezia dhe jeta e Lasgush Poradecit duhet analizuar në shumë aspekte, pasi është model i vetëm për poetët e ardhshëm, është burim i vërtetë i vlerave të larta poetike: orvatja, guximi, shpirtgjërësia, altruizmi, bujaria, më qelibari, largimi prej stolive të rrejshme poetike. Me të gjitha këto sikur ua bën me dije politikanëve se kjo jetë është e tyre, kurse për poetin ishte jeta imagjinative e artit. Tërë natën lexonte, shkruante, çonte jetë bohemi, i tërhequr nga të tjerët përveç familjes, gruas dhe dy gocave, Konstadina dhe Marie, të cilat i donte shumë dhe te këto gjente ngushëllimin.

Jeta e tij familjare dhe bota e tij poetike rrezatonte në dritë të tejdukshme nderi, pendimi, revolte dhe frike; jeta dhe bota e tij artistike ishte mëshirë, por edhe pendim, frymëzim për kohën e vet. Sesa metaforik ka qenë poeti tregon vajza e tij Marie, e cila thotë, se ishte shumë vështirë të bëhej një përkufizim ndērmjet Lasgushit si prind dhe si poet, thënë shkurt, gjuha e tij i kapërcente kufijtë e familjes, artit, filozofisë, shkencës, po madje edhe të religjionit nëpērmjet shprehjeve dhe termave të cilat me përvojēn e vet i kishte kapërcyer. Pikërisht, mund të themi se gjuha e përditshme e poetit ka qenë metagjuhë, gjegjësisht, gjuhë e frymëzimit, e shpirtit, artit pa shkronja e tinguj.

Në të vërtetë përvoja e jetës së tij poetike e bënte që të mos kuptohej, sepse ishte ndjenjë e pashprehur që nuk mund të kuptohej nga ana e intelektit diskursiv, sepse në mbrendi përmbante thelbin konjuktiv, përkatës. Thënë shkurt, njohja dhe dija poetike ishte proces konjuktiv, e jo instikt i verbër. Poezia përbën kulmin e sferës metafizike të ekzistencës, por është edhe epiqendër e sferës metafizike, prandaj i është nënshtruar vetëm poezisë. Mirëpo para se të themi poezi, ne duhet të kemi një koncept për poezinë.

Poezia është një koncept bazë dhe te njeriu ekziston që prej lindjes, por edhe koncept gjysmë racional, e cila përkapet me syrin e arsyes dhe me syrin e zemrës, këto dy sy ekzistencën e poezisë e shohin si ligj të pamohueshëm. Poezia është çdo kund, është si drita, nuk mund t’i përshkruhet vendi, është mbi njeriun. Në aspektin ontologjik artistët kanë dy elemente: njëra ka të bëjë me mosekzistencën, ndërsa elementi tjetër që ka të bëjë me artin, poezinë me ekzistencën, del si përfundim se poezia ekziston dhe kaq.

Si element tjetër i hierarkisë së rrugëtimit poetik është zbulimi i botës artistike, apo krijimi i botës shpirtërore, hapja e mbulesës së fshehtë të botës së artit. Këtë element artistik mund ta prezentojmë si frymëzim, dije zbuluese apo krijuese, dije qjellore apo yjore. Zbulesa e botës poetike paraqet njohjen e thelbit të gjërave, gjegjësisht, thelbin artistik. Poeti i cili ka zbuluar thelbin artistik zhvishet nga uni i tij dhe nga ekzistenca e tij reale. Poetët që nuk ecin drejt rrugëtimit të mbrendshëm, apo të thellë shpirtëror, ballafaqohen me rrugëtime të jashtme reale dhe me këtë largohen nga origjinaliteti. Poeti i vërtetë e kupton se fillimi i krijimit të poezisë është zemra, e në zemër ekziston një dritë, e prej kësaj drite shndritë poezia.

Poezia nuk ka tipar tjetër përveç sekretit të mbrendshëm, që do të thotë se bota e brendshme poetike është arkë përplotë me bukuri të çmuara, të cilat duhet kërkuar dhe hulumtuar me qëllim që të arrihet frymëzimi, kënaqësia, gëzimi dhe lumturia poetike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button