Debat i nxehtë mes nxënësve shqiptarë dhe Safet Nezirit nga MASH-i

Nxënësit shqiptarë përballen me probleme të shumta, kryesisht politike e infrastrukturore. Ata janë viktimë e reformave të dështuara të ndërmarra nga MASH me qëllim të përmirësimit të arsimit, thanë panelistët në debatin publik me temë: “Ç’kyçja e nxënësve nga vendimmarrjet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, shkas për uljen e cilësisë së arsimit”, të organizuar nga Unioni i Nxënësve Shqiptarë, sot në Info Qendrën e UE-së, njofton Portalb.mk

Përfaqësues të nxënësve, MASH-it, kuadrove arsimore dhe mediave diskutuan rreth gjendjes aktuale të arsimit në Maqedoni dhe dhanë sugjerime se si të përmirësohet e njëjta.

Përfaqësuesja e Unionit të Nxënësve Shqiptarë, Dhurata Alija theksoi “Për shkak se MASH nuk e sheh të arsyeshme të konsultohet me nxënësit para marrjes së vendimeve, ata përballen me probleme të shumta”.

Zëvendës-ministri i MASH, Safet Neziri nga ana tjetër bëri të ditur se nxënësit nuk mund të përfshihen në procesin e vendim-marrjes, për shkak se një gjë e tillë nuk parashihet me dispozita ligjore, e aq më pak të përfshihen gjatë përpilimit të teksteve shkollore, pasi kjo e fundit kërkon aftësi të caktuara profesionale e shkencore.

Nxënësit përballen me probleme politike dhe infrastrukturore

Sipas Dhurata Alija-së, problemet me të cilat përballen nxënësit shqiptarë janë politike dhe infrastrukturore. Probleme politike, sipas saj, paraqet politizimi i arsimit, respektivisht politizimi i kuadrove arsimore po edhe i teksteve shkollore. Tekstet shkollore janë të vjetra e nuk janë të azhuruara me informacione të reja, disa prej tyre kanë gabime gjuhësore për shkak se janë të përkthyera në mënyrë të fjalë-për-fjalëshme, ndërkohë që në disa prej tyre nxënësit hasin në gabime të tmerrshme faktografike, siç është rasti me tekstet ku përshkruhet çështja e autoktonisë së shqiptarëve në Maqedoni.

Ndërsa sipas Safet Nezirit, MASH nuk bën zgjedhjen e mësimdhënësve të shkollave, por pushteti lokal dhe drejtori i shkollës. E sa i përket teksteve shkollore, MASH disa herë ka shpallur konkurs, por nuk ka të interesuar.

Ndërkohë që, mungojnë kushtet e nevojshme për realizimin siç duhet të procesit edukativo-arsimor, edhe atë: hapësira të mjaftueshme për klasa (ashtuqë në një klasë mësojnë nga 40 nxënës); mungojnë salla sportive; kabinete, ashtuqë nxënësit detyrohen të mësojnë vetëm teori dhe mekanikisht); banka e karrike, derisa ato banka e karrike që janë nëpër shkolla janë shumë të vjetra e të cilat pastrueset i pastrojnë me të njëjtën leckë me të cilën e pastrojnë edhe dyshemenë; mungon edhe numri i mjaftueshëm i autobusëve që transportojnë nxënësit dhe ndodh që nxënësit shqiptarë të rrihen gjatë rrugës për në shkollë… e të cilat janë problemet infrastrukturore, theksoi Dhurata Alija.

Safet Neziri sqaroi se ka shumë drejtime dhe ka hapësirë që nxënësit të shpërndahen, kështuqë MASH nuk është fajtore as për numrin e madh të nxësve nëpër klasa. Formimi i një klase me mbi 34 nxënës paraqet shkelje ligjore dhe drejtori duhet të dënohet për këtë. Biles theksoi “Koncentrimi në mjekësi, ekonomi e gjimnaz po krijon suficit të nxënësve. Kjo pastaj paraqet problem gjatë regjistrimit të tyre nëpër fakultete dhe gjatë punësimit”; Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe institucione tjera kompetente mbajnë trajnime për metodat më moderne të mësim-dhënies, por një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësve vazhdojnë ta përdorin metodën klasike të zhvillimit të orës mësimore; Për pagat e mësimdhënësve, higjienën dhe transportin MASH u ndan komunave nga 25 000- 29 000 den. për çdo nxënës, ashtuqë është çështje e brendshme se si shfrytëzohen këto mjete; Por MASH nuk ka asnjë kompetencë jashtë objektit shkollor, ajo vetëm ka kërkuar rritjen e kontrolleve të MPB-së, që të parandalohen rrahjet e përmendura. Përndryshe Neziri shtoi “MASH punon ditë e natë, çdo ditë ndërtohet a rinovohet ndonjë shkollë”.

Alija bëri të qartë revoltën e nxënësve e se nuk pranojnë asnjë arsyetim më, duke iu drejtuar Safet Nezirit me fjalët “Nuk na intereson problemi i kujt është, na duhen kushte dhe ju duhet t’i siguroni ato!”

A do të hiqet testimi ekstern?

Dhurata Alija përmendi edhe problemet e shumta me testet eksterne. Kurse Neziri e pranoi se institucionet shtetërore janë vonuar në tejkalimin e gabimeve në testet eksterne. Ai tha se testimi do të përmirësohet. Por ndryshe nga ministri Pishtar Lutfiu, i cili më 1 qershor nxënësve u kishte premtuar heqjen e testimit ekstern, Neziri tha se testimi nuk do të heqet.

Nxënësit, viktimë e reformave të dështuara

Gazetarja Laura Papraniku e cila tashmë një kohë të gjatë shkruan për problemet e nxënësve shqiptarë në të gjitha shkollat shqipe në Maqedoni, tha se nxënësit janë viktimë e sistemit të çoroditur vlerash dhe e dështimit të reformave të ndërmarra në arsim, pavarësisht qëllimit të mirë. Në të gjitha shkollat shqipe ajo ka vërejtur disktiminimin e nxënësve shqiptarë, andaj pyeti Nezirin “Pse MASH nuk gjen mënyrë dhe fuqi për t’i zgjidhur problemet e drejtorëve maqedonas apo kryetarëve maqedonas të komunave?”

Ndër tjerash theksoi se janë të rralla reagimet e nxënësve, andaj me të drejtë etiketohen si reagime të motivuara nga ndonjë parti politike. Kështu ajo i porositi nxënësit të jenë më të zëshëm, “Të dëshmoni se nuk jeni vegël e asnjë partie politike, se jeni të gatshëm të luftoni deri në fund për të drejtat tuaja, që ju nëpërkëmben nga MASH, komuna, drejtoria, mësimdhënësit”.

Edhe profesoresha universitare, Ajtene Qamili tha se nxënësit po i vuajnë pasojat e reformave në arsim, që MASH i ka sjellë me dëshirën për ta përmirësuar arsimin, duke marrur modele nga shtete të zhvilluara, por pa i përshtatur kushtet.

Ja çfarë mund të bëhet për ta përmirësuar gjendjen e arsimit në Maqedoni

Qamili pasi sqaroi problemet në sistemin arsimor dha disa sugjerime, të cilat sipas saj do të kontribuonin në përmirësimin e gjendjes aktuale, edhe atë:

  • Të eliminohet testimi ekstern e në vend të tij të bëhet mbikqyrje e vazhdueshme gjatë tërë vitit dhe procesverbalet të jenë objektive;
  • Të merren parasysh vërejtjet e Këshillit të prindërve;
  • TË ruhet autonomia e mësimdhënësit, por të mos keqpërdoret;
  • Të përmirësohen planprogramet arsimore;
  • Tekstet shkollore të jenë të unifikuara;
  • Punësimi të mos jetë partiak, por të vlerësohet cilësia, ndërsa Enti për Punësim të funksionojë si duhet dhe të bëjë selektimin dhe përndarjen e kuadrove;
  • Nxënësit të klasifikohen sipas suksesit, shkathtësive dhe aftësive që kanë në profilet përkatëse;
  • Të shtohen drejtimet e zejtarisë dhe artizanateve në shkollat e mesme.

Ndryshe, Unioni i Nxënësve Shqiptarë përfaqëson interesat e nxënësve shqiptarë, organizon aktivitete për nxënësit shqiptarë në Maqedoni me qëllim ngritjen e arsimit shqip në Maqedoni./Portalb.mk

“Ç’kyçja e nxënësve nga vendimmarrjet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, shkas për uljen e cilësisë së arsimit”
“Ç’kyçja e nxënësve nga vendimmarrjet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, shkas për uljen e cilësisë së arsimit”

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button