Një vepër me shpalosje të dhembjes krenare

“E kështu populli i im, mos pyet çka shteti mundet të bëj për ty, por pyet çka ti mundësh të bësh për shtetin” (John F.  Kennedy)

Vepra “SI BRAKTISEN TROJET” e Tasin Vokës, e botuar kohë më parë, vjen para lexuesit si akt i qëndresës dhe përkushtim atdhetar ndaj trojeve tona që me shekuj po braktisen dhe po bastardhohen nga udhëheqje të ndryshme barbare. Kjo vepër vjen në kohën kur çështja shqiptare vlon gjithandej dhe po kërkohet rruga e vërtet kombëtare, kohë kur kërkohet e vërteta historike njëherë e përgjithmonë. Kjo paraqet kohën kur politika e ka marrë në dorë fatin e shkencës dhe të kulturës dhe kësisoj, që, herë-herë edhe shkenca lakmohet nga politika, e cila detyrimisht po helmohet çdo ditë e më shumë, pasi nuk ka fuqi se si të bëhet e pavarur. Pavarësisht nga të gjitha rrethanat politike e historike, çështja kombëtare në vazhdimësi kërkon zgjidhjen e saj të drejtë dhe të përhershme.

Sipas një thënie popullore, krenaria mund të lihet mënjanë, por dinjiteti nuk duhet humbur për askënd, pasi të bukurën dhe modestinë njerëzore e karakterizojnë tre parime kryesor, siç janë: sinqeriteti, natyrshmëria dhe padjallëzia, elemente këto që, qartë duken në jetën dhe veprimtarinë e Tasin Vokës. I tillë është ky autor, i cili në çdo hap të veprimtarisë së tij na bën të kuptojmë veprimtarinë e bukur dhe modeste të tij, që në vazhdimësi përpiqet për rrugëtimin sa më të shpejtë të çështjeve kombëtare, ende të pazgjidhur ashti siç duhet.

Ndonëse që në moshën e rinisë Voka ishte mërguar larg vendlindjes, larg atdheut, ai asnjëherë nuk pushoi së vepruari  dhe dekadat e fundit, veproi jo vetëm si atdhetar, por edhe si  publicist e krijues. Në shpirtin e tij ndjehet me të madhe mungesa e lirisë së atdheut, malli i theksuar për trojet e tij, i ngërthyer me dhembje për te, që vazhdimisht e shoqëron shqetësimi dhe vetmia, ashtu siç u ka ndodhur shumë burrave të mëdhenj gjatë historisë. Shikuar në këtë prizëm, Voka  dikur shpërthen herë me aktivitete ilegale e herë shpërthen me pendën e tij të një intelektuali të vërtetë, edhe pse ai, në librin e tij, SI BRAKTISEN TROJET, veten e quan njeri me shkollim të mesëm e diku edhe autodidakt. Ky rast na e kujton Josif Bagerin, rilindësin tonë markant të para një shekulli, i cili, edhe pse autodidakt, bëri punë atdhetare dhe kulturore ma shumë se gjithë intelektualët tjerë parazit dhe puthadorë të Qeverisë Osmane. Për këtë, jo rastësisht, sot Bageri radhitet në shkëlqesinë e Rilindjes sonë Kombëtare. Me një fjalë, e tërë veprimtaria e Tasin Vokës, qoftë veprimi i tij ilegal për çështje kombëtare, qoftë ai publicistik e letrar, është i lidhur ngushtë me idealin e çlirimit të atdheut dhe të bashkimit të trojeve shqiptare, të ndara padrejtësisht nga fuqitë e mëdha në fillim të shekullit të kaluar, veçanërisht me famëkeqen, Konferencën e Londrës, 1913.

Gabimet e të shkuarës, rrezikojnë lumturinë e te ardhmes– thotë një shprehje. I preokupuar me këtë çështje, veçmas me temën e madhe të trojeve tona, autori duket se me këtë libër vjen më tepër si një kushtrim, një thirrje dhe një qortim ndaj intelektualëve që i ka mbërthyer  dembelizmi dhe pasiviteti dhe lehtas iu nënshtruan një page minimale gjatë gjithë periudhës kaluar e deri më sot. Bota është shumë e çuditshme. Sipas një thënie të mençur popullore, njerëzit krenohen për atë që duhet të turpëroheshin! Ai kërkon që intelektualët e sotëm që mos ta lënë në pluhurin e harresës vjetërsinë e autoktonisë tonë shqiptare. Kjo dëshmon se Voka kërkon më sublimen, që në atdheun e tij, shqiptari të jetoje me dinjitet të pa nëpërkëmbur në tokën e tij të mohuar dhe kjo arrihet duke u kthyer  rrënjëve tona ilirike dhe pellasgjike, kur gjysma e botës fliste shqip.

Autori e ka shumë të qartë se çdo hap drejt kulturës, është hap drejt lirisë dhe se  kjo, njëherit është refleksioni i shpresës së rizgjimit kombëtar. Ai që në faqen e pare të librit shkruan esenë “ Kisha e Shipkovicës”, që, sipas nesh, autori do që rrethi i tij jetësor dhe pasardhësit e  trojeve të tij ta dinë të vërtetën e vendit të tyre gjatë historikes, pasi shpesh historia di të bëhet edhe gënjeshtare, veçmas kur ajo shkruhet nga politika dhe mbretërit. Ai flet edhe për rëndësinë e kishës gjatë historisë së këtij vendi, ku thuhet se Kisha katolike e Shipkovicës është dëshmi konkrete për të shkuarën tonë të lavdishme. Rreth sajë lidhen edhe emrat edhe legjendat e këtij vendi, si: te Kisha, Përroi i Kishës, markolivadhet, Rrasa e Markut, Mareci, etj. Këtë autori nuk e bën se do të mbajë anën e ndonjë konfesioni, por, për hir të vërtetës historike vendore, dhe nga ana tjetër, në të njëjtën ese përmenden emrat e shquar të këtij katundi me konfesion fetar islam si: Rexhep Voka, Jahja sodiku, Lazim Rexhepi, etj.

Te eseu i dytë , Konsiderata etnike dhe konfesionale, autori flet edhe për fshatrat për rreth Shipkovicës, të cilat janë plot toponime të tilla, ku kanë vepruar kishat dhe emrat katolik, të cilët janë quajtur deri vonë si “llaten” nga vendësit. Deri vonë janë manifestuar edhe festat e ndryshme si Shëngjergji, Shënmitri, etj. Përveç në Vejcë, sipas autorit, hoxha i katundit e ka ndaluar manifestimin e festës së Shëgjergjit.

Për Shipkovicën flet edhe  për një mrekulli të rrallë antike, e cila edhe sot në këtë shekull të ngërthen me një ndjenjë krenarie. Për këtë, në libër shkruhet se: para 150 vitesh nuset paloheshin  dhe  lanin rrobat te Rasha, ( burim në mes të fshati)”. Sipas autorit kjo bëhej pa u fshehur nga burrat, pasi i gjithë katundi ndjehej si një familje, pasi edhe nuk martoheshin brenda katundit, mrekulli kjo që rrallë e gjejmë në ndonjë civilizim të botës…Pastaj, në këtë ese, vazhdon autori t’i zbërthej toponimet me rrënjën e fjalës gur, si p.sh Gjuri i gjatë, gjuri me dushk, Gjuri i shipes, gjuri i Alimalës, Gjuri i Sidollit, Gjuri i Kuç, Gjuri i Radences, etj. Duke u mbështetur në shkrimet e Abdilazis Islamit, del se shtëpitë e para në Shipkovicë janë ndërtuar në vendin e sotëm të emëruar Mure, kurse sipas disa të dhënave tjera edhe në Kuqeria ( dikur Kuqerizat). Pastaj flet për fiset: vokët, gjurajt, fandët, macet, matjanët me prejardhje nga Mati, çadelet nga Opoja e Prizrenit, jakët nga Kaçaniku i Kosovës. Pastaj prej Kosove vijnë edhe Oruçet, kurse nga Toplica e robëruar nga serbët vijnë hadret. Për të gjitha këto, sadopak, është munduar të tregojë se nga është mbështetur.

Autori nuk ndalet vetëm me Shipkovicën dhe fshatrat për rreth, por del e dhe ma larg, siç ndodh me informacionet për kishat katolike dhe ortodokse të Tetovës. Pastaj përmendën se në Sellcë ka pasur dy kisha, njëra për shqiptarët me fe të krishterë- katolik, kurse tjetra për ato ortodoksë.

Në vazhdimësi të librit përflitet për trillimet që bënte politika maqedonase kundër shqiptarëve, për të cilën thotë: Masmedia maqedonase lehte me të madhe, gjoja se UÇK-ja e ka bombarduar Manastirin e Vogël të Leshkës. Megjithatë, pleqtë, banorë të kësaj zone të nxehtë, deklaronin se maqedonasit këtë vepër të poshtër e kanë bërë vet. Në njërën anë t’i fajësojnë shqiptarët para Evropës,  në anën tjetër për t’i humbur gjurmët shqiptare të këtij manastiri… Por, tërë këtë autori nuk e bënë për të denoncuar apo përkrahur ndonjërin nga religjionet, por për të demaskuar politikën pansllaviste dhe të kuptoj bota e civilizuar me argumente shkencore se kush është e vërteta dhe si veprojnë rezilët e Ballkanit.

Interesante është se autori përplaset me një studiues maqedonas, Jovan Trifunofskin, i cili shumë fenomene në studimin e tij i ka pabaza shkencore dhe Tasin Voka duke i njohur mirë, së paku toponiminë e Shipkovicës, me shumë argumente ia hedhë dhe ia demaskon hipotezat e tij “shkencore”. Po në të njëjtin ese, kemi edhe shumë sqarime për fiset, lagjet, e të tjera shkrime tejet me interes që kërkojnë një zbërthim më shkencorë.

Në këtë tekst, vend me rëndësi zë edhe Teqeja e Shipkovicës, e cila dëshmohet me disa të dhëna të pakta edhe atë nga një shkrim i përkthyer prej maqedonishtes nga Melita Qaili (vajza e autorit), të shkruar më 11 shkurt 1999, ku, përveç të tjerash, thuhet se banorët që sollën idenë dhe ndërtuan teqenë kanë ardhur në mesin e sh. XIX nga qyteti i Dibrës…

Gjatë leximit, përshtypje të veçantë të bënë Xhibrja e Çajanit ( Kodra e Diellit-Popva Shapka), e cila referohet sipas një bisede burrash të mbajtur nga Baki Arif Sefa e që ka një histori të veçantë, thuaja se edhe bindëse.

Nga temat shumë serioze paraqitet kaptina e tretë me titull Varri Ramadan Mjakut, ku autori i ka përmendur të gjitha emrat e toponimisë së këtij vendi, pasi autori i ka ecur të gjitha në këmbë, i ka njohur mirë, i ka shijuar ato, pasi herë-herë e ka detyruar edhe puna e tij për mbijetesë. Më bëri përshtypja se disa emërtime janë të panjohura ose pak të njohura edhe për banorët e Shipkovicës, e lëre më gjerë si: Rrafsha e Tajarës, Livadhi i Shkëmbit, Zvarrishtet, Rrasat e Hasan Vokës, Kept e limës, Ara e Capes, etj.

Duku u lidhur me toponiminë, autori tenton të bëj edhe shpjegimin se “ si jetuan më parë” banorët Shipkovicas, duke hapur toka të reja ,malet duke i bënë ara dhe duke kultivuar pataten, fasulen, elbin, tërshërën, thekrën etj., duke u marrë me bagëtinë, pastaj përmendën pasuritë si gropën e qereçit, gropën e qymyrit, pastaj kultivimin e pemëve si mollët, dardhën gështenjën arrën etj. Krahas kësaj vazhdojnë sqarimet e prodhimeve të bulmetit, një historik të shkurtër mbi ndërtimtarinë, lëndët e para si gurët, rrasat, demet nga gështenja etj.

Aktit kulturorë i ka kushtuar një vend të merituar në këtë libër kronik, veçmas për manifestimet e ditës së Shëngjergjit, Shëmitrit dhe të Kërshëndellave duke i sqaruar edhe rolin e tyre shpirtëror e historik. Pastaj, kronika vazhdon sipas natyrës së autorit dhe arin në shpjegimin për Ditën e Verës ( 14. Mars), qethjen e dhënëve, traditat dhe kënaqësitë e barinjve, ku paraqet edhe këngën për delet:

“ Ti more djalë që qeth Kaleshën

Për fat e patshë vetull zezën”

………………………………………………………

Në këtë ndërlidhje autori përmendën me shifra  dhe emra të saktë mullinjtë e fshatit, të cilët kanë qenë ndërtimet më jetike për ekzistencën e kësaj popullate …Gjithashtu flet për terzitë, apo rrobaqepësinë, si profesion shumë i preferuar i kësaj ane. Pastaj nuk lë pa përmendur kafenë, apo hanin  e Halim Fandës, Xhibren e Skenderit, veshjen tradicionale të Shipkovicasve, domin në Teqe të Shipkovicës, aksionarët që sollën dritën elektrike etj.

Një nga pjesët më me rëndësi dhe më dokumentuese është pjesa ku i përkushtohet traditave familjare si: lindjes, rritja e fëmijës, lojërat e fëmijëve, pastaj zakonet dhe traditat rreth synetllëkut, fenomenin e dashurisë, fejesën, bohçen, dasma si finale e një dashurie të premtuar, dita e qeshqekut, dita e kulaçit, nxjerrja e nuses në lamë, spariheri etj., të cilat shpjegohen në detaje dhe shpesh duke u shoqëruar edhe me këngët popullore, me të cilat shënohen këto tradita të mrekullueshme që e kanë mbajtur gjallë popullatën kësaj ane.

Nga temat interesante të këtyre trajtesave të tasin Vokës është edhe plaga e kurbetit, pasi këtë vend gjithmonë e ka përcjellë nevoja për kurbet që një shekull e më parë. Ky kurbet,  banorët e kësaj ane i përlau nga të gjitha anët: Në  Vllajakë – Rumani, Turqi, Beograd, Gjermani e gjetiu… Me këtë rast , sipas autorit, nga kjo plagë ka pasur edhe përfitime, pasi vetëm kurbeti ka mundë ta ndryshoje gjendjen e këtij katundi dhe të këtyre anëve, kurse plaga më e madhe e kurbetit ishte dhe mbetet edhe sot, rruga e saj që çon çon drejtë asimilimit, humbjes së gjuhës, traditave, zakoneve, pastaj nuk është vështirë që larg atdheut njeriu të kaloje në një etikë tjetër morale, që nuk përputhet me etikën tonë morale tradicionale. Kjo më së miri dëshmohet përmes vargjeve poetike të një poeteshe që iu këndoi djalit-Shqipronit në Holandë dhe Rudinës në Maqedoni, që njëherit këto vargje mundet t’i quajmë strumbullari i krejt kësaj vepre të Vokës, e cila korrespondon plotësisht me titullin e librit “ Si braktisen Trojet”

Unë në qytetin tim mësoj maqedonisht

Ty në qytetin tënd mëson holandisht

Vargje që tregojnë se kudo që të vejë shqiptari, asimilimi e pret në të gjitha anët. Prandaj, në këtë strumbullar poetik, motra e thërret të vëllanë:

“ Eja në Shipkovicë, do të flasim shqip

…………………………………………………….

Prandaj o shqipëron, eja sa më shpejt

se gjyshja e dashur, këtu po na pret

……………………………………………………….

Prap po të them eja në shtëpi

Më e bukura jeta, këtu në malësi

Një nga pikat historike e këtij teksti është  edhe tema: “Ngritja e flamurit kombëtarë në shipkovicë”. Në ndërtekstin e kësaj teme, autori kupton se Demon-stratave të Tetovës, që shpërthyen me 23 dhjetor të vitit1968, u paraprin disa ngjarjeve që ndodhën në Kosovë. Për ngjarjet e demonstratave të shqiptarëve për lirinë e tyre, gjyqi i qarkut për padi penale në Shkup dënoi me burg këta persona: Mehmet Gega- asimtar,, Faik Mustafa- student, Abdulselam Selami – mësues, Ramadan Sinani – student, Femi Rufati –student, Agim Xhaferi – student, Arbën Xhaferi -Student, Ismail qemal Sherifi nga Shipkovica-arsimtar, Refik Murati nga Shipkovica-murator, Nexhmedin Neziri nga Shipkovica-drejtor shkolle, Isnixhevat Useini, Xhemil Mustafa, Agim Tjeka nga Gjakova-student, dhe Ibrahim Tjeka po nga Gjakova- student. Më së shumti u dënua Abdulselam Selami me 18 vite burg, kurse të tjerët me nga dy, tre, pesë etj.

Ky libër ka pas nevojë për një redaktim më të hollësishëm, pasi herë-herë i mungojnë referencat, me të cilat vepra do merrte një karakter më të theksuar shkencor, por, kjo nuk do të thotë se vepra ka humbur nga vlera reale, përkundrazi, ajo do e ruaje vlerën e vete për jetë e mote, e cila edhe do të shërbeje si material reference për studiuesit e kësaj natyre studimesh dhe për gjeneratat e ardhshme, që do kenë dëshirë të dinë dhe ta njohin të kaluarën e tyre historike e kulturore, veçmas atë të Shipkovicës me rrethinë, me të mirat dhe me  vështirësitë jetësore që ajo përjetoi.

Autorit i dëshirojmë shëndet dhe vepra të reja në fushën e tij krijuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button