ZIZI DHE “ARISTOKRATËT”

Kampioni Azis Salihu kalon ditë të vështira. Ai përballet me sëmundjen, që është kundërshtar dinak, të cilën nuk mund ta grushtosh. Mjafton mos e kesh frikë. Se është frika që i jep krah sëmundjes dhe e bën më të egër. Por Zizi është i fuqishëm dhe i guximshëm. Ai po e merr veten. Dhe ky është një lajm që më lumturon.

E mbaj mend kur luftonte me aq shumë pasion në ring. E donte fitoren më shumë se gjithçka teksa përballej me titanët e boksit. E kur dora e tij ngrihej lartë nga referi ne ndjeheshim krenarë. Si fëmijë ëndërronim t’i ngjanim. Të ishim kampionë. Të na shkëlqente në qafë medalja olimpike. Pastaj… pastaj ne i harrojmë kampionët. I nxjerrim përtej vëmendjes sonë dhe kështu bëhemi humbësit më të mëdhenj.

Të gjithë i kemi dëgjuar ankesat e tij për margiinalizimin në shoqëri. Disa i kanë quajtur vese. Ankesat e tij nuk janë vese edhe pse kampionëve edhe ato u lejohen.

Mospërfillja e kampionit dëshmon se sa e sëmurë është shoqëria jonë.

Kjo shoqëri nuk dëshiron modele si kampioni që ndeshej në range botërore.

Kjo shoqëri i ka bërë modele “faktorët” e pushtetit, “aristokratët” e sotëm që deri dje mbanin ligjërata kundër borgjezisë.

Ata që deri dje nuk kishin provuar asnjëherë të hynin në ndonjë sallon aristokracie, ata që nuk ishin pasardhës të “dyerve të mëdha” shqiptare, që ishin hyzmeqarë e bij hyzmeqarësh, sot sillen si “elitë” sociale.

Për “aristokratët” tanë historia fillon me ata. Me ata e me askënd tjetër. Pas tyre, duhet të vijnë fëmijët e tyre.

“Arustokrstët” tanë kanë qenë dhe janë hyzmeqarë të secilit pushtet. Sot kanë pushtet sa t’i sundojnë e disiplinojnë shqiptarët. Pushteti i tyre asnjëherë nuk më ka frikësuar. Pushteti i tyre përherë më është dukur i neveritshëm.

Zizi të shkuara! Je kampion dhe i tillë do të mbetesh kur gjithçka tjetër të jetë harruar.

Shumëkush mund të ngjitet në shumë “maje”, pa asnjë meritë, por në majen ku u ngjite nuk arrin çdokush. Janë të rrallët. E ti Aziz je i tillë. Je i rrallë, prandaj je i vlefshëm. Dhe i vlefshëm do të jesh përgjithmonë, pavarësisht se nuk të vlerësuam sa e meritoje. Do të vijnë të tjerë pas nesh dhe do të flasin për vlerën tënde dhe mosmirënjohjen tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button